Filip Gjoka: Mbroni eksportet shqiptare!

1380
Sigal

Presidenti i Shoqatës së Indus trisë së Bimëve Mjekësore dhe Aromatike të Shqipërisë(IBMA), z. Filip Gjoka në një intervistë për gazetën “Telegraf” shprehet për gjendjen aktuale të rënies së Euros dhe pasojat e saj në eksportin e bimëve medicinale.

– Z. Gjoka, përse dje dolët në një konferencë për shtyp lidhur me zhvlerësimin e euros?

IBMA përfaqëson 83 për qind të forcës grumbulluese, përpunuese dhe eksportuese të një industrie që me aktivitet sezonal punëson 90 mijë qytetarë nga zonat më të varfra dhe të pazhvilluara të vendit, si Librazhd, Has, Kukës, Delvinë, Përmet, Tepelenë, Malësi e Madhe, etj., me një kapital të instaluar(fabrika, makineri, pajisje,etj.) mbi 50 milionë euro dhe eksporte vjetore rreth 45 milionë euro. Jemi shumë të shqetësuar nga zhvlerësimi i ndjeshëm i euros në tregun tonë dhe gjykojmë se duhet të bashkojmë forcat, si qeveria, banka qendrore, Banka e Shqipërisë, ashtu dhe komuniteti i biznesit, sidomos sipërmarrjet që eksportojnë. Vendet e tjera edhe në rajon, por edhe vendet e zhvilluara si SHBA, Japoni, Zvicër, etj., njohin raste të ngjashme nga mbivlerësimi i monedhës së tyre, për SHBA në vitet 2007-2009, për Japoninë në vitin 2012, për Zvicrën në vitin 2011. Këto vende kanë prodhuar paketa të përkohshme fiskale në ndihmë të industrive të tyre eksportuese, ndërsa bankat e tyre qendrore kanë ndërmarrë politika monetare që dobësojnë raportin e këmbimit të monedhave të tyre.

– Sipas jush, çfarë masash duhet të ndërmarrë qeveria jonë?    

Gjendja është pa dyshim alarmante. Nga rënia e fortë e vlerës së këmbimit të euros me lekun në tregun shqiptar(nga 140 euro një lek tre vjet më parë në 126.7 euro sot, ose 9.5 për qind), industria e bimëve mjekësore dhe aromatike të Shqipërisë, si të gjitha industritë eksportuese të vendit, është në kushte shumë të vështira. Ndodhemi në pamundësi për të rritur çmimin, pasi humbasim tregun nga konkurrenca shumë e fortë e vendeve fqinje me ne. Në një situatë të ngjashme janë edhe fasonistët. Ne e ftojmë Qeverinë të ulet me ne dhe së bashku të gjejmë rrugët dhe mënyrat për të ndihmuar eksportet shqiptare të mbijetojnë dhe rriten. Dhe kur them eksportet, në radhë të parë bëhet fjalë për sipërmarrjet e afirmuara. Lajmi i fundit është që kanë vendosur të përjashtojnë nga pjesëmarrja në projektet e IPARD(Programit të mbështetjes së Bashkimit Evropian për zhvillimin rural) sipërmarrjet me më shumë se 1.9 milion euro kapital, në një kohë që Maqedonia nuk ka asnjë kufizim, kurse vendet e tjera përfituese nga Programi kufizojnë kompanitë me mbi 5 milionë euro kapital. Ngre pyetjen, përse duhet ky diskriminim për sipërmarrjet e suksesshme shqiptare të eksportit?

– Keni ndonjë propozim konkret?

