Fijet e hetimit për rrugët dhe urat shkojnë deri te Xhika dhe Haxhinasto

89
Shirat e ditëve të fundit, i kanë nxjerrë “kallain” rrugëve, duke nxjerrë zbuluar pazaret me tenderat, firmat dhe forndet e investimeve në infrastrukturë. Çarja e dhjetra akseve rrugore, shembja e dhjetra urave (vetëm në qarkun e Elbasanit 16 ura të shembura) ndërprerja e investimeve në disa akse rrugore, do të jenë prej ditës së hënë abjekti i Prokurorisë. Burime nga ky organ i thanë “Telegraf” se “nisur nga ngjarjet e fundit, që lidhen me pasojat e rënda në disa akse rrugore si pasojë e motit të rënduar, kemi informacione se qarku i Elbasanit mbetet ndër më të prekurit përsa i përket dëmeve kolosale në rrugë, ura, kanalizime, rrjetin e ujësjellësit dhe telefonisë, ndaj kemi ngritur një grup të madh hetimor që do të verifikojë, kontrollojë dhe penalizojë cilindo që ka shkelur ligjin”. Mësohet se hetuesit do të zbarkojnë edhe në ARRSH dhe Ministrinë e Transporteve për të marrë dosjet dhe dokumentacionin e tenderimeve të rrugëve dhe investimeve të tjera që kanë përfunduar apo janë në proces ndërtimi prej të cilave mund të ndalen gjatë. Qarku i Elbasanit prej afro 20 ditësh gjendet nën pushtetin e rreshjeve të forta të shiut kurse në zonat malore edhe të dëborës, duke krijuar situata të rënduara. Statistikat e Shtabit të Emergjencës në Prefekturë flasin për afro 16 ura deri tani të shembura, dhe dhjetra të tjera të rrezikuara pasi kanë shembje të pjesshme, ndërkohë që qytetet si Belshi, Cërriku ndodhen nën ujë. Gramshi gjendet i izoluar, Peqini dhe fshatrat e tij gjithashtu, kurse Librazhdi mbetet qyteti me popullsi të bllokuar në male, të mbetur pa energji elektrike, rrugë, shërbim shëndetsor dhe shkolla, pasi moti i keq ka shkatëerruar gjithçka. Të gjendur përpara kësaj situate dramatike edhe Shtabi Emergjencës, duket si i ka duart e zëna. Kjo pasi asnjë ministri duke nisur nga ajo e Mbrojtjes, e Brëndshme, dhe ajo e Shëndetsisë, nuk kanë nisur deri sot as 50 per qind të ndihmave të kërkuara për mijëra banorë të 5 qyteteve të qarkut të Elbasanit. E gjithë kjo rezyme e zymtë e cila përsëritet çdo dimër në qarkun e Elbasanit, ka gjasa të kthehet në një fenomen kronik derisa të gjendet zgjidhja e duhur nga specialistët e duhur. 
Premtimet në dy fushat elektorale, një tollumbace e shpuar
Gjithçka që u premtua në dy fushatat e fundit elektorale nga qeveritarët se “do të investohen miliona euro në infrastrukturë” duket se ka qenë një tollumbace e shpuar. Banorët e Librazhdit, Gramshit, dhe Peqinit, presin prej 2 javësh ndihmat, presin ministrat, deputetët, riparimin e urave dhe arnimin e rrugëve, por deri sot ata kanë marrë si përgjigje vetëm heshtjen e tyre. Ndoshta si e vemtja kundërpërgjigje, mbetet nisja e hetimeve nga Prokuroria e Elbasanit, e cila duhet t’i shkojë deri në fund jo vetëm punimeve të përfunduara por edhe atyre të nisura dhe të lëna përgjysëm, edhe për urat e lëna në mëshirën e fatit, si dhe shumë shkelje dhe abuzime të tjera të cilat kanë sjellë kosto dhe rrisqe të jetesës për mijëra banorë të këtij qarku. Prokuroria e Elbasanit duhet t’i shkojë deri në fund hetimeve për cilindo që ka toleruar dhe stimuluar shpërdorimin me fondet e investimeve në infrastrukturë, për çdo firmë apo kompani që si kliente e kujdo ministri apo zyrtari tjetër të lartë, ka abuzuar me paratë e taksapaguesve, duke qenë shkaktare e situatave të rënda për qytetet, fshatrat dhe banorët e qarkut. Elbasani në shkallë qarku kurrë më parë nuk ka përjetuar situata të tilla, izolime të tilla, shkatërrime të tilla të rrugëve, urave, shkollave, qendrave shëndetsore, banesave, dhe daljen e lumenjve nga shtratet e tyre. Ka plot 3 vjet që nuk vihet dorë dhe nuk investohet në zonat me rrezikshmëri të lartë, që nuk mirëmbahen akset rrugore, urat, shkollat dhe qendrat shëndetsore, që nuk ndalen firmat e inerteve dhe individët që gërryejnë shtratet dhe argjinaturat e lumenjve, duke sjellë katastrofën. Në rast se hetimet do të jenë serioze dhe të thelluara, të bazuara mbi fakte, Prokuroria e Elbasanit do të zbulojë dhe dërgojë para ligjit shkaktarët e vërtetë të situatave dramatike që po kalojnë banorët e këtij qarkut, ndryshe gjithçka do të mbetet e mbyllur në sirtaret e saj dhe e mbuluar nga pluhuri i harresës, si edhe dhjetra qindra dosje të tjera. 
Alma JONUZI