Fillojnë punimet për hapjen e thellësisë, Pusi Numër 9

644
Sigal

AlbChrome investon 20 milionë dollarë në Minierën e Kromit Bulqizë

Ditën e Mërkurë u organizua ceremonia e fillimit të punimeve për zhvillimin e thellësisë, hapjen e Pusit numër 9, në Minierën e Kromit në Bulqizë. Investimi i kompanisë AlbChrome, pjesë e Grupit “Balfin”, është ndër investimet më të mëdha në sektorin minerar jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin e Ballkanit. Shuma që do të investohet në këtë projekt është 20 milion dollarë dhe do të bëjnë të mundur shfrytëzimin e 2.126.800 ton rezerva gjeologjike mineral kromi.

Të pranishëm në ceremoninë e fillimit të punimeve ishin edhe përfaqësues të  qeverisë, Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj, si edhe Presidenti i Grupit Balfin, z. Samir Mane.

Pusi Numër 9 do të përshkojë nëntokën në një distancë prej 600 metrash, duke filluar në kuotën 420 metra mbi nivelin e detit e duke përfunduar në kuotën 180 metra nën nivelin e detit. Realizimi i këtij projekti i hap rrugën zhvillimit të mëtejshëm të minierës për të arritur deri në kuotën 250 metra nën nivelin e detit. Sipas përllogaritjeve paraprake të ekspertëve mendohet se nga masa totale e rezervës gjeologjike, 1.164.800 ton është sasia e nxjerrshme. Minerali që do të arrihet është me cilësi 41.52% Cr2O3.

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AlbChrome, z. Luan Saliaj

Në fjalën e tij Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AlbChrome, z. Luan Saliaj, pasi falenderoi të pranishmit u shpreh në lidhje me këtë projekt madhor se “Investimi që po fillon sot është në themel të gjithë punës tonë, e cila ka filluar dhe do të vazhdojë sipas programit të përcaktuar edhe në drejtim të pasurimit, shkrirjes së mineralit të kromit dhe tregtimit të tij në formën e ferrokromit “Made in Albania”. Në këtë mënyrë do të ketë më shumë punësim dhe të ardhura për komunitetin, shoqërinë minerare, pushtetin lokal dhe gjithë vendin.”

Më tej ai vazhdoi: “Ky investim është nisma më e rëndësishme për zhvillimin e Minierës së Bulqizës dhe  njëkohësisht edhe një sfidë për Grupin BALFIN që mori vendimin e rëndësishëm për ta bërë realitet, atë që është kërkuar në më shumë se 15 vjet për rritjen e rezervave dhe kohëzgjatjen e ekzistencës së kësaj miniere.”

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj, deklaroi se “Ekziston pra, një formulë ku nuk fiton vetëm biznesi, shteti apo vetëm punëtorët, por ka mundësi të fitojnë të tre: Edhe biznesi të bëjë një punë të pastër e të jetë i suksesshëm; edhe punëtorët të paguhen me rroga dinjitoze, por edhe shteti të marrë atë që i takon”. Ai falenderoi kompaninë Albchrome, si pjesë e Grupit Balfin, për investimin në zonën e Bulqizës, ku përveç sigurimit të vendeve të punës për punonjësit aktualë, me hapjen e Pusit Numër 9 do të krijohen edhe vende të reja pune.

Projekti për hapjen e pusit nr.9

Punimet për hapjen e Pusit Numër 9 janë parashikuar që të përfundojnë brenda një periudhe 20 mujore. Ky projekt është miratuar nga institucionet e specializuara në fushën e veprimtarisë minerare, për të vijuar më tej zbatimin në terren. Për punimet e Pusit Numër 9 është kontraktuar nga ana e AlbChrome një nga kompanitë më prestigjioze në industrinë minerale, “Wenzhou Mine Working Engineering Co Ltd”. Kjo kompani do të realizojë edhe instalimin e makinerive dhe të pajisjeve të nevojshme për punën e minatorëve.

Fillimi i punimeve për realizimin e projektit të Pusit Numër 9 shënon edhe një mundësi të re për të gjithë zonën e Bulqizës. Përveç sigurimit të vendeve të punës për punonjësit aktual edhe për disa vite në vazhdim, pas hapjes së Pusit Numër 9 do të krijohen mundësi për më shumë vende të reja pune.

Ky investim i AlbChrome siguron jetëgjatësinë e minierës por njëkohësisht edhe mundëson rritjen e prodhimit vjetor të kromit deri në 80.000 ton. AlbChrome është një kompani 100% e zotëruar nga Grupi Balfin, grupi më i madh në Shqipëri. Pjesë e Grupit Balfin janë edhe kompani të tjera të suksesshme në Shqipëri dhe në rajonin e Ballkanit si Neptun, Mane TCI, Tirana Logistic Park, QTU, TEG, etj.

o          20 milion dollarë është parashikuar investimi për projektin e Pusit Numër 9

o          Është ndër investimet më të mëdha në sektorin minerar i kohëve të fundit në Europë

o          Për 20 muaj përfundon realizimi i projektit

o          Rritet jetëgjatësia e minierës

o          1.164.800 ton rezerva kromi të nxjerrshme parashikohet që të arrihet pas investimit

o          Pas këtij investimi prodhimi mesatar vjetor do arrijë deri në 80.000 ton

o          Pusi numër 9 do të jetë 600 metra dhe do arrijë kuotën 180 metra nën nivelin e detit