Po. Propozojmë përgatitjen dhe miratimin nga Qeveria të një pakete të përkohshme me masa lehtësuese dhe favorizuese për industritë që eksportojnë, si ulja deri në zero e tatimit mbi fitimin për një periudhë 6 muaj deri një vit, për të gjitha industritë eksportuese, derisa raporti i këmbimit të lekut me euron në tregun vendas të kthehet në nivele jo shkatërruese. Me këtë masë, Buxheti i Shtetit mund të mos arkëtojë për një vit dhe të humbi afro 10 milionë euro të ardhura, por evitojmë që ekonomia e vendit dhe punësimi të humbasin 5-6 herë më shumë në tkurrje eksportesh, ulje drastike të kapaciteteve prodhuese dhe shkurtim të ndjeshëm të vendeve të punës. Propozojmë ndalimin e praktikës së “vizitave” tatimore, me inspektorë në një pjesë të konsiderueshme gjobëvënës, që qëndrojnë në kompaninë që kontrollojnë 3-6 muaj, duke i sjellë asaj dhe të gjithë sektorit jetik të eksporteve kosto shtesë në kohë të humbur, pagesa nën dorë dhe stres. Kërkojmë t’i thuhet stop vendosjes së gjobave të paligjshme dhe jo proporcionale me aktivitetin, të bazuara në injorancën dhe makutërinë e inspektorit tatimor të radhës, si një praktikë shumë e rrezikshme që nxit korrupsionin galopant në radhët e administratës publike, duke e detyruar biznesin të rendë pas gjyqeve pafund, në kërkim të së drejtës së tij të nëpërkëmbur.

– Përse e përfshini Bankën e Shqipërisë në këtë veprim që propozoni?

Në çdo vend të zhvilluar apo në rajon, sa herë industritë e eksportit dëmtohen ndjeshëm nga një monedhë kombëtare e mbivlerësuar, banka qendrore ndërhyn me politika lehtësuese monetare. Ka ndodhur një vit më parë në Serbi, po ndodh tani që flasim edhe në Maqedoni. Në vendet e zhvilluara që përmenda pak më lart, lëvizjet monetare për dobësimin relativ të monedhës vendase janë të diktuara nga nevoja për mbrojtjen e interesit kombëtar, që është ruajtja dhe zhvillimi i eksporteve. Urojmë që kjo gjë të ndodhë edhe tek ne. Që banka jonë qendrore të ndërhyjë në tregun e këmbimit, brenda mundësive dhe pa rrezikuar deformime, për të dobësuar përkohësisht pozitat e lekut, njëlloj sikurse kane vepruar simotrat e saj në rajon, apo më gjerë në Evropë dhe botë.

– Mendoni se Qeveria dhe Banka e Shqipërisë do ta dëgjojnë thirrjen tuaj?

Ne jemi këtu për të sensibilizuar dhe tërhequr vëmendjen. Eksportet janë një balancë shumë e çmuar. Ato kontribuojnë në përmirësimin e bilancit tregtar të vendit, i cili ndikon në mbajtjen e ekuilibrave makro-ekonomikë. Eksportet shikohen nga FMN dhe Banka Botërore si rruga më e sigurt, në mos e vetme, për përmirësimin e produktivitetit dhe rritjen e vlerës së shtuar në ekonominë jo vetëm shqiptare, por edhe atë rajonale. Ato konsiderohen edhe si një kundërmasë e efektshme në zbutjen e hendekut të madh që do të krijojë në ekonominë tonë përfundimi i dy investimeve të mëdha të huaja direkt, Gazsjellësi TAP dhe hidrocentralet mbi lumin Devoll, gjatë vitit të ardhshëm.

Si industri eksportuese, por dhe në tërësi si të gjitha eksportet shqiptare, i kemi mbijetuar krizës botërore financiare dhe ekonomike të viteve 2008-2012. Jemi të bindur që, duke mos lejuar ngushtësi këndvështrimi, apati dhe indiferencë të anëtarëve të kabinetit qeveritar, Kryeministri dhe Qeveria, së bashku me Bankën e Shqipërisë, do të na ndihmojnë ta kapërcejmë edhe këtë situatë të vështirë që po kalojmë sot, në dobi, në radhë të parë, të atyre dhjetëra mijëra familjeve të varfra të zonave të thella malore të vendit, të cilat grumbullimin dhe përpunimin e bimëve mjekësore dhe aromatike për eksport e kanë alternativën kryesore për mbijetesë.

– Ju faleminderit!

Intervistoi: Esmeralda Pirra