Figura të shquara të Lidhjes së Prizrenit në përvjetorin e 140 të themelimit, sipas epikës historike

2289
Nga Gezim Zilja

Avdul Frashëri 1839-1892 

Ky Abdul bej Frashëri
Ç’u përpoq i varfëri
Ç’shkriu tri barrë flori
Shtatë herë në Frëngji
Ishte i biri Halid Frashërit (1787-1859) dhe Emine Mirahorit (1814-1861), Gjithsej familja Frashëri përbëhej nga gjashtë vëllezër dhe dy motra. Vëllezërit Frashëri u shkolluan në gjimnazin ‘’Zosimea’’, një gjimnaz me emër për kohën. Në vitet 1877-1878 Abdyl Frashërin e gjejmë deputet të vilajetit të Janinës. Po në këtë kohë u zgjodh Kryetar i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare ( ndryshe ‘’Komiteti i Stambollit’’) që u formua në Stamboll, për të drejtuar lëvizjen patriotike kundër copëtimit të tokave shqiptare. Abdyl Frashëri është një nga figurat kryesore të ‘’Lidhjes Shqiptare të Prizrenit’’ që u mbajt më 10 qershor 1878. Ruhet një dokument i ‘’Lidhjes’’ ku midis të tjerash ai shprehet: ‘’ Qëllimi i Kuvendit është që t’ua presim hovin armiqve të pashpirt, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që të mbrojmë me gjak trojet, që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë….’’ Jo vetëm shqiptarët por dhe autorë e historianë të huaj do të shpreheshin: është e pakrahasueshme ndihmesa e tij (Abdyl Frashërit) në çështjen shqiptare ku kërkohej; krijimi i një shteti autonom shqiptar në kuadrin e Perandorisë osmane, i cili do të realizonte e sanksiononte kufijtë etnikë të Shqipërisë dhe të drejtat kulturore të shqiptarëve. Pas themelimit të ‘’Lidhjes’’, Abdyl Frashëri i ra kryq e tërthor viseve shqiptare, duke ngritur degët e saj në Mitrovicë, Shkodër, Elbasan, Dibër, Prevezë, Delvinë Gjirokastër, Manastir etj. Ai mbrojti programin e Kuvendit të Gjirokastrës në Kuvendin e Dytë të Dibrës dhe udhëhoqi krahun radikal të lidhjes. U bë anëtar i Qeverisë së Përkohëshme, që u formua në Prizren në fillim të vitit 1881. Bashkë me Mehmet Ali Vrionin më 1879, shkuan në Romë, Paris, Londër, Berlin e Vjenë, ku përfaqësuan e mbrojtën interesat e Shqipërisë, duke deklaruar ‘’’… se shqiptarët pa përjashtim janë betuar, që më mirë të vriten deri te njeriu i fundit sesa të lenë grekun e sërbin e malazezin në tokat e tyre”. Në këngët e panumërta për bëmat dhe heroizmat e shqiptarëve në kuadrin e Lidhjes së Prizrenit një vend të dukshëm zenë dhe ato për Abdyl Frashërin. Ja si jepet gjendja e Shqipërisë dhe vendimi që morën shqiptarët duke themeluar ‘’Lidhjen’’: 

Shqipëri tre vilajete 
Në mes të kraleve mbete
I thonë sulltanit epe!

Me një sinqeritet por edhe vendosmëri për t’u admiruar, këshillohet ‘’me të mirë’’ sulltani, duke ia bërë të qartë se e para është Shqipëria, për të cilën do të luftohet pa kompromis. Prandaj ai nuk duhet të shesë pjesë të Shqipërisë për interesa të perandorisë. 

Sulltan mos dëgjo Frëngjinë
Ne s’lëshojmë Shqipërinë
Nuk qasim Malëzinë
As Sërbinë as grekërinë
Na duam aftonominë.

Në përgjigje të Portës së Lartë dhe vendimeve të marra në kongresin e Berlinit: 

Kështu rigatatë thanë
Po shqiptarëtë ç’thanë?
U mbëlodhë e besën dhanë
nga Brizdreni në Himarë
Çamëri e Gegëri
Në Brizdren e Ergjëri (Gjirokastër)

Më tej shumë qartë, me fjalë të pakta dhe të zgjedhura jepet platforma e ‘’Lidhjes’’ me një saktësi të habitshme. Ato vendosen në gojën e heroit të shqiptarëve Abdyl Frashëri, me nëntë vargje, që shpalosin një histori: 

Thërret Avdul Frashëri
Luftojmë për Shqipëri
Nuk duam hasmë njeri
As Sërbi, as Gërqi
As Karadak, as Turqi
Për vatan betohemi
Mbi armiq do hidhemi
Flakë do të digjemi. 

Ndoshta nga këngët kushtuar ‘’Lidhjes së Prizrenit’’ dhe veçanërisht Abdyl Frashërit, ato që të drithërojnë dhe japin një mesazh të përjetshëm janë vargjet, që tregojnë sesi shiti pasurinë për të siguruar të hollat për udhëtimet e tij jo vetëm në trevat shqiptare por edhe në Evropë. Më kanë intriguar qysh herët në adoleshencën time vargjet: 

Abdyl prishe pasurinë 
një barrë flori…. 

Kam menduar, duke parë dhe realitetin shqiptar, ku jam lindur e rritur se sidoqoftë, këtu ka diçka të shtuar ose tepruar siç ndodh jo rrallë me figurat madhore në epikën historike. Por duke rrëmuar në poezitë e vjetra për periudhën e ‘’Lidhjes’’ u mrekullova nga ajo që gjeta: Një poezi ‘’dokument historik autentik’’ do ta quaja, që sqaron se Abdyl Frashëri jo vetëm e ka shitur pasurinë, por jepen emrat e personave, që ua ka shitur madje edhe çmimi i shitjes. 

O Avdul ç’mënde që pate 
Që shite ç’pate, ku pate
Me çifliqe me irate?

Shite Kallmin Myzeqe ( toka ndërmjet Fierit e Lushnjes, prona të Frashërllinjve) 
Mustafa Begës ia dhe’ ( nga fshati Sevaster i Vlorës) 

Qysh e dhe’ o derëzi
Për një karroqe flori?

Përgjigja vjen e menjëhershme dhe nuk le vend për mëdyshje: 

I dhashë për Shqipëri
Që ta kemi në liri
Mos na e marrë njeri
As grek, sërb e malëzi 
Po ta gëzojmë unë e ti.

Por nuk janë të vetmet prona, që shiti Adyl Frashëri, për të realizuar udhëtimet e veta në mbrojtje të çështjes shqiptare. Rapsodi popullor me të njëjtën këmbëngulje vazhdon të pyesë Avdul Benë:

Avdul Frashër, Avdul be
Po Zvërnecin kujt ja dhe?

E bleu Dalan Kanina (Dalan Seiti nga Kanina e Vlorës)
Për dy karroqe sterlina.

Po më tej ç’ndodh? Ku shkon e ç’bën ky bir i Shqipërisë, diplomati me ‘’vulë’’ i ‘’Lidhjes Shqiptare’’? 

Avdul shite pasurinë 
shkove në Berlin
për vatanin Shqipërinë
të gjeje shpëtim. 

Kjo poezi të le pa frymë dhe mendoj se krahas ‘’Hymnit të Flamurit’’, duhet të jetë në tekstet shkollore dhe të mësohet përmendësh. Populli në qendër të takimeve të Avdul Frashërit vendos Bismarkun, një nga figurat kryesore të Konferencës së Berlinit, që me veprimet e vendimet e tij shpërfilli ekzistencën e kombit shqiptar dhe kërkesat e shqiptarëve. Por djali nga Shqipëria (Abdyl Frashëri ishte vetëm 39 vjeç atëherë) është i vendosur në qëllimet e tij:

Bismarkun ta pjekje doje
për një Kuvendim
T’i thoshje dhe t’i kërkoje 
Të drejtat si trim

Abdyl Frashëri nuk shkon të lyp, por të kërkojë të drejtat e kombit të vet, të cilat do t’’i marrë me hir a me pahir, me fjalë ose me pushkë:

Dhe Bismarku seç të priti
Ndënje në skam(b)i
Burrë ç’ke për të më thënë 
Dhe cili je ti?
Jam nga soji shqiptar 
Bir nga Frashëri

Kaq është prezantimi personal, tepër fisnik dhe më tej vazhdon qëllimi me kërkesën e prerë:

S’kemi gjak, as fis, as farë 
neve me Turqi
Jemi vetëm shqipëtarë
Dhe duam liri

Fjalët e mëtutjeshme janë platforma e ‘’Lidhjes’’, që do të kthehej në një rezistencë të armatosur kundër Fuqive të Mëdha dhe të vetë Turqisë:

Nuk kini fare të drejtë
Ju për Shqipëri
Që ta ndani pjesë-pjesë
Sikur s’ka njeri. Dhe më tej:
Ne kurrë s’do të pranojmë
Zgjedhë, robëri
Burra gra do të luftojmë
Sa të shuhemi. 

Dhe ashtu ndodhi. Pas shtypjes së ‘’Lidhjes’’ nga mareshali turk Dervish Pasha, Abdyl Frashëri, u dënua me vdekje nga gjyqi special osman, por më vonë dënimi iu kthye në burgim të përjetshëm. Ai u kap nga turqit me tradhëti, i spiunuar nga një farë Jakup Caushi (i Shehut) në Elbasan, që më vonë me vendim të Degës së ‘’Lidhjes’’ në këtë qytet u ekzekutua. Pasi ndenji tre vjet në burg dhe 20 muaj në internim për arsye shëndetësore, Abdyl Frashëri, u lirua me kusht të mos merrej më me çështjen shqiptare. Vdiq në Stamboll më 23 tetor 1892 në moshën 53 vjeçare. Eshtrat e tij u sollën në Tiranë më 1978. 


Sigal