Figura e Mero Begës si sportist dhe humorist në rrjedhën e viteve

587
Sigal

Ai dinte ç’thoshte, me fjalë të ëmbël e të peshuar, shkroi emrin e tij në historinë e Komunës Picar

Qe fundi i muajit prill i këtij viti kur Komuna e Picarit në Gjirokastër, nderoi me titullin “Nderi i Krahinës” birin e saj Mero Bega për aktivitetin e tij si sportist në sportin e mundjes dhe tërheqjes së litarit, si humorist, si familjar shembullor dhe si një njeri model i mirësisë, ndershmërisë, punës, njeri që i dha shoqërisë. Ndonëse, një titull i dhënë pas vdekjes, por kur nderohej njësoj sikur ke zbritur në kuvendin e burrave, në vendin që të takon e të kuvendosh si u ka hije burrave, burrave që veprën e tyre e përjetësojnë në këngë. Dhe i tillë qe Mero Bega, ndaj dhe i kënduan:

“Po, ku je, o Mero Bega,

O lisi me shumë dega,

Ku je Mero Humoristi,

Nga ne Nuk të ndahet shpirti

Mero Bega, burrë kuvendi,

Strralli nga madëm Golëmi.

Ç’u bëre, o kockë e fortë,

Tapetet s’të nxinin dot.

Lider në sportet e rënda,

Me medalje të agjenda”.

Mero Bega, burri që dinte ç’thoshte, me fjalë të ëmbël e të peshuar, shkroi emrin e tij në historinë e zonës së tij, në botën e sportit shqiptar dhe të humorit karakteristik që ka fshati që e lindi e rriti, e burrëroi, Golëmi i Labërisë, u nderua dhe kush nderon e çmon vlerat, mbetet dhe është edhe vetë vlerë e kësaj jete. Labëria, me malet e larta hijerënda e heroike, lindi bij që kushtrimi i atdheut i ngre në këmbë menjëherë, të këngës dhe të luftës, të besës për kuvend dhe luftëtar të flamurit të shenjtë, ata djem që një pikë gjaku e peshojnë rëndë. Këtu lindi edhe Mero Bega dhe me këto tradita e vlera u edukua, në Golëmin e ylbertë, rrotull maleve përmbi re, nga Golëmi i mençurisë dhe kryesofrës së  humorit. Këtej zbriti Mero Bega në tapetet e sporteve të rënda në Gjirokastër dhe rekordet nuk ju ndanë si në mundje të peshave të rënda, ashtu edhe në tërheqje litari. Kampioni i Labërisë, kthehej në fshatin e tij ballëlart. Por frytet e tij i merrnin të tjerë….??!! Mos u çudisni, Meron e kish prekur biografia, më shumë nga zilia se veprimtaria. Po nuk u ligështua. Punoi në fshat njeri i thjeshtë dhe sportit nuk ju nda duke e udhëhequr në jetë proverbi i dalë nga goja e tij dhe shpejt mori autorësinë popullore “Mbaje lartë e tire hollë”. Dhe hollë i tori Mero Bega ditët dhe hallet e jetës deri sa mbylli sytë nga sëmundja e rëndë në moshën 66-vjeçare, në Sarandën e rrahur nga dallgët e detit, në Sarandën që e deshi si Gjirokastrën e gurtë, se kur dilte shëtitje buzë detit, sepse i pëlqente deti i egërsuar, dallgët e fryra deri në çmenduri që rrahin brigjet e gurta. Ja, kështu është jeta, thoshte Mero, si deti që hallet t’i përplas me dallgë të mëdha e të fuqishme, por brigjet i përballojnë, brigjet i zmbrapsin ato…kjo është forca e jetës. Mero Bega, krahas aktivitetit sportiv, qe edhe një humorist i hollë e i madh, i papërballueshëm se siç thoshte edhe vet:

“Të jesh nga ka lerë humori,

Ku ka humoristë të tjerë,

Duhet vajisur motori,

Në humor të jesh lider”

Dhe këtë status e fitoi Mero Bega, kripa e lezetit, ai që sheqerosi edhe piperin dhe njerëzia qeshin me shpirt atëherë dhe sot kur i kujtojnë e dëgjojnë romuzet e tija. Njerëzve të thjeshtë e punëtor u hiqte lodhjen dhe mërzitjen, por nuk mungonin fjalët e matura e të peshuara në thumbim të pushtetarëve dhe veseve të shoqërisë, i shponte brinjë më brinjë. Nuk u pajtua dhe nuk e pranoi në ndërgjegje kolektivizimin. I pikonte në shpirt prona. Njëherë kur e panë tek kulloste bagëtinë e kooperativës, e thumbuan kur i thanë që ngjante me Meron e parë. Nuk ju durua dhe ua ktheu aty për aty:

“Mos i shkel vijat,

Mos i pre kështu të njomat,

Merua i parë i kish të tijat,

Ndërsa UNË,i kam tonat”

Ishte një magazinë humori kudo ku ndodhej. Le të tregojmë disa prej tyre:

Kur dimëronin me bagëti në bregdet,shokët e tij u sulën mbi ullinj. Mero u a kthen:

“Ç’bëni more ditëzinj,

Këtu dhe gurët dëftojnë,

Në tre vetë,katër spiunë,

Pastaj do na arrestojnë,

Nuk e dua burgun unë”

Dhe kështu kaloi jeta e Mero Begës, mes sportit si një nga ikonat e mundjes, mes humorit të mençur e të hollë, fshikullues deri në përvëlim, njeri i ndershëm e punëtor, aq sa kur erdhi demokracia, ai,

“Merua që dinte të çmonte,

Pronën dhe punën me djersë,

Kur sistemi do ndërronte,

Kërrabën ktheu biznes”.

Këngët për të janë të shumta, kujtimet rrjedhin lumë, mbresat janë tanimë në piedestalin që i takon thjeshtësisë së jetës veshur me lezetin e asaj ç’ka di të japësh dhe si të japësh për shoqërinë. Meritave të tij sportive u këndohet:

“Mjeshtëri me forcë magjike,

Që na ndizet zemra flakë,

Nga ç’do ndeshje s’mund të dilje,

Pa medalje, pa bajrak”.

Ky qe Mero Bega, që ndonëse pas vdekjes, u nderua dhe zuri vendin që i takon dhe këtë portretizim, në vend të një homazhi dhe nderimi për të e mbyllim me vargjet e këngës për të, ditën e marrjes së titullit “Nder i Krahinës” mes pjesëmarrjes së pushtetarëve e deputetëve, grupeve artistike dhe personaliteteve të sportit e kulturës shqiptare:

“Në të patëm borxh të gjallë,

Ti prapë qëndrove si burrë,

Shpirti yt, porsi kristal,

Prej nesh nuk do ndahesh kurrë!”