FILOZOFIA E QEVERISË PËR LIGJET E PRONAVE

247
Duke dëgjuar përfaqësuesin e zellshëm të qeverisë, zotin Alket Hyseni në emisionin “Të pa ekspozuarit”, më datën 12 tetor, u ndjeva ngushtë ndaj vendosa të shpreh publikisht mendimet e mia në lidhje me argumentet që ai solli në studio.

1 – Ai këmbënguli me forcë, se qeveria e tij do që prona të shkojë tek i zoti, madje garantoi se do të shkojë patjetër!
Mua më lindin disa pyetje, përgjigjen e të cilave do t’i kërkoja prej tij:
A e ka lexuar ai ligjin nr.133/2015?
Kë quan Ai “i zoti i pronës”, pronarin para vitit 1945, pronarin e ri të krijuar nga politika e tranzicionit, apo pronarin – absolut, shtetin që i rrëmben pronat me forcë (vjedhje me ligj)?

2 – Ai sqaroi se qeveria do të krijojë fondin e tokës, me qëllim që të kompensojë pronarët, ndryshe – tha ai, qeveria nuk ka ku i gjen tokat për të bërë kompensimet.
Pyetjet e reja që më lindin, janë:
Qeveria kërkon të gjejë pronat e shtetit, të rrëmbyera me dokumente false apo kërkon të mbushë tepsinë me pronat e popullit, dosjet e të cilave po i mban peng në A.T.P. qysh prej 27 vjetësh?
Zoti Hyseni komandoi grupin e Task – Forcës (të krijuar në korrik 2014, me 9 anëtarë) për të gjetur abuzimet e bëra me pronat e shtetit apo për të regjistruar me statusin juridik ”SHTET” të gjitha pronat private që janë akoma objekt i kërkesave të pronarëve në dosjet pranë A.T.P. -së?
Po grupi ndër- institucional që u krijua nga qeveria më 24 shkurt 2015, me 13 veta dhe që udhëhiqej nga zëvendës ministri i zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, çfarë raportoi në qeveri në fund të muajit Maj 2015? 
Pse nuk u bënë publike rezultatet se sa prona regjistruat në favor të shtetit?
Është në dijeni ai, që gjithë kullotat bregdetare, objekt kërkese nga pronarët në A.T.P., kanë marrë statusin juridik: “SHTET”?
A mund të më përgjigjet publikisht se në cilin nen të kushtetutës apo të kodit civil mbështetet ky veprim regjistrimi, duke mos pas një vendim gjykate të rregullt?
A mos vallë ky veprim përbën shkelje penale dhe është objekt padie në prokurori?
Në qoftë se ky veprim do futet në linjën e hetimit, a mund të justifikohet ai me faktin se i dha urdhër kryeministri ndërkohë që bie në kundërshtim me ligjet? Kryeministri nuk është jurist, aq di apo, aq i duhet të dijë sepse atë qëllim ka, po specialistët zbatues si do përgjigjen?
Topi është i rrumbullak, kësaj i thonë: – vjedhje shtetërore.
Është fakt se sot, gjithë kullotat bregdetare nga Veriu në Konispol, janë regjistruar me urdhër si prona shteti. Kjo ndodh vetëm në komunizëm! Karaburuni nuk ka qenë kurrë pronë shteti, sot gjithë kullotat figurojnë shtetërore! Aty bën pjesë edhe prona e Paskal Nesturit që u ekspozua në emisionin e datës 12 tetor “Të pa ekspozuarit”. Paskali është nip në fisin Mëhillaj të Palasës, me origjinë të largët nga Mëhillajt e Dukatit dhe prona e tij vjen nga ajo origjinë.

3 – Zoti Alket tha se kryeministri bën konsulta me botën akademike dhe me pedagogët e juridikut për pronat, ai e ka seriozisht këtë problem.
Pyetjet që më lindin mua janë: Po grupet e interesit, a i ka dëgjuar ndonjëherë zoti kryeministër? A e di Ai se ekzistojnë mbi 10 shoqata që ulërijnë për pronat qysh prej 27 vitesh? A e ka seriozisht të çojë pronat tek i zoti apo tek më i forti? A mund të bëni publike komplet propozimet drejtuar qeverisë në fund të punës, të grupit Task – Forcë që drejtonit? A e dini ju se zgjidhjet që propozojnë grupet e interesit, janë shumë të favorshme për buxhetin, për shmangien e korrupsionit dhe për qetësinë sociale? A e dini ju se rruga në të cilën ecën qeveria juaj për pronat, është anti kushtetuese, anti ligjore, korruptive, konfliktuale, vëllavrasëse, bllokuese për integrimin, në kundërshtim me të drejtat e njeriut, pra është rrugë pa krye (qorre)?

4 – Zoti Alket shprehu edhe një mendim në lidhje me legalizimet në Himarë. Ishallah e kam kuptuar gabim, por më tingëllon, sikur në Himarë do të bëhen legalizime pronash edhe kur nuk ka dokumente të rregullta, sipas deklarimeve e dëshmive!
Dua ta pyes zotin Alket: E kishte fjalën vetëm për ndërtimet pa leje apo edhe për troje e kullota? Mos vallë do veprohet ndryshe në Himarë nga pjesa tjetër e vendit, sikurse ndodhi me ligjin 7501 që u veprua me dy standarde? Mos vallë gjendet në kushtetutë ndonjë pikë që përligj veprime si ai që zbaton qeveria në kthimin e pronave të kulteve, ku atyre u kthehet prona fizikisht ndërsa popullit i mohohet kjo e drejtë, megjithëse subjekti që mban në këmbë kultet është populli?

Çudirat nuk kanë të sosur me qeveritë tona!
Tema e pronave në Shqipëri është sa e madhe dhe e vështirë, por qeveria, që pretendon ta zgjidh përfundimisht, po e mpleks akoma më keq. Arsyeja që ka arritur në këtë pikë, është fakti i pamohueshëm se qeveritë shqiptare, problemin e pronave tona, janë gati ta diskutojnë edhe me kinezët, rusët e afrikanët, por asnjëherë me grupet e interesit, me pronarët. Vullneti politik për ta zgjidhur nuk ekziston. Ka vetëm vullnet politik për ta mbyllur si problem, që ti thuhet botës se e “zgjidhëm” edhe këtë çështje. Kjo gjë vërtetohet edhe nga vetë emri i institucionit: dikur A.K.K.P. (agjencia e kthimit e kompensimit të pronave) kurse tani quhet A.T.P. (agjencia e trajtimit të pronave). Është hequr përfundimisht fjala kthim. Në ligjin nr. 133/2015, fjalët 
kthim fizik i pronës janë zëvendësuar me fjalët kompensim fizik i pronës. Ky veprim realizohet sipas vlerës dhe zërit kadastral të vitit 1945 për pronarin, në raport me vlerës dhe zërin e sotëm kadastral për shtetin! Kjo do të thotë se nga prona jote 1000 m2, mund të arrish të marrish deri 30 m2. Përmendja e fjalës kompensim fizik në këtë ligj, është vetëm mashtrim. Si të gjithë ligjet që ndërtohen në botë, edhe ky ligj, është ndërtuar në funksion të vullnetit politik, me synimin të mos kthejë as prona as para.
Po të bëjmë një analizë të historikut të ligjeve të pronave në vendin tonë, konstatojmë se:
Reformën agrare të vitit 1946, statusin e kooperativave bujqësore (me detyrim) dhe kushtetutën e vitit 1976 (shtetëzimi total i tokave), i bëri partia e punës. Ligjin 7501/1991 e bëri partia socialiste e cila kishte shumicën parlamentare, me pasoja që dihen deri 8500 të vrarë për pronat, e vazhdon. Ligjin për legalizimin e ndërtimeve pa leje, në pronën e tjetrit e pranoi dhe e përsosi partia socialiste. Ligjin 133/2015 për kompensimin e pronave, e bëri partia socialiste. Ky ligj shtetëzon edhe kullotat e fshatarëve dhe tallet me pronarët me pretendimin se do ju bëjë kompensim financiar sipas zërit kadastral dhe vlerës së vitit 1945.
Ligjin nr.93/2015 për turizmin, duke shpallur atë “interes publik”, e bëri partia socialiste. Ky ligj fut duart në pronat private duke i shpronësuar pronarët me detyrim. Të gjithë ata që kanë sy të lexojnë, kanë mendje të gjykojnë dhe kanë vullnet të flasin drejt, e dinë mirë se çfarë po diskutojmë! Populli ka një shprehje: “rri shtrembër, por fol drejt”. Qeveritë e djathta tek ne, kanë lënë shumë kusure, ata shkatërruan ekonominë e trashëguar, privilegjuan dhe pasuruan militantët e vet, krijuan korrupsion e shumë të tjera, por ata nuk kanë bërë asnjë ligj kundër pronarëve! Dakordësia me votat e shumicës në ndonjë rast, nuk i rëndon ata aq sa shumicën e cila është hartuese, vendimmarrëse dhe ekzekutuese e kësaj katastrofe me pronat në Shqipëri. Thamë se çdo ligj është rezultat i një filozofie që mbart shumica drejtuese. Faktet e mësipërme tregojnë se filozofia socialiste për pronat është vazhdimësi e doktrinës komuniste për ndërtimin e shtetit. Kjo tregon se inteligjenca shqiptare në tërësi dhe në veçanti ajo socialiste, nuk është e përgatitur të përqafojë filozofinë kapitaliste për drejtimin ekonomik të shtetit. Një komb nuk bëhet dot pjesë e popujve të qytetëruar e demokratik dhe as nuk arrin dot në kapitalizëm, për sa kohë që elita e tij drejtuese godet vazhdimisht nenin bazë që mban në këmbë kapitalizmin, “të drejtën e shenjtë të pronës private:. “Ushtarët shembullorë” të qeverisë, si puna e Alket Hysenit që nuk lënë rast pa u future nën “hijen e kapelës”, i sjellin një shërbim të madh vetëm familjes së tyre, por i bëjnë një dëm shumë të madh kombit sepse mbajnë hapur portën e korrupsionit. Këta njerëz, vetëm intelektualë nuk mund t’i quash. Unë nuk e di çfarë profesioni ka zoti Hyseni, por di mirë se “sa i përkushtuar” ka qenë ai në punë, duke ndenjur edhe 16 orë në ditë në sediliet e fuoristradave të antikontrabandës doganore, për t’u përshëndetur edhe me biznesmenin e fundit që dilte nga dogana. Sa më shumë njoh “intelektualë” të tillë, aq më shumë bindem se këtij kombi, e keqja i ka ardhur gjithmonë nga djemtë e vet harram! Duke ecur në këtë rrugë, ne nuk do bëjmë kurrë prokopi. Politikanët tanë nuk e “lënë” interesin personal në shtëpi kur nisen për në zyrat e popullit, por e kanë udhërrëfyes të punës ditore.
Anëtare e Shoqatës “Krahina Jonë” D.T.R.O.
Ervehe Zotaj