Figura e Skënderbeut në veprat shqiptare

1750
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Skënderbeu, frymëzues për çdo shqiptar
Fan S. Noli ka thënë: “…nganjëherë pyes veten, i habitur, nëse kemi mes nesh ndonjë tjetër njeri, që është aq i gjallë, sot, sa është Skënderbeu!”. Kur u përurua Muzeu Kombëtar i Armëve në Gjirokastër, Prof. Aleks Buda i tha kryeministrit: “Shënoni disa fjalë në librin e shënimeve, se na duhen për historinë, e sikur, vazhdoi profesori, Skënderbeu të kishte lënë dy gisht letër, dija si e vërtisja historinë…” Disa njerëz të mëdhenj e të rrallë, bashkë me legjendat që thurin në shekuj, janë firmosur në historinë e botës e janë ngulitur në mendje dhe vazhdojnë përgjithmonë të ruhen si trashëgime të veçanta e të paharruara. Gjergj Kastrioti i Shqipërisë, i quajtur Skënderbeg, ishte një prej këtyre dhe mbetet në mitologjinë e popullit tonë madhështor: një dritë shprese, frymëzues për çdo shqiptar edhe gjatë shekujve ose periudhave të errëta. Ky nuk ishte një fantazi apo produkt i mitologjisë; ai ishte një individ real, që luajti një rol historik për kombin dhe për botën e qytetëruar dhe kështu hyri në ndërgjegjen kombëtare brez pas brezi. I respektuar prej prijësve të kohës së tij, i nderuar dhe i dashur nga përkrahësit dhe populli i tij. Siç ndodh me heronjtë e vërtetë, jeta dhe historia e kohës së tij është plotë me intriga, kundërshtime dhe tradhëti, por edhe me lavdi, dashuri, ideale, krenari dhe vepra kreshnike. Sot e kësaj dite, shkencëtarë dhe historian bëjnë hulumtime për politikën, diplomacinë dhe të dhënat që dalin për vlerat e tij dhe të kohës së tij.

Historia e jetës dhe të trimërive të Skënderbeut
Figura e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe epopeja shqiptare e shek. XV ka frymëzuar intelektualë të shquar shqiptarë që e kanë përjetësuar atë në vepra historike monumentale e nga më të shquarat e kohës dhe që kanë pasur një jehonë të gjerë ndërkombëtare, me të cilën ka nisur jetën e vet edhe historiografia shqiptare. Themeluesi i saj është Marin Barleti, historian humanist i shquar i përmasave ndërkombëtare. Meritë të veçantë ka vepra e këtij humanisti: “Historia e jetës dhe veprave të Skënderbeut, princit të Epiriotëve” (Historia de vita et gestis Scanderbegi Epirotarum Principis), e cila edhe pse paraqitet disa herë me pasaktësi historike, e shkruar me një stil artistik, e përshkruan në një mënyrë të rrallë humanitare e magjepsëse jetën trimërore të Skënderbeut. Barleti i përkthyer në shumë gjuhë të huaja, u bë thesar frymëzimi për shumë poetë e shkrimtarë paraardhës deri në kohët modern, brenda Shqipërisë, Ballkanit e nëpër botë. Vepra është burimi i parë dhe kryesorë për historinë e Skënderbeut dhe të luftës kundër pushtimit osman, një nga burimet e rëndësishme dhe për historinë e Evropës Juglindore të kësaj periudhe në përgjithësi. Historia e jetës dhe të trimërive të Skënderbeut, princit të shqiptarëve, prej priftit shkodran Marin Barleti, e botuar në latinisht në Veneti më 1504, afro 36 vjet pas vdekjes së Skënderbeut. Kjo është historia më e vjetër e Skënderbeut që ndodhet në latinisht, ashtu si u shkrua prej autorit të saj. Barleti ishte djalë kur vdiq Skënderbeu, njihte personalisht bashkëluftëtarë të tij, kishte përpara syve dokumente të kohës, kishte vizituar fushat e betejave që përshkruan, u ndodh në rrethimin e Shkodrës dhe pastaj u vendos në Veneti, ku shkroi veprën e tij me famë për trimin e madh të shekullit të tij. Libri është themelia e historive të panumërta që janë shkruar për Skënderbeun…
Princ shumë trim e i pathyeshëm i Shqipërisë
Frang Bardhi (1606-1643) historia botoi në vitin 1636 në Venedik veprën Gjergj Kastrioti i Epirit, i quajtur përgjithësisht Skënderbeg, princ shumë trim e i pathyeshëm i shqiptarëve. Veprën e shkroi si polemikë për të hedhur poshtë mendimin e pathemeltë të një peshkopi boshnjak bashkëkohës, që i mohonte Skënderbeut prejardhjen shqiptare. Ndër krijimet e hershme shqiptare përmendim librin e Frang Bardhi: “Gjergj Kastrioti i Epirit i quajtur përgjithësisht Skënderbeg, princ shumë trim e i pathyeshëm i Shqipërisë”, të cilin e botoi në Venedik më 1636. E veçanta e kësaj vepre qëndron në faktin se ajo është një apologji për Skënderbeun dhe për kombësinë e tij shqiptare, që u kundërvihet shtrembërimeve të ndonjë autori të huaj lidhur me origjinën e heroit.
Rilindja Kombëtare dhe Skënderbeu
Në vitin 1921 në Boston, Mass, Fan Noli botoi veprën “Histori e Skënderbeut”, të cilën e ribotoi më vonë, më 1947. Gjeniu Skënderbe nuk mbaroi brenda kohës kur jetoi. Ai u bë pasuri e kombit që e lindi, por njëkohësisht u bë edhe frymëzim i luftërave të drejta që bënin popujt e tjerë për të fituar lirinë. Për vite e dekada me radhë Rilindja Kombëtare Shqiptare u lind e hodhi shtat të shëndetshëm duke i pasur rrënjët te vepra e pavdekshme e tij. Sepse gjithë jeta e Skënderbeut është e lidhur më idealin e përpjekjet e popullit shqiptar për liri e pavarësi. Noli ishte i pari shqiptar që shkroi në shqip një histori të jetës e të kohës së Skënderbeut. Noli përdori shumë burime historike për të shkruar mbi Skënderbeun. Noli e përpunoi veprën e parë më vonë në një ribotim të dytë. Studimin shkencor në anglisht “George Castrioti Scanderbeg”, ai e paraqiti si tezë për doktoraturë në Boston University, në prill 1945. Në punimin e veprës Noli shfrytëzoi një numër të madhe librash dhe artikujsh studimore të botuar rreth figurës së Skënderbeut. Ai përpunoi më tej legjendën e kohës së rritjes së Gjergj Kastriotit, vuri në dukje rolin që luajti Selia e Shenjtë, mbretëria e Napolit dhe republika e Venedikut. Ai nxori në pah disa faktorë ekonomikë, shoqërorë e gjeografikë që e kanë ndihmuar Skënderbeun si udhëheqës i fshatarësisë, si strateg dhe si kryqtar. Versionin e fundit Noli e botoi më 1950 në gjuhën shqipe me titull “Historia e Skënderbeut”.
Luftërat e Skënderbeut dhe historia ushtarake
Luftërat e Skënderbeut filluan të bëhen objekt studimi nga këndvështrimi i mirëfilltë i historisë ushtarake, veçanërisht nga studiues të Akademisë së Mbrojtjes nga vitet ’70 të shek. XX. Studimet e sidomos botimet mbetën në nivelin e artikujve, kumtesave, të leksioneve apo të ndonjë teksti mësimor. Në FESH studiuesit ushtarak Filip Tushi dhe Prof. Dr. Pajtim Ribaj kanë shkruar për Betejat e Skënderbeut. Skënderbeu strateg e komandant legjendar, është një libër i shkruar nga Prof. Dr. Shahin Leka për Skënderbeun, ku pasqyron historinë ushtarake të luftërave të popullit shqiptar nën udhëheqjen e Skënderbeut. Libri analizon vlerat dhe meritat e Skënderbeut si strateg dhe komandant, organizator dhe udhëheqës i betejave, mjeshtër mahnitës luftarak etj. Libri gjerësisht trajton mjeshtërinë, taktikat e Skënderbeut, kuptimin e forcës dhe dobësisë së kundërshtarit, përdorimin e terrenit, udhëheqjen e tij gjeniale, rolin e kështjellave, zbulimin strategjik etj. Shqiptarët në 550-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut, në të gjithë hapësirën ballkanike, e shohin Skënderbeun dhe Arbërinë e tij, si një model të madh integrues në familjen e popujve të Evropës së bashkuar. Falë tij, historia jonë e asaj periudhe është pjesë e lavdishme e historisë së Evropës e sigurisht Skënderbeu, një personazh shumë i spikatur i saj. Shqipëria sot është anëtare e NATO-s dhe po bën hapa domethënës drejt BE-së, akte, të cilat i shohim të projektuara si dëshira të hershme të shqiptarëve për të jetuar në paqe, liri e siguri, brenda familjes natyrale që është Evropa, të asaj familje, mbrojtës i së cilës ishte Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Brez pas brezi, Skënderbeun e gjejmë në rrugëtimin tonë nëpër histori, në kryengritjet anti-osmane, në Rilindjen Kombëtare, në Lidhjen e Prizrenit, në shpalljen e Pavarësisë, në agun e shtetit të ri shqiptar, në Kongresin e Lushnjës dhe Luftën e Vlorës, në konsolidimin e shtetit shqiptar, në Luftën e Dytë Botërore, në kohën e monizmit, si dhe në ndërtimin e shtetit dhe shoqërisë demokratike.