Fier, radhë tek Poliklinika Qendrore, ka mungesë stafi

1205
Në Poliklinikën Qendrore në Fier, pacientët rrinë në radhë me orë të tëra për të marrë shërbim nga mjekët specialistë. 
Radhët krijohen si nga mungesat në stafin mjekësor, por edhe nga moszbatimi i procedurës për të marrë fillimisht rekomandim nga mjeku i familjes dhe qendrat shëndetësore ne lagje. Poliklinika Qendrore u shërben jo vetëm qytetarëve të Fierit, por edhe bashkive të qarkut.
Mungesa e mjekëve specialistë, dhe mbingarkesa e pacientëve që nuk kalojnë përmes mjekut të familjes apo në qendrat e lagjeve, ka krijuar radhë në poliklinikën qendrore në Fier. 
Në këtë institucion shëndetësor mbërrijnë pacientë jo vetëm nga Fieri por edhe nga Krapsi, Marinza, Roskoveci, Patosi, Mallakastra, pa zbatuar rregullin për të pasur rekomandim nga mjeku i familjes. Moszbatimi i procedurës bën që pacientët të qëndrojnë me radhë jashtë dyerve të mjekëve specialistë.
Pacienti 1: ”Këtu ka shumë njerëz, duhet të mbash radhë me të sëmurë, është një burokraci . Me të sëmurë me skizofreni nuk ka as ndihmë asgjë”.
Pacienti 2: “Kam ardhur për analizat e gjakut, që herët në mëngjes dhe numrin e kam marrë 60, pra aq njerëz ka”.
Pacienti 3: “Vijmë këtu na thonë jo s’ka ilace, jo mbaruan dhe vetëm sorollatemi”.
Nga ana e saj Drejtoria e Spitalit Rajonal Fier pohon jashtë kamerës se nga 30-40 vizita që duhet të kryejë një mjek specialist, ai detyrohet të bëjë 100-150 të tilla, gati tre herë më shumë.
Deri në plotësimin e stafit me mjekë specialistë dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve për të mos shmangur mjekun e familjes, duket se radhët do vazhdojnë në Poliklinikën Qendrore.
Sigal