Festohet në Sarandë 70-vjetori i krijimit të çetës “Çamëria”

545
Sigal

Atmosferë mbresëlënëse dhe tepër e rrallë në këto 23 vite në përkujtimoret e memories së LANÇ-it. Është përjetuar ditën e djeshme në fshatrat Markat e Shalës të komunës së Markatit 70-vjetori i krijimit të çetës “Çamëria”. Organizatori i kësaj ceremonie, kryetari i Komunës Markat, Ismail Myrtaj, në përshëndetjen e tij ka theksuar rolin e madh të kësaj treve në LANÇ dhe çlirimin e vendit nga nazi-fashistët, shkëndijë e parë e këtij patriotizmi u bë krijimi i çetës “Çamëria” 70 vjet më parë, këtu në Markat, kur burra të shquar të krahinës, patriot dhe luftëtarë të mendjes, pushkës e penës, kuvendit dhe besës, morën vendