Figura e Skënderbeut në tregimet popullore

4099
Prof. Dr. Agron F. Fico, H.C
Shekulli XV është shekulli i luftërave tona të mëdha popullore kundër pushtuesve osmanë. “Moti i Madh i Arbrit” ka hyrë në traditën luftarake të mbarë kombit tonë si një gurrë shumë e çmueshme, që ka rritur vazhdimisht nëpër shekuj ndërgjegjen patriotike të luftërave për liri dhe pavarësi. Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, për 25 vjet me radhë, me armë në dorë, i vuri gjoksin trimërisht hordhive të sulltanëve dhe gjithnjë doli fitimtar. Por rëndësia e qëndresës shqiptare dhe luftërave kundër turqve osmanë është tepër e gjerë. Skënderbeu, në krye të shqiptarëve legjendarë, shpëtoi Evropën, shpëtoi krishterimin nga kërcënimi dhe rreziku i islamizmit osman.

Populli ynë, me fjalën e vet artistike, ngjarjet e këtyre viteve i ka skalitur në këngët dhe tregimet e mrekullueshme, në të cilat shkëlqen krenaria kombëtare, dashuria për Atdhe dhe liri. Tregimet popullore për Skënderbeun janë të shumta dhe me një larmi të madhe tematike, që shpalosin para lexuesit të gjallë figurën e ndritur të Heroit tonë kombëtar, Skënderbeut. Tregimet popullore ruajnë koloritin e kohës në mënyrën e shtjellimit ashtu edhe të shprehjes artistike, që duket qartë se janë të hershme. Dëshmi për këtë është edhe vepra e historiografi Marin Barleti, i cili në veprën e tij të njohur për Skënderbeun, ka shumë raste ku ka shfrytëzuar traditën e tregimeve popullore. Dhuratat e Skënderbeut që ia dërgon Ballabanit, ngjarja për pusin e Sfetigradit, rrëfimet për lindjen e Skënderbeut etj., flasin qartë për ekzistencën e këtyre tregimeve, të cilat nuk kanë tjetër burim veçse gojës së popullit. Ato kanë hyrë deri edhe te historianë dhe shkrimtarë të mëvonshëm si Naim Frashëri e Fan Noli. Ekzistenca e këngëve dhe tregimeve për Skënderbeun ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen e studiuesve. Të dhënat e Barletit, të Budit për viset e Skënderbeut, të Bardhit për ekzistencën e këngëve dhe tregimeve për heroin, mbeten një burim me rëndësi, që flet për vëmendjen kushtuar kësaj tradite. Një interesim pak a shumë serioz për kërkimet folklorike rreth traditës për Skënderbeun filloi në shekullin XIX. Dhe kjo pati arsyet e veta. Është koha e zgjimit të ndërgjegjes kombëtare. Në krye të kësaj lëvizjeje janë arbëreshët e Italisë me botimet e De Radës të tetë këngëve popullore për Skënderbeun. Ndërsa tregime popullore dhe legjenda ka botuar revista “Albania”(1905-1906), “Kopështi letrar”(1918-1919). I vetmi botim kushtuar traditës popullore për Skënderbeun, para Luftës së Dytë Botërore, është vëllimi “Skënderbegu mbas gojëdhanash”, Shkodër (1926) nga M. Sirdani. Më 1967 u botua vëllimi “Tregime dhe këngë popullore për Skënderbeun” nga Instituti i Folklorit,. Ky botim dallohet jo vetëm për materialin mjaft të gjerë, por edhe për kriteret shkencore dhe aparatin kritik bashkëkohor. Kërkimet e vazhdueshme rreth këngëve dhe tregimeve për Skënderbeun e kanë pasuruar arkivin e traditave dhe dëshmojnë se populli ynë, me krijimet e veta rreth luftërave të shekullit të XV të udhëhequr nga Skënderbeu, ka krijuar dhe ruajtur traditën e virtyteve të larta shqiptare. Këto materiale hedhin poshtë shkrimet e studiuesve armiq të çështjes shqiptare – të Gjorgjeviqëve, Gjurkoviqëve etj. se gjoja shqiptarët nuk kanë qenë të zotë të krijojnë gjë për Skënderbeun. Temat dhe motivet kryesore të tregimeve për Skënderbeun janë ato të bashkimit dhe të patriotizmit. Kështu tregimi i njohur për provën që u bën Skënderbeu princërve rreth forcës së unitetit, tek i cili buron forca morale dhe luftarake për të fituar mbi armiqtë, përfundon me këto fjalë të heroit:
“…Në mujçi me qënë tok si ki dengu i shufrave, s’ju ka për t’ju thyer njeri; në u bafshi nji ka nji, do t’u thyejnë bota nji ka nji si këto shufrat që thyet ju ka nji ka nji.”
Skënderbeu, duke u mbështetur në masat dhe dëshirat popullore, e realizoi me sukses çështjen e bashkimit të popullit në një front të vetëm, pavarësisht nga intrigat e princërve feudalë dhe tradhtarëve.
Këto tregime dëshmojnë, në formën e tyre të thjeshtë, për ato lidhje të gjithanshme e të ngushta të Skënderbeut me popullin, që përbëjnë bazën e të gjithë fitoreve të tij. Populli ishte jo vetëm forca kryesore e ushtrisë së tij, por edhe prapavija e tij e sigurt dhe e pashtershme në luftën e gjatë e të vështirë me pushtuesit osmanë. Kështu mjaftojnë vetëm dy rreshta të këtij tregimi që sintetizojnë trimërinë dhe qëndresën legjendare të masave popullore ndaj egërsisë së sulltan Mehmetit II:
“Fatiu i grini me kalamanj, me gra, sado qi dha fjalën se s’kam me nga kërkend. Por populli qindroi se qindroi…”
Skënderbeu ishte një udhëheqës i madh, por popullor. Tregimet për Kokë Malçin nga Skurajt e Kurbinit të Krujës, jeta në mes të ushtarëve, të ngrënët me ta rreth tryezave dhe sofrave të Skënderbeut; tregimet për Gjob Besarin, Vidanin, Bibë Hutën etj. janë tipike për të treguar lidhjet e heroit me popullin si kusht kryesor i fitoreve mbi pushtuesin e shumtë në numër dhe të egër. Në këto tregime populli e ka skalitur Skënderbeun edhe me tiparet e një komandanti të urtë dhe të mençur, që di gjithmonë me mprehtësi të shtjerë në kurth armikun dhe ta mposhtë. Tregimi për mushkën e ushqyer me grurë, që u rrëzua nga shkëmbinjtë e Valikardhës, tregimet për caporet me brirë të ndezur, që i lëshon natën armikut, rrëzimi i shkëmbinjve të Bulqizës për t’u prerë rrugën armiqve, janë shprehje e kësaj zgjuarsie. Ai është kudo; në mal dhe në shkrep, në fushë dhe në kala, me mushkën dhe kalin e tij, si vetëtima gjendet aty ku është lufta më e ashpër, ku është gjendja më e vështirë. Kjo e bën atë të padukshëm në sytë e armiqve, e bën më të tmerrshëm për ta, se u del me shpatë në dorë atje ku nuk e presin. Shpata e tij, “venerakeja”, ylberi që del në qiell, bën kërdinë mbi armiqtë. Ajo ka fituar popullaritet si gjësend i mrekullueshëm. Tregohet se sulltan Mehmeti desh ta huante këtë shpatë. Dhe Skënderbeu ia dha shpatën. Kur populli u shqetësua se paskëtaj ku do ta gjente forcën, Skënderbeu u tha:
“ Unë Sulltanit i dhashë vetëm një copë hekur dhe nuk i dhashë as zemrën, as krahun tuaj!”
Nga dashuria e madhe e popullit për këtë hero legjendar, nga autoriteti i tij, nga mençuria e tij, populli në tregimet e veta, me një bukuri klasike, e ka rritur heroin me përmasa të mëdha, herë-herë hiperbolike. Ky hiperbolizim ka një lidhje shumë të kuptueshme dhe organike me luftërat popullore dhe udhëheqësin e tyre, Skënderbeun. Temat e tregimeve, ashtu si edhe temat e këngëve popullore për Skënderbeun, janë të larmishme. Ato flasin për kalatë, për bashkëkohësit e tij, për llogoret e luftës, për armët e Skënderbeut, për gjykime dhe vlerësime që ka bërë Skënderbeu për ngjarje të ndryshme, na flasin për familjen e Skënderbeut, për qytete të ndryshme të kohës, tregojnë shumë toponime me burim emrin e Skënderbeut. Një vend të gjerë në këto tregime zë edhe gruaja. Ajo qëndron krah për krah me burrin dhe lufton me të, mbron nderin e saj. Të tilla janë tregimet për vajzat krutane që hidhen në përruan e Drosë për të mos rënë të gjalla në dorë të armikut ose sopotaret që luftuan për të mbrojtur vendin dhe lirinë. Në këto tregime Skënderbeu është dhënë si simbol i virtyteve më të larta të popullit shqiptar, është shembull i madh dhe i gjallë i vënies lart dhe në vend të parë të interesave të Atdheut dhe të popullit. Te Skënderbeu populli na ka dhënë patriotin e madh, figurën e udhëheqësit të zgjuar, strategut të fitoreve të vazhdueshme, të komandantit që shkon në fushat e betejave krah për krah me ushtarët e vet; na ka dhënë udhëheqësin popullor që ndau fitoret, gëzimet dhe hidhërimet bashkë me popullin e vet në fushën e luftës, në kala dhe në qytete, në punë dhe vatrat e tyre; na ka dhënë udhëheqësin që edhe në zjarrin e luftës shqetësohet të organizojë jo vetëm strategjinë e dhe taktikën e luftës, por edhe jetën e përditshme të popullit. Me interes është të theksohet se mjaft tregime popullore bëjnë fjalë edhe për dashurinë e Skënderbeut për Atdheun, vendin dhe popullin e vet edhe në fund të jetës së vet, shqetësimin e tij për të ardhmen e popullit që aq shumë e deshi dhe aq shumë luftoi për ta çliruar. Armët, që ia bën amanet tokës shqiptare, tregojnë lavdinë e armëve shqiptare, besimin e patundur në forcën e popullit shqiptar:
“Skënderbeu shpatën prej alltani, fren e kalit prej alltanit, shalën e kalit prej alltani, që të gjitha i ka lënë në Qafë të Buellit; më një shpellë që merr trama-trama, manej tëposhtë-tëposhtë… Po s’un vej kush me i marrë… Se i ka ba amanet tokës. I tha Skënderbeu tokës:
-Ta kam dhanë amanet këtë gja me ja dhanë xhinsit tem. E s’un e marri kush.”
Skënderbeu për 25 vjet me radhë e udhëhoqi popullin nga lavdia në lavdi. Vitet e drobitën, por ai qëndroi në krye të popullit si simbol vigan i një dashurie të madhe dhe të pathyeshme të çështjes shqiptare. Por edhe populli kësaj figure legjendare iu përgjigj po me atë vrull, po me atë hov, po me atë shpirt luftarak. Vajtimi për Skënderbeun është një dhimbje e madhe kombëtare. Populli “veshi xhokën e zezë me theka të zeza” për të mbajtur zi për të; por armët e Skënderbeut, që ia la amanet tokës shqiptare, u bënë fuqi e madhe morale për luftërat e ardhshme me të birin e tij në krye, në luftërat e ardhshme të shekullit të XVII, XVIII, XIX e deri në Luftën e dytë Botërore. Këto luftëra dhe figura e Skënderbeut u bënë burim frymëzimi gjestesh heroike për brezat e ardhëm të kombit shqiptar. Rapsodët popullorë, ashtu si studiuesit, shkrimtarët, poetët, piktorët, kompozitorët etj. në vargjet, këngët, veprat dhe krijimet e tyre evokuan emrin e Skënderbeut, këtë periudhë të madhe e të ndritur të historisë sonë kombëtare.
Sigal