Financat publike dhe menaxhimi i fondeve

1211
Bujar LESKAJ
Kryetar i KLSH-së
Analiza e Kontrollit të Lartë të Shtetit për zbatimin e Buxhetit të Shtetit për vitin 2016. Si u përdorën paratë për ish-të përndjekurit, pushtetin vendor dhe prokurimin publik
(Vijon nga numri i kaluar)
Mbi përdorimin e fondit të zhvillimit të rajoneve (FZHR) 
Nga auditimi, edhe për këtë vit, evidentohet mungesa e një kuadri rregullator të mire përcaktuar mbi FZHR, situatë që krijon hapësira për të shtuar nga qeveria “shtylla programore” me qëllim rritjen ose bërjen më fleksible të mundësive që i jepen për të anashkaluar kufizimet buxhetore dhe tejkaluar përcaktimet rregullatorë në drejtim të zbatimit të buxhetit vjetor. Duke marrë në konsideratë problematikave të evidentuara dhe te analizuara në mënyrë të detajuar në raportin e KLSH-së, por edhe hapat pozitivë të ndërmarrë nga Ministria e Financave për ta përfshirë në kornizën buxhetore këtë fond, kemi rekomanduar:
– Drejtoria e Financave Vendore, pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, të ngrejë një grup pune për instalimin e një database me të dhëna mbi financimin nga FZHR që nga krijimi e në vazhdimësi me qëllim vlerësimin real të nevojave për likuidimin e detyrimeve të lindura në vite nga FZHR dhe krijimin e bazës për planifikimin sa më real të prioriteteve për të ndihmuar vendimmarrjen e KZHR në këtë drejtim. Mbajtja nën kontroll të nivelit të fondeve nën këtë zë tashmë të konsoliduar të buxhetit do ti shërbente monitorimit më të mirë të investimeve të realizuara nga ky zë.
Mbi fondin e të përndjekurve politikë
Në fund të vitit 2016, rezulton se për Fondin e të Përndjekurve Politikë, është shpenzuar vlera 2,000 milionë (2 miliardë) lekë, Fond ky i shpenzuar për 2 986 persona të kategorisë parësore dhe 3 544 persona të kategorisë Jo parësore. Nisur nga niveli mesatar i fondeve të lëvruara për çdo vit (2 miliardë lekë) si dhe vlera e fondeve të nevojshme (32,337 milionë (32.3 miliardë) lekë) për përfundimin e detyrimit financiar dhe veçanërisht moral që ka shteti ndaj kësaj kategorie (13 082 persona), për të përmbyllur këtë detyrim do të duhen rreth 16 vite të tjerë. Duhet të theksojmë se kjo shifër nuk është përfundimtare, pasi janë rreth 320 dosje të kategorisë parësore dhe rreth 24000 dosje të kategorisë jopaqësore të cilat presin për shqyrtim në rrugë administrative. Kjo problematikë lidhet me kuadrin ligjor por vjen edhe nga mbartja e problematikave nga migrimi i dosjeve të sistemit të vjetër të pagesave. 

Për sa më sipër kemi rekomanduar:
– Të shtohen fondet vjetore që i kalojnë të përndjekurve politikë në mënyrë që të paguhen këto detyrime në kohë sa më të shpejtë. Të merren në analizë problematikat e adresuara dhe të jepet mundësia që zgjidhja e problematikave të jetë përmes vendimeve administrative të kësaj drejtorie duke synuar minimizimin e kostove në ngarkim të kësaj shtrese të popullsisë. 
E gjykojmë të nevojshme ti kthehemi rekomandimit të dhënë më parë nga KLSH, që në Ligjin nr. 9936, datë 26.06.2008 “Për Menaxhimin e Sistemit Buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të përcaktohet që të ardhurat nga privatizimet në masën 20% të shkojnë për dëmshpërblimin ligjor të ish të përndjekurve politikë, kjo për të përmbyllur në një kohë sa më të shpejtë këtë detyrim.

