Fibrilacioni atrial, rreziku për zemrën dhe goditjet në tru

1243
Fibrilacioni atrial është një ritëm jo normal dhe i çrregullt i zemrës në të cilin sinjalet elektrike gjenerohen në mënyrë kaotike në dhomat e sipërme të zemrës. Disa njerëz me fibrilacion atrial nuk shfaqin shenja apo simptoma. Fibrilacioni atrial është takikardia supraventikulare më e zakonshme, shkruan “shëndeti”.
Ky shkarkim bën që aftësia e atriumeve për të pompuar gjak te ventrikujt të ulët dhe në këtë mënyrë të ulët dhe sasia e gjakut që shkon në organizëm.
Cili është funksioni normal i zemrës?
Zemra ka katër dhoma (dy dhomat e sipërme quhen atriume dhe dy dhomat e poshtme quhen ventrikuj):
1) atrium i djathtë (lartë djathtas)
2) atrium i majtë (lart majtas)
3) ventrikuli i djathtë (poshtë djathtas)
4) ventrikuli i majtë (poshtë majtas)
Gjaku që kthehet në zemër nga trupi përmban sasi të vogël oksigjeni dhe sasi të lartë dioksid karboni. Ky gjak kalon në atriumin e djathtë dhe më pas zbret poshtë në ventrikulin e djathtë. Pasi mbushet kontraktimi (tkurrja) i atriumit të djathtë pompon gjak shtesë në ventrikulin e djathtë. Pastaj ventrikuli i djathtë kontraktohet dhe pompon gjakun në mushkëri ku gjaku merr oksigjen dhe lë dioksidin e karbonit.
Më pas gjaku shkon nga mushkëritë në atriumin e majtë dhe pastaj zbret poshtë në ventrikulin e majtë. Kontraktimi (tkurrja) i atriumit të majtë pompon gjakun në ventrikulin e majtë. Ventrikuli i majtë kontraktohet dhe e pompon gjakun në aortë dhe më pas në gjithë trupin nëpërmjet sistemit vaskular.
Pulsi (rrahja e zemrës) që në ndiejmë shkaktohet nga kontraktimi i ventrikujve. Ventrikujt duhet të çojnë gjak mjaftueshëm në trup në mënyrë që ai të funksionojë normalisht. Sasia e gjakut që pompohet varët nga disa faktorë. Faktori kryesor është frekuenca e kontraktimit të zemrës. Kur frekuenca rritet, me shumë gjak pompohet. Zemra pompon më shumë gjak nëse rritet frekuenca e rrahjeve të saj.
Si funksionon sistemi elektrik i zemrës?
Në çdo rrahje të zemrës kalon një shkarkim elektrik nëpër sistemin elektrik të zemrës. Ky shkarkim bën që muskuli i atriumeve dhe ventrikujve të kontraktohet (tkurret) dhe të pompojë gjak. Sistemi elektrik i zemrës përbëhet nga nyja sino-atriale (sinoatrial node), nyja atrio-ventrikulare dhe inde të veçanta në atrium dhe ventrikuj të cilat bëjnë përçimin e sinjalit elektrik (shkarkimit). Nyja sino-atriale është gjeneratori i sistemit elektrik në zemër (pacemaker).
Është një grup qelizash të specializuara të lokalizuara në muret e atriumit të djathtë. Frekuenca me të cilën këto qeliza shkarkojnë rrymë elektrike përcakton shpejtësinë e rrahjeve të zemrës. Shkarkesa elektrike kalon nga nyja sinoatriale nëpërmjet sistemit elektrik të qelizave në nyjen atrio-ventrikulare. Nyja atrio-ventrikulare shërben si një stacion ndërmjet atriumeve dhe ventrikujve. Sinjali për të kaluar në ventrikuj duhet patjetër të kalojë në nyjen atrio-ventrikulare. Shkarkesa elektrike nga nyja sino-atriale shkakton tkurrjen e atriumeve dhe më pas shkarkesa elektrike kalon në nyjen atrio-ventrikulare dhe më pas me ndihmën e indit special përçues në ventrikuj duke dhënë tkurrjen e ventrikujve.
Në një zemër normale frekuenca e rrahjeve të atriumeve është e njëjtë me atë të ventrikujve. Në gjendje të qetë frekuenca e rrahjeve të zemrës është rreth 60 deri në 80 rrahje në minutë. Gjatë aktivitetit fizik frekuenca e shkarkese së nyjës sino -atriale rritet dhe në këtë mënyrë rriten dhe rrahjet e zemrës.
Ankesat e të sëmurëve me fibrilacion atrial:
Marrje mendsh
Gjendje të fikti
Dobësi
Lodhje
Marrje fryme
Dhembje kraharori
Rrahje të shpeshta të zemrës
Çfarë e shkakton fibrilacionin atrial?
Shkaku i fibrilacionit atrial është një ritëm jo normal i zemrës. Gjatë këtij ritmi sinjalet elektrike nuk gjenerohen vetëm nga nyja sino-atriale por edhe nga zona të tjera në atrium. Këto shkarkesa janë të çrregullta dhe të shpejta dhe mund të arrijnë deri në 350 në minutë. Shkarkesat e shpejta dhe të çrregullta shkaktojnë tkurrje joefektive të atriumeve. Në këtë rast atriumet dridhen në vend që të tkurren.
Kjo gjë ul aftësinë e atriumeve për të pompuar gjak në ventrikujt e zemrës. Shkarkesat elektrike të shpejta dhe të çrregullta nga atriumet kalojnë në nyjen atrio-ventrikulare dhe më pas në ventrikuj duke bërë që ventrikujt të tkurren në mënyrë jo të rregullt dhe të shpejtë. Tkurrjet e tyre mund të shkojnë deri në 150 herë /minutë me ngadalë se sa në atrium. (ventrikujt nuk mund të kontraktohen deri në 350 herë në minutë). Edhe me frekuencë 150 herë në minutë ventrikujt nuk kanë kohë të mjaftueshme për tu mbushur me gjak për tkurrjen e ardhshme. Fibrilacioni atrial ul pompimin e sasisë së gjakut të mjaftueshëm për organizmin për shkak të shpejtësisë së lartë të rrahjeve të zemrës.
Si ta kuptojmë që jemi të rrezikuar nga fibrilacioni atrial?
Ka shumë faktorë rreziku të cilët ndikojnë në fibrilacionin atrial. Ato janë:
Mosha e madhe (1% e njerëzve mbi 60 vjeç vuajnë nga fibrilacioni atrial).
Sëmundjet koronare (përfshirë infarktin në zemër).
Tensioni i lartë.
Funksioni jo normal i muskulit të zemrës ( insuficienca kardiake).
Sëmundja e valvulës mitrale (ngushtimi apo insuficienca).
Hipertiroidizmi ose mbidoza e mjekimeve të tiroides.
Sasi e vogël e oksigjenit në gjak, për shembull, siç ndodh me sëmundjet e mushkërive siç është:
emfisema apo sëmundjet kronike obstructive të mushkërive (COPD).
Inflamacioni i perikardit (shtresa që rrethon zemrën).
Koagulat në mushkëri (embolia pulmonare).
Konsumimi i alkoolit në sasi të mëdha.
Ilaçet siç janë dekongjestionuesit për hundët e bllokuara dhe drogat siç është: kokaina apo heroina.
Kirurgji e zemrës ose mushkërive.
Strukture jo normale e lindur e zemrës (anomalitë kongenitale të zemrës).
Sigal