Filmi serb mbi Kosovën shkakton tensione të reja

923
Zyra e kryeministrit të Kosovës e ka dënuar si ofendues një film dokumentar serb që sulmon kërkesën e Prishtinës për t’iu bashkuar organit kulturor të Kombeve të Bashkuara UNESCO-s.
Autoritetet e Kosovës kanë dënuar një film të ri, të prodhuar nën sponsorizimin e qeverisë serbe, që sulmon kërkesën e Prishtinës për t’iu bashkuar UNESCO-s.
Zyra e kryeministrit e quajti “Një moment në civilizim” një gjest ofendues, i krijuar posaçërisht për të dëmtuar përpjekjet e saj për t’iu bashkuar organit të OKB-së.
“Shfaqja e një filmi dokumentar me përmbajtje fyese për Kosovën përpara ambasadorëve të vendeve anëtare të UNESCO-s në Paris është pjesë e një përpjekje të vazhdueshme për të denigruar shtetin e Kosovës,” tha të dielën zyra e kryeministrit.
Filmi, i shfaqur në Qendrën Kulturore Serbe të premten në Paris, fokusohet në trashëgiminë kulturore serbe në Kosovë – dhe trajtimin e kësaj trashëgimie nga ana e Kosovës – si pjesë e një fushate më të gjerë për të mos e lejuar Kosovën t’i bashkohet UNESCO-s.
Zyra e qeverisë serbe për Kosovën mbështeti xhirimin e dokumentarit.
Zyra e kryeministrit të Kosovës kundërshtoi gjithashtu idenë që monumentet dhe kishat serbe në Kosovë ishin pronë serbe.
“Ndërtesat fetare dhe kulturore në Kosovë janë pjesë e trashëgimisë së vendit dhe nuk mund të tjetërsohen. Ato i përkasin shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Vetëm qytetarët dhe institucionet e Kosovës kanë të drejtë të vendosin mbi pronën e Kosovës,” tha ajo.
Pasi nuk arriti të merrte vota të mjaftueshme nga vendet anëtare të UNESCO-s për t’u bashkuar në 2015, qeveria e Kosovës po bën përgatitjet për një kërkesë të mundshme të dytë këtë vit.
Megjithatë, Serbia kundërshton të gjitha lëvizjet nga ish-provincat e saj, pavarësinë e të cilës nuk e njeh, për t’iu bashkuar organeve ndërkombëtare.
Kisha Ortodokse Serbe pretendon se 176 manastire dhe kisha janë djegur ose shkatërruar në Kosovë që kur Serbia u detyrua të tërhiqej nga provinca e atëhershme në vitin 1999.
Shumë prej këtyre sulmeve ndodhën në trazirat e marsit 2004, kur rreth 30 kisha u dogjën në trazirat kundër serbëve.
Që atëherë, mbrojtja e kishave dhe manastireve ortodokse ka kaluar nga paqeruajtësit e NATO-s tek policia e Kosovës.
Megjithatë, shumë në komunitetin serb ankohen se monumentet e tyre kulturore dhe fetare nuk janë në duar të sigurta.
Kreu i zyrës serbe për Kosovën, Marko Djuriç, e quajti reagimin armiqësor nga Prishtina “çmimin e parë të madh” për filmin.
“Ne do të vazhdojmë të mbështesim projekte që tregojnë të vërtetën rreth trashëgimisë tonë në Kosovë”,- tha Djuriçi për agjencinë e lajmeve të Serbisë, Tanjug, të dielën duke uruar ekipin që e realizoi filmin.
Producenti dhe autori i filmit, Boris Malagurski, njihet në Serbi për fushatën e tij “#JoKosovëUnesco”.
Ai shkroi në Twitter në reagim ndaj debatit se ai “do të organizojë që filmi të shfaqet në burg” për kryeministrin e ri të Kosovës, Ramush Haradinaj, duke iu referuar pretendimit të Serbisë se ish-lideri guerilas Haradinaj është një kriminel lufte./BIRN/
Sigal