Mbi përdorimin e fondit rezervë dhe fondeve të kontigjencës
Nga auditimi i përdorimit të Fondit Rezervë të Buxhetit të Shtetit, konstatohet se vijon problematika që një pjesë e konsiderueshme e fondit rezervë përdoret dhe alokohet në kundërshtim me udhëzimin standard të zbatimit të buxhetit të shtetit. Gjithashtu, mungon mënyra e llogaritjes së kostos për fondin e kërkuar, si dhe afatet e paraqitjes për mendim, para se të shqyrtohet në Këshillin e Ministrave.

Për sa më sipër kemi rekomanduar:
– Nga ana e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, të hartohet një kuadër i qartë rregullativ (rregullore apo udhëzues), mbi mënyrën e përdorimit, alokimit dhe raportimit të Fondit Rezervë, duke shmangur justifikimet lidhur me problematikat që vijojnë ndër vite. 
Nga auditimi i përdorimit të Fondit të Kontigjencës të Buxhetit të Shtetit, konstatohet se vijon problematika që ky fond përdoret jo në përputhje me kriteret e përcaktuar në Ligjin organik të buxhetit. Për sa më sipër kemi rekomanduar:
– Nga ana e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, të bëhen ndërhyrjet e nevojshme ligjore në mënyrë që të mos ketë përkufizime të ndryshme në nivelet e ndryshme të hierarkisë ligjore, lidhur me përdorimin e Fondit të Kontigjencës. 
– Të hartohet një kuadër i plotë rregullativ (rregullore apo udhëzues), mbi mënyrën e përdorimit, alokimit dhe raportimit të Fondit të Kontigjencës, për të shmangur problematikat e konstatuara lidhur me përdorimin e këtij fondi.
Mbi administrimin e fondeve të buxhetit të vitit 2016
Në total efektet negative në buxhetin e vitit 2016 llogariten në vlerën 109,546 milionë (109.5 miliardë) lekë ose 820 milionë euro. Në krahasim me vitin 2015 kjo shifër është rreth 53.3 miliardë lekë, ose 400 milionë euro, më e lartë. Nga auditimet në zbatim të buxhetit 2016, KLSH ka konstatuar shkelje të ligjshmërisë financiare konsideruar si dëme ekonomike për buxhetin e shtetit në vlerën 19,909 milionë (19.9 miliardë) lekë ose 149 milionë euro. Në krahasim me vitin 2015 kjo shifër është rreth 5 miliardë lekë, ose 37.5 milionë euro, më e lartë. KLSH, ka konstatuar të ardhura të munguara apo shpenzime të realizuara, në kushtet e zbatimit jo korrekt të dispozitave ligjore në fuqi, në shkelje të parimeve të ekonomicitetit, efiçencës dhe efektivitetit me efekte negative për buxhetin e shtetit e vitit 2016 në vlerën 38,461 milionë (38.5 miliardë) lekë ose 288 milionë euro. Në krahasim me vitin 2015 kjo shifër është rreth 18.5 miliardë lekë, ose 138.5 milionë euro, më e lartë. Si parashtruar edhe më lart, rritja e detyrimeve ndaj tatimeve dhe doganave (borxhi tatimor dhe doganor) si dhe skemës së sigurimeve shoqërore për vitin 2016 është në vlerë 51,175 milionë (52.2 miliardë) lekë ose 383 milionë euro dhe përbën mungesë direkt të ardhurash për buxhetin e shtetit. Në vitin 2015 rritja e këtij borxhi ka qenë në vlerë 21.4 miliardë lekë.
Në milionë lekë
Burimi: KLSH

