Fijet e skandalit belg mbërrin në Kryeministri

524
Në Belgjikë sapo ka ka shpërthyer një skandal në lidhje me një tender që implikon dhe ka lidhje me nismën e kryeministrit shqiptar, Rama, “Atelier Albania”. Peter Swinnen, arkitekti zyrtar i qeverisë Flamande në Belgjikë, i cili e shpalli tenderin, është shkarkuar nga detyra, pas dyshimeve për abuzime me të. Në qendër të kritikave është edhe Patrick Janssens, fituesi i tenderit, një tjetër person që dyshohet se, ka lidhje me kryeministrin, Rama. Në shtypin belg është shkruar se, përzgjedhja e Shqipërisë për realizimin e disa projekteve belge nuk ishte e rastësishme, pasi Swinnen ka lidhje të forta me qeverinë shqiptare. Më datë 27 shkurt 2014, Peter Swinnen, drejtues i Qendrës së Arkitektëve Flamandë, që këshillon Qeverinë Flamande, shpalli tender lidhur me një studim fizibiliteti për realizimin e projekteve në Shqipëri. 
Tre ishin kompanitë që konkurruan për këtë studim.: 1) AWB, 2) B-ild Architecten dhe 3) Centrum voor Stadsontwikkeling CVBA. Kompania e fundit është ajo e Patrick Janssens, i cili së bashku me ortakët e tij, ka fituar kontratën prej 31.097 eurosh.
Raport i Auditimit Financiar të Qeverisë 
Por, një raport i Qendrës së Auditimit Financiar të Qeverisë Flamande nxori në pah, se informacioni paraprak që shpallësi i tenderit, Peter Swinnen i ka dhënë fituesit të tenderit Patrick Janssen, ka krijuar një garë të pandershme. Si rrjedhim, fituesi ka qenë i favorizuar, në mënyrë të padrejtë. Për këtë arsye, Peter Swinnen është shkarkuar nga detyra dhe, sipas shtypit belg, ndaj tij dhe mund të fillojë një hetim penal. “Vendimi për të shkarkuar Swinnen është marrë në bazë të një raporti nga Qendra e Auditimit të Qeverisë Flamande” është shprehur zëvendëskryeministrja e Qeverisë Flamande, Liesbeth Homans. Raporti i auditimit provoi se për tenderimin kishte konflikt interesi, pasi ishte Swëinnen ai që hodhi idenë, nëse kompania e Qendrës së Arkitektëve Flamandë mund të realizonte projekte edhe në Shqipëri, gjë që u kundërshtua nga anëtarë të tjerë të saj.
Artikulli i gazetës presigjioze belge “De Morgen”
Sipas gazetës presigjioze belge “De Morgen”, në një artikull të titulluar «Afera në Shqipëri largon arkitektin belg», thuhet se zgjedhja e Shqipërisë nuk ishte e rastësishme.“Kompania 51N4E, e bashkë-themeluar nga arkitekti Peter Swinnen, shpallësi i tenderit, ka lidhje te forta me Qeverinë Shqiptare» thuhet në artikullin e kësaj gazete. «Për më tepër, tenderi u fitua nga “Qendra për Zhvillimin Urban” nga Patrick Janssens, i cili në atë kohë kishte qëndruar një javë në Shqipëri, gjë që ngjalli dhe me shumë dyshime”, shpjegohet në shkrim. 
Sipas raporti të auditimit, Janssens ka vizituar Shqipërinë më 20 shkurt 2014, një javë para se te shpallej tenderi për projektin në Shqipëri nga Peter Swinnen, që ishte i pranishëm në nisjen e “Atelier Albania”.
Lidhjet e kompanisë me kryeministrin shqiptar
Kompania 51N4E, e bashkëthemeluar nga Peter Swinnen, shpallësi i tenderit për nismën ”Atelier Albania”, ka qene nje nga kompanitë arkitekturore më të rëndësishme për kryeministrin. Kjo kompani ka bërë projektin per Sheshin “Skenderbej”. Po ashtu, fituesi i tenderit të projektit të “Lungo Mares” në Vlorë, u shpall në 21 shkurt 2014, Xaveer de Geyter, me studion “XDGA”. Vetëm disa muaj më pas, në korrik të 2014, u evidentua, se projekti kishte probleme.
Xaveer de Geyter ka qenë pjesë e komisionit vlerësues për projektin e Sheshit “Skënderbej” dhe i njohur i Peter Swinnen. Xaveer de Geyter rezulton gjithashtu se ka redaktuar manualin për kompaninë 51N4E. Në jurinë ndërkombëtare për përzgjedhjen e projektit të “Lungo Mares” ka qenë edhe fituesi i tenderit për nismën ”Atelier Albania”, Patrick Janssens. Janssens nuk është një i panjohur për Edi Ramën. Ai duket se është njohur me të gjatë kohës që ka mbajtur postin e kryetarit në Partinë Socialiste Flamande në Belgjikë, si dhe kur drejtonte për shumë vite bashkinë e qytetit të Antwerpen, bashkia më e madhe në vend.
Reagimi i Peter Swinnen
Vetë Petër Swinden deklaron se, “prej 6 muajsh njerëz të caktuar kanë qenë në gjurmim dhe kërkim të informacioneve dhe gjërave kundër tij”, duke e cilësuar historinë e largimit të tij, si një politikë të modës së vjetër. Gjithçka ka ndodhur me projektin shqiptar, sipas Swinden, lidhet me ambicien e tij për të patur një ekskluzivitet flamand, jashtë vendit. “Unë nuk kisha aksione në kompaninë fituese në Shqipëri, ndërsa auditi financiar nuk ka nxjerrë konflikt interesi”. Sipas Swinden gjithçka ka ndodhur është e trilluar kundër tij.
Sigal