FH: Shqipëria vend pjesërisht i lirë vuan pasojat e regjimit të Hoxhës!

473
Sigal

TIRANE – Publikohet raporti vjetor i Freedom House për liritë në botim ku Shqipëria dhe Kosova janë vlerësuar si vende pjesërisht të lira, në një vit kur gjendja e lirisë në botë pësoi rënie për të nëntin vit me radhë.

Në raportin vjetor të organizatës Freedom House, vlerësimi për Shqipërinë nuk ka ndryshuar, ndërsa Kosova ka shënuar përparim, duke u përfshirë për herë të parë mes vendeve me demokraci elektorale.

Sipas raportit të Freedom House, Shqipëria vazhdon të ketë të njëjtën shkallë vlerësimi, duke marrë 3 pikë për gjendjen e lirisë në përgjithësi, në një sistem matës me një shkallë nga 1 në 7, ku 1-shi përfaqëson liritë më të mëdha dhe 7-ta mungesën më të madhe të lirive.

Sipas raportit, mosndryshimi i vlerësimit ka të bëjë me kombinimin e problemeve të rrënjosura institucionale dhe reformave pozitive por që janë ende në fazat e para.  

Raporti nënvizon se qeveria e kryeministrit Edi Rama siguroi në vitin 2014, statusin e vendit kandidat pas tre shtyrjeve të mëparshme dhe është vlerësuar për masat ndaj krimit të organizuar, ligjit të ri për lirinë e informacionit dhe ligjit për proceset e konsultimit për hartimin e legjislacionit dhe strategjive të rëndësishme për politikat.

Megjithatë, vazhdon Freedom House, vendi vazhdoi të vuante pasojat e mosmarrëveshjeve politike, përfshirë bojkotimin e parlamentit nga opozita, mosndëshkimin e zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë të akuzuar për korrupsion dhe një trashëgimi emërimesh politike në postet e gjyqtarëve.  

“Sigurisht që ne do të preferonim që Shqipëria të kishte shënuar më shumë përparim. tha Arch Puddington, zv/president për kërkimet tek kjo organizatë.

Ai ia atribuon mungesën e përparimit, historisë së shtypjes së regjimit totalitar të Enver Hoxhës, që ai thotë ishte më i rëndë sesa vendet e tjera të Evropës Lindore.

“Mendoj se vendi ende po përpiqet të dalë nga ajo errësirë ku ishin zhytur nën regjimin Hoxha.  Prandaj mund t’u duhet pak më shumë kohë. Ata kanë shënuar përparime të rëndësishme. Por një nga gjërat që kemi mësuar është se kur një vend anëtarësohet në BE, ka prirjen t’i respektojë standardet demokratike në mënyrë të qëndrueshme, kështuqë ne shpresojmë që Shqipëria ta arrijë atë synim”. tha Arch Puddington


Kosova, mes demokracive elektorale
Në raportin në fjalë, Kosova konsiderohet si një nga vendet me përparim më të madh për zhvillimet e vitit të kaluar. Kjo pasi për herë të parë Kosova është mes vendeve të konsideruara “demokraci elektorale” falë vlerësimeve për procesin zgjedhor dhe të drejtave politike.

Të drejtat politike kanë marrë notën 4 nga 5 për vitin e kaluar, falë zgjedhjeve relativisht të suksesshme të qershorit dhe marrëveshjes politike për qeverinë e koalicionit. Për liritë civile, vlerësimi ka qenë i pandryshuar në 4.

Freedom House thotë se 2014-a shënoi një kulmim të prirjeve pozitive dhe se përveç zgjedhjeve organizata vërejti edhe përmirësimin në pluralizmin politik, marrëdhëniet partiake dhe përgjegjshmërisë së qeverisë. Freedom House thotë se vlerëson faktin që PDK-ja bashkëpunoi, që udhëheqësi i opozitës u bë kryeministër dhe që qeveria po e shton transparencën ndaj publikut.

Rënie e lirisë në shkallë globale
Në shkallë globale, Freedom House vlerëson se në vitin 2014 liria ka rënë për të 9-in vit me radhë, për shkak të taktikave agresive nga regjimet aurtoritare dhe shtimit të sulmeve terroriste. Raporti i Freedom House shqyrton gjendjen e të drejtave politike dhe lirive civile. Raporti citon ndërhyrjen ruse në Ukrainë, dhe zhvillimet në Egjipt, Turqi dhe Kinë si shembuj.

Por Freedom House tërheq vëmendjen se demokracitë shpesh presin deri kur prirjet autoritare të kthehen në katastrofë ndërkombëtare para se të ndërhyjnë dhe kjo sipas kësaj organizate është për të ardhur keq sepse edhe regjimet më shtypëse kanë treguar se përgjigjen para presionit të popullit të tye dhe atij nga jashtë.