Raportimi financiar në sektorin publik
Edhe për vitin 2016, Pasqyrat Financiare të Konsoliduara, nuk janë pjesë e raportit vjetor të konsoliduar të zbatimit të buxhetit. Mungesa disavjeçare e pasqyrave të konsoliduara të shtetit në gjykim tonë ndikon jo vetëm në nivelin e transparencës, por është e lidhur ngushtë me analizën e treguesve makroekonomik. Konstatohet se nuk ka një bazë të qartë rregullative mbi të cilën realizohet Raportimi Financiar, fakt që krijon hapësira për mangësi të theksuara në mbajtjen e kontabilitetit dhe në raportimin financiar nga njësitë që duhet të raportojnë mbi bazë të standardeve të kontabilitetit publik. Pasqyrat financiare të hartuara përmbajnë gabime dhe nuk reflektojnë të gjitha transaksionet financiare të vitit. Për sa më sipër, si dhe problematikave të evidentuara dhe te analizuara në mënyrë të detajuar në raportin e KLSH-së kemi rekomanduar:

– Në kushtet kur ristrukturimi i qeverisë, prek edhe shkrirje, ndarje apo bashkime të institucioneve shtetërore, merr rëndësi nxjerrja e një udhëzimi që do të krijojë konsistencën me të cilin do të realizohet transferimi kontabël i aktiveve, të drejtave dhe detyrimeve nga një strukturë në tjetrën. Në mungesë të një veprimi të tillë procesi do të reflektojë konfuzion dhe pasaktësi të mëdha. Strukturat e Auditimit të Brendshëm të jenë të detyruar të verifikojnë procesin e mbylljes së llogarive kontabël të institucioneve të shkrira apo të bashkuara. 
– Ministri i Financave dhe Ekonomisë të publikojë Standardet Ndërkombëtare të Kontabilitetit Publik IPSAS, si baza kryesore metodologjike mbi të cilën do të ndërtohet kontabiliteti publik në Shqipëri në të ardhmen e afërt. Publikimi i Standardeve që në këtë moment, do ti japë kohë përdoruesve (hartuesve të pasqyrave financiare), të njohin parimet mbi të cilët do të funksionojë kontabilitetit publik, menjëherë pas miratimit të Kuadrit të plotë regullativ në fushën e raportimit financiar në sektorin publik. Ministria e Financave dhe Ekonomisë, të realizojë një komunikim të hapur për të mbledhur opinione të pavarura dhe profesionale mbi domosdoshmërinë e ligjit “Për Kontabilitetin Publik”.
Mbi auditimin e brendshëm publik
Auditimi i brendshëm ka njohur zhvillime të rëndësishme, por që mbeten akoma në nivelin e përgatitjes të dokumenteve bazë dhe ngritjes dhe zhvillimit të kapaciteteve profesionale audituese, larg marrjes së rezultateve konkrete të përmirësuara dhe të pritshme nga funksioni i auditimit të brendshëm në njësitë e sektorit publik. Pavarësia funksionale e auditimit të brendshëm nuk është siguruar plotësisht. Ndonëse janë bërë hapa në drejtim të ndarjes së strukturave dhe veçimit të veprimtarisë së auditimit nga veprimtaritë e tjera të njësive publike, raportimi te niveli më i lartë i menaxhimit, ndjekja e rekomandimeve, duhen përmirësuar më tej.

Lidhur me ngritjen dhe funksionimin e Komiteteve të Auditimit, kemi konstatuar se duke qenë se ngritja e këtyre strukturave është lënë në diskrecion të Titullarit të Institucionit funksionimi i këtyre komiteteve ka qenë i segmentuar, pasi janë krijuar vetëm në 8 nga 16 ministri. Nuk ka një procedurë të mirë përcaktuar mbi vlerësimin e profesionalizmit dhe kapaciteteve që do përfshihen në këto Komitete duke reflektuar kështu një nivel risku të lartë operacional. Edhe ato raste kur këto Komitete janë krijuar, ka përsëritje të ekspertëve të përfshirë në to, gjë që reflekton potencialisht mungesën e kapaciteteve për të siguruar një mision të plotë në dhënien e garancive të arsyeshme lidhur me procesin. Konstatohet se mungon koordinimi dhe monitorimi i veprimtarive te Komiteteve të Auditimit, pasi Struktura e Harmonizimit të Auditimit të Brendshëm, nuk ka asnjë informacion lidhur me aktivitetin e punës së këtyre strukturave në institucionet që janë ngritur. Për sa më sipër si dhe problematikave të evidentuara dhe te analizuara në mënyrë të detajuar në raportin e KLSH-së kemi rekomanduar:

Me qëllim që të sigurohet mirëfunksionimi i Komiteteve të Auditimit si organe këshilluese pranë titullarit, si një hallkë shtesë për rritjen e pavarësisë funksionale të strukturave të auditimit të brendshëm, të rishikohet VKM mbi të cilin ngrihen, funksionojnë dhe raportojnë Komitete e Auditimit, duke adresuar me kujdes problematikat e konstatuara. Vëmendje të shtuar duhet të ketë deklarimi i konfliktit të interesit që cenon objektivitetin e këtyre strukturave.

Strukturat e Audititit të Brendshëm, për vitin 2016 kanë planifikuar 1637 auditime ose 252 objekte më pak se ato të planifikuara për vitin 2015. Konstatohet se janë realizuar 1361 auditime gjithsej, nga të cilat, auditime të plota janë kryer 626 ose 46% të totalit, auditime financiare 116 ose 8.5%, auditime të përputhshmërisë 356 ose 26%, auditime performance 77 ose 5.7% të totalit. Në nivel Ministrish, rezulton se strukturat kanë planifikuar 389 misione auditimi dhe kanë realizuar 394 misione auditimi nga të cilat 93 misione ndjekje rekomandimesh. Në këtë rast, përfshirja e zbatimit të rekomandimeve në numrin e auditimeve të realizuara jep një pamje të deformuar të realizimit të planit, kjo për sa kohë që auditimi i zbatimit të rekomandimeve nuk është parashikuar në planin vjetor. Nga të dhënat u konstatua se mbetet problematika që në strukturat e Auditimit të Brendshëm ka persona të pa certifikuar dhe kjo situatë (e pranishme më shumë në organet e pushtetit vendor dhe njësitë e varësisë) cenon arritjen e objektivave dhe përmbushjen e misionit të auditimit të brendshëm. Niveli i njëjtë i personave të pa certifikuar në sistem, tregon se strukturat kanë lëvizje të vazhdueshme të stafit dhe nga Titullarët nuk i kushtohet vëmendje e veçantë kritereve që duhet të plotësohen, në mënyrë që të garantohet cilësia e auditimeve. Nga auditimet e kryera janë konstatuar 9,421 raste të shkeljeve, me impakt negativ në 2,111 milionë (2.1 miliardë) lekë. Për vitin 2016 ka ndryshuar formati i raportimit e klasifikimit të sistemeve dhe është e pamundur të bëhet analiza krahasuese sipas sistemeve. Konstatojmë se 2016 ka nivelin më të ulët të gjetjeve me efekt negative, kjo nisur edhe nga roli i ri (vetëm këshillimor) që përkufizon ligji për strukturat e auditimit të brendshëm.

Të dhënat e raportuara, tregojnë se shkeljet me efekte negative në buxhet në masën 38% i takojnë grupimit “të tjera”, fakt që tregon se gjetjet nuk i takojnë sistemeve të vlerësuara me nivel të lartë apo të mesëm të riskut, pasuar me nivelin 20% gjetjet në “sistemin tatime dhe dogana”, 12% i takojnë gjetjeve në sistemin “administrim prone, pasurie” dhe me 11% vijnë gjetjet nga sistemi “paga, shpërblime kompensime”. Megjithëse zona me risk më të lartë në administrimin e fondeve buxhetore është ajo e prokurimeve, nga strukturat e auditimit të brendshëm gjetjet e këtij sistemi janë vetëm 9%. Strukturat raportojnë të dhëna në numër dhe vlerë për parregullsitë me ndikim financiar sipas sistemeve, por pa cilësuar se, sa nga vlera e gjetjeve përbën dëm ekonomik për fondet publike, dhe për sa prej tyre është kërkuar kthimi i shumave në buxhetin e shteti.

