Fillojnë arrestimet për dhunën në derbin Tirana – Partizani, i pari në pranga

464
Sigal

Policia ka filluar arrestimet për dhunën që ndodhi në derbin Tirana – Partizani. I pari që ka rënë në pranga është një person që kishte thyer arrestin e shtëpisë, Elton Bande, 29 vjeç, nga Tirana. Dy persona të tjerë janë në kërkim.

Elton Bande sipas Policisë ka prishur rendin dhe qetësinë duke u përleshur me tifozët e Partizanit, përveçse ka thyer arrestin shtëpiak.

Policia njoftoi se janë  proceduar 9 persona për aktet e dhunës gjatë ndeshjes së futbollit Tirana-Partizani, zhvilluar ditën e djeshme në stadiumin “Selman Stërmasi”, ndër ta, i arrestuari . Dy prej tyre janë shpallur në kërkim dhe 6 janë proceduar në gjendje të lirë.

Komisariati Nr. 2, në bashkëpunim me shërbimet e forcës së posaçme “Shqiponja” dhe “Shigjeta”, bënë arrestimin në flagrancë për veprat penale “Prishja e qetësisë publike”, “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, i shtetasit E. B., 29 vjeç, banues në Tiranë.

E.B., gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit Tirana-Partizani ka prishur rendin dhe qetësinë publike dhe është konfliktuar me tifozët e Partizanit. Nga verifikimet e bëra ky shtetas rezultoi me masë sigurie “Arrest shtëpie”, të cilën e kishte thyer duke dalë nga banesa.

Janë proceduar penalisht në gjendje të lirë për “Mosbindje ndaj urdhërit të punonjësit të policisë”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe radioaktive”, shtetasit: M. M., 22 vjeç, banues në Tiranë;  A. M., 19 vjeç, banues në Tiranë; Th. B., 25 vjeç, banues në Tiranë; B. L., 46 vjeç, banues në Tiranë; G. Q., 28 vjeç, banues në Tiranë; E. B., 29 vjeç, banues në Tiranë.

Këta tifozë, gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit Tirana-Partizani kanë hedhur në fushë lëndë piroteknike.

Janë shpallur në kërkim dhe dy tifozë për veprat penale për “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe radioaktive” “Dëmtime të tjera me dashje”, “Prishja e qetësisë publike”, të cilët gjatë zhvillimit të ndeshjes janë konfliktuar me tifozët e Partizanit. G

Gjithashtu dyshohet se këta dy persona, gjatë natës, përballë tribunës ku ishin ulur, kishin hapur tre gropa, të cilat i kishin mbushur me një sasi lënde piroteknike me menkanizëm me ndezje elektrike.

Materialet procedurale iu referuan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.