Filiali i postës Sarandë, investime për sezonin e ri turistik “Verë 2019”

667
Sigal

Ashtu si dhe qe parathënë e deklaruar nga drejtuesit e Postës shqiptare dhe të Filialit të Sarandës, këtë fillimjavë kanë nisur investimet në përmirësimin e kushteve të mjediseve të këtij filiali. Në një kohë kur politika shqiptare është në ngërç dhe krizë dhe shumicën i kanë përfshirë ethet elektorale, ky institucion po përgatitet seriozisht për sezonin e ri turistik që pritet të përballojë këtë vit Saranda. Drejtori i këtij filiali, z. Filip Xuxi, thotë se tanimë premtimi po kthehet në realitet, falë dashamirësisë së drejtorit të përgjithshëm të Postës Shqiptare zotit Laert Duraj, i cili bëri të mundur këtë investim prej 150 milionë lekësh. Dhe siç e shikoni investimi në rikonstruksionin e mjediseve të Filialit të Sarandës kanë filluar. Ky investim me rikonstruksionet infrastrukturore do të përfshijë zyrat e shpërndarjes së pensioneve si dhe zyrën qendrore ku kryhen të gjitha shërbimet postare. Kjo synon krijimin e kushteve bashkëkohore në mjediset ku u shërbehet qytetarëve, turistëve vendas dhe të huaj me një ambient të kondicionuar, komoditet infrastrukturor me synimin e largimit të radhëve nëpër sportele, por me shërbim kohor ndaj klientit. Tanimë klienti merr një numër dhe në kushtet e komoditetit që i ofrohen do të kryejë të gjitha shërbimet e nevojshme pa u rënduar nga qëndrimi në këmbë, temperaturat e ngrohta apo të ftohta të motit. Në të njëjtën kohë ky investim prek edhe fasadën e postës me lyerje, tabelat e shërbimeve dhe reklamat e ofertave. Të gjitha këto investime të saponisura pritet të përfundojnë në prag të çeljes së sezonit të ri turistik “Verë 2019”, duke i ardhur në ndihmë jo vetëm klientit, por edhe turistëve vendas dhe të huaj në fuqizimin dhe përsosjen e shërbimit turistik i cili po kthehet në një industri jetike për qytetin. Ky investim nuk do të stacionohet vetëm në godinën qendrore të filialit, por edhe në rikonstruksionin e shërbimeve postare të Ksamilit, Livadhjasë, Borshit, Delvinës dhe Finiqit. Rritja e cilësisë së shërbimit kërkon edhe investime dhe ato sa kanë nisur për të përfunduar në fund të muajit maj. Agron MEMA