Është konstatuar, nivel i ulët i zbatimit të rekomandimeve me 47%, pavarësisht se pranueshmëria e tyre është në masën 99%. Konstatohet se niveli i zbatimit të rekomandimeve në nivel ministrish është 22% ndërkohë që në pushtetin vendor ky nivel zbatimi rritet në 29%. Niveli i ulët apo, niveli zero i zbatimit të rekomandimeve në disa subjekte, tregon se nga Titullarët e Institucioneve akoma nuk është kuptuar rëndësia e zbatimit të rekomandimeve të Auditimit të Brendshëm. Neglizhenca e konstatuar tregon akoma varësinë që këto struktura kanë nga titullarët dhe pamundësinë në këto kushte për të shtuar presionin për zbatimin e rekomandimeve.

Kemi rekomanduar që strukturat e Ministrisë së Financës dhe Ekonomisë të marrin një rol më aktiv në monitorimin e strukturave të Auditimit të Brendshëm dhe realizimin e misionit të tyre.

Mbi menaxhimin financiar dhe kontrollin
Kemi konstatuar devijime në funksionimin e strukturave që monitorojnë vendosjen e sistemeve të kontrollit dhe sigurojnë që institucionet njohin dhe implementojnë kërkesat për një kornizë të menaxhimit financiar dhe kontrollit funksionale. Struktura përgjegjëse për menaxhimin financiar dhe kontrollin nuk ka arritur të vendosë një urë komunikimi të përshtatshme me institucionet publike për të udhëhequr nga pikëpamja metodologjike këtë proces, jo vetëm të vështirë, por edhe sfidues. Konstatohet se përzgjedhja e personave në borde dhe komitete, në mbështetje të strukturave të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë është realizuar jo në përputhje me kriteret dhe në disa raste konflikti i interesave ka ekspozuar vendimmarrjen ndaj riskut operacional. Për sa më sipër, si dhe problematikave të evidentuara dhe te analizuara në mënyrë të detajuar në raportin e KLSH-së kemi rekomanduar kemi rekomanduar:

– Ministria e Financave dhe Ekonomisë të marrë masa me qëllim ripërkufizimin e fushës së zbatimit të ligjit “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”, i ndryshuar,…duke u shprehur në këtë kuadër ligjor për përfshirjen në fushën e zbatimit të tij edhe të institucioneve të pavarura të cilat krijojnë apo shpenzojnë fonde publike.
– Ministria e Financave dhe Ekonomisë të rishikojë organizimin dhe funksionimin e Bordit të Kontrollit të Brendshëm Financiar Publik, me qëllim kthimin e tij në një strukturë që i shërben përmirësimit të menaxhimit të sistemit të menaxhimit financiar dhe kontrollit në shkallë vendi, duke synuar një pjesëmarrje më të reduktuar por më efektive dhe veçanërisht këshilluese në fushën e kontrollit. 
– Të rishikohen treguesit e vlerësimit të performancës, për të qenë më përfaqësues dhe dhënë një pamje të drejtë të funksionimit të sistemit të auditit të brendshëm dhe sistemeve të kontrollit të brendshëm në sektorin publik. (tregues të përcaktuar në Urdhrin e Monitorimit të Ministrit të Financave nr. 89, datë 28.12.2015) 
Mbi auditimin e fondeve të shpenzuara nga njësitë e vetëqeverisjes vendore

Konstatohet se përveç impakteve pozitive që ka dhënë në drejtim të përqendrimit dhe kontrollit më të mirë të të ardhurave, rritjes së volumit të investimeve dhe kontrollit të aseteve, në opinionin tonë të pavarur, edhe në vitin e dytë të zbatimit të saj, nuk kanë arritur pritshmëritë në lidhje me rritjen dhe cilësinë e shërbimeve ndaj komunitetit, rritjen e të ardhurave financiare dhe konsolidimit fiskal, etj. Problematikat e konstatuara nga administrimi i këtyre njësive të vetëqeverisjes vendore:

Nivel i ulët i të ardhurave të mbledhura. Në 21 subjektet e audituara niveli i borxhit tatimor paraqitet në vlerën 1,338 milionë lekë, i cili ka ardhur gjithmonë në rritje nga viti në vit, duke reflektuar nivelin e lartë të të ardhurave të munguara në buxhetet e këtyre njësive. Pavarësisht se disa herë kanë dalë akte ligjore për faljen e taksave dhe tarifave vendore, përsëri niveli i borxhit tatimor paraqitet në rritje, kjo edhe për faktin se kalimi i aktivitetit të subjekteve nga ish komunat në bashki, listat apo dosjet e bizneseve, nuk është bërë në kujdesin e duhur dhe bazuar në kërkesat ligjore. 

Detyrime të prapambetura të nivelit shqetësues. Nga auditimet e ushtruara, rezulton se në mjaft njësi të vetëqeverisjes vendore, është akumuluar një borxh i konsiderueshëm, nëpërmjet krijimit të faturave të palikujduara ndër vite, për arsye te kryerjes së punimeve apo shërbimeve pa u siguruar më parë fondet e nevojshme për kryerjen e tyre.

Kontrolli dhe administrimi i territorit nga njësitë e vetëqeverisjes vendore. Edhe pse Njësive të Vetëqeverisje Vendore ju janë transferuar pjesa më e madhe e pronave, kullotave dhe pyjeve, ende nuk janë kryer inventarizimet dhe regjistrimet në zyrat e regjistrimit (ZVRPP), me justifikimin e mungesës së hartave përkatëse. Për kontrollin e territorit në pjesën më të madhe të bashkive janë krijuar dhe funksionojnë strukturat e Inspektorateve të Mbrojtjes Territorit (IMTV), por këto struktura nuk janë plotësuar me specialistë të fushës, fakt që shton riskun operacional në përmbushje të misionit të tyre.

Mbi menaxhimin financiar dhe kontrollin. Nuk njihen dhe nuk funksionojnë sistemet e kontrollit të brendshëm, fakt që reflekton nivel të ulët të efektivitetit dhe eficencës në shpenzimin e fondeve në dispozicion. 

Duke pasur në konsideratë rëndësinë, sfidat e reformës territoriale si dhe problematikat e evidentuara më lart në lidhje me administrimin e njësive vendore, në mënyrë që të ketë një qasje më të dokumentuar lidhur me ecurinë e reformës territoriale, KLSH do të kryejë një auditim performance gjatë vitit 2018.
Skema e sigurimeve shoqërore
Realizimi i shpenzimeve gjithsej për vitin 2016 është në vlerë 114,276 milionë (114.3 miliardë) lekë ose 98.8% krahasuar me planin e ndryshuar. Për vitin 2016 të ardhurat mbulojnë vetëm 58% të shpenzimeve me një përmirësim nga një vit më parë kur vlera ishte 56%. Në fund të vitit 2016 të ardhurat nga dega e pensionit të qytetit mbulojnë 80.7% të shpenzimeve të kësaj dege, në krahasim me 77.7% një vit më parë. Në fund të vitit 2016 të ardhurat nga dega e pensionit të fshatit mbulojnë vetëm 22% të shpenzimeve të kësaj dege, në krahasim me 28% një vit më parë. Për këtë arsye, i kemi rekomanduar strukturave drejtuese të ISSH të kryejnë studime të mirëfillta e të veçanta për degën e pensioneve të fshatit për të minimizuar defiçitin e kësaj skeme.
Skema e sigurimeve te detyrueshme të kujdesit shëndetësor
Në lidhje me skemën e sigurimeve të detyrueshme të kujdesit shëndetësor, shpenzimet faktike gjatë vitit 2016 janë 34,796 milionë (34.8 miliardë) lekë dhe në krahasim me faktin e vitit 2015 janë rritur me 7%. 

Shpenzimet për rimbursimin e barnave për vitin 2016 janë realizuar në masën 98,8% e programimit. 

Financimet për shërbimin spitalor ndërmjet thesarit, parashikohet në ligjin e buxhetit dhe miratohet me Vendim të Këshillit të Ministrave. Shpenzimet për shërbimin spitalor nëpërmjet thesarit përbëjnë 48.5% të buxhetit të FSDKSH për vitin 2016. Këto shpenzime janë realizuar në masën 98.3% kundrejt planit.

Shpenzimet për Shërbimin e Kujdesit Shëndetësor Parësor janë realizuar në masën 95.3% e programimit vjetor. Në këtë zë përfshihen dhe 803 milionë lekë për likuidimin e faturave të shërbimit të kontrollit bazë shëndetësor të popullsisë nga 35-70 vjeç. Nga auditimi në FSDKSH, përveç efekteve negative për buxhetin e shtetit të përllogaritura në rreth 1.8 miliardë lekë, në gjykimin e pavarur profesional të KLSH vlerësojmë se FSDKSH nuk ka një sistem të kontrollit të brendshëm efektiv për të garantuar përputhshmërinë me aktet ligjore dhe nënligjore që rregullojnë aktivitetin e institucionit.

Mbi cenimin e të drejtës së KLSH për të ushtruar mandatin e tij, në Sh.A. dhe ente regullatore
Gjatë vitit 2016, në ushtrimin e mandatit tonë, kemi ndeshur në raste të cenimit të rëndë të mandatit tonë kushtetues për të audituar fondet publike, sjellje që janë në kundërshtim me nenet 162-165 të Kushtetutës, si dhe me Ligjin nr. 154/2014 datë 27.11.2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”. Kështu:

Dy auditime të iniciuar në Entin Rregullator të Energjisë nuk janë lejuar të zhvillohen nga Kryetari i ERE-së, me pretendimin se ERE është një Person Juridik Publik, i pavarur nga çdo institucion tjetër publik ose privat, dhe jashtë juridiksionit auditues të KLSH. 

Gjithashtu auditimi i iniciuar në shoqërinë Albpetrol sh.a me objekt auditimin e 3-mujorit të fundit të vitit 2016, për plotësimin e gjetjeve për vitin 2016, si dhe të riverifikimit të zbatimit të rekomandimeve të lëna nga auditimi i mëparshëm për 9-mujorin e vitit 2016, me qëllim përfshirjen në Raportin e Buxhetit Faktik 2016, është vonuar si pasojë e pengesave dhe refuzimit nga administratori i kësaj shoqërie. KLSH ka mundur të rifillojë auditimin në shoqërinë Albpetrol sh.a, në muajin Shtator 2017, falë ndërhyrjes dhe bashkëpunimit të Ministrit të MEI-it, i cili ka mbajtur një qëndrim korrekt dhe në mbështetje të së drejtës Kushtetuese dhe ligjore të KLSH-së për të zhvilluar misionin auditues.

Mbi prokurimin publik
Konstatohet se për vitin 2016, nga totali i shpenzimeve të buxhetit prej 148,573 milionë (148.6 miliardë) lekë vetëm 60% e totalit është prokuruar gjatë vitit 2016 (87,372 milionë lekë). Dimë që lloji i procedurës së ndjekur ndikon drejtpërsëdrejti në nxitjen e konkurrencës dhe pjesëmarrjen e Operatorëve Ekonomik (OE) dhe rrjedhimisht në transparencë dhe besueshmëri të procesit të realizuar për shpenzimin e fondeve publike. Konstatohet se vetëm 41% e numrit të procedurave është realizuar me “Tender i hapur lokal”, ndërsa 59% e numrit të procedurave është realizuar me procedurën “Kërkesë për propozim”, pavarësisht se si nivel fondi të prokuruar këto të fundit, zënë vetëm 7% të fondit të hedhur në prokurim për vitin 2016. Procedura e prokurimit publik “Negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës” përbën rreth 30% të numrit praktikave të prokurimit gjithsej realizuara për vitin 2016. Kjo lloj procedure nuk kryhet nëpërmjet sistemit elektronik si dhe nuk kërkon njoftim publik, pra niveli fondeve të prokuruara nën këtë procedurë nuk është në nivelin e transparenës së procedurave të tjera. Gjatë vitit 2016 dhe në vijim të 2017, KLSH ka realizuar edhe një auditim performance me temë “Procedurat e Prokurimit Publik në Shqipëri”, i cili u përqendrua në procedurën e prokurimit “negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës”. Procedurat e prokurimit publik “negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës”, janë “stimuluar” duke krijuar situata “emergjente” sepse aktet ligjore për zbatimin e buxhetit nuk lejojnë fillimin e një procedure prokurimi në rast se nuk ka kaluar buxheti përkatës ose legjislacioni nuk është plotësisht i harmonizuar me legjislacionin e menaxhim financiar; për shkak të tejkalimit të afateve në shqyrtimin e ankesave dhe të procedurave burokratike; organizimit procedurave të prokurimit publik nga një dorë e vetme për disa mallra e shërbime. Legjislacioni shqiptar në këtë aspekt të prokurimit nuk është plotësisht në linjë me acquis-në e Bashkimit Evropian në këtë fushë; nuk ka një udhëzim specifik i cili të pasqyroje në mënyrë më të detajuar dhe të hollësishme hapat, afatet dhe veprimet që duhet të zbatojnë Autoritetet Kontraktore në rastin e përdorimit të procedurës prokurimit publik “negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës”. Në këtë kontekst kemi kërkuar vëmendje në monitorim por edhe ndërhyrje në legjislacion për të minimizuar rastet emergjente “fiktive” të raportuara nga autoritetet kontraktuale. Është i nevojshëm promovimi i përdorimit të sistemit elektronik të prokurimit publik për procedurën e negociuar me qëllim rritjen e transparencës. Nga auditimi kemi konstatuar se kjo lloj procedure nuk është monitoruar sa duhet.

Në të gjitha procedurat e prokurimit të zhvilluara janë shpallur fitues 1140 operatorë ekonomikë për 5067 procedura prokurimi në total. Janë kryer teste të përqendrimit dhe nga analiza e bazës së të dhënave në lidhje me prokurimet e fituara evidentohet që gjatë vitit 2016, 50% e vlerës totale të prokuruar është përfituar nga 57 operatorë ekonomikë ose 5 % e totalit të operatorëve të cilët kanë fituar 14.7% prokurime nga totali i atyre të zhvilluara. 

Të dhënat tregojnë se 10% të numrit total të prokurimeve zhvillohen nga 10 autoritete kontraktore të cilat përdorën 41 % e fondeve të prokuruara për vitin 2016. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka vlerën më të lartë të fondeve të prokuruara në nivelin 11.5 miliardë lekë, pasuar nga DPP (Drejtoria e Prokurimeve të Përqendruara në Ministrinë e Punëve të Brendshme) me 4.1 miliardë lekë, Bashkia Tiranë me 3.7 miliard lekë dhe KESH 3.7 miliard lekë.
Raporti u fokusua në Treguesit Kryesorë të Buxhetit Faktik dhe në dhënien e disa rekomandimeve që synojnë minimizimin e risqeve që kërcënojnë financave publike në vend. KLSH do të vazhdojë të jetë një zë i pavarur, duke theksuar aspektet që kanë nevojë për përmirësim dhe duke hedhur dritë mbi fakte që i kushtojnë shumë jo vetëm buxhetit vjetor por ndikojnë në të ardhmen zhvillimin ekonomik. 
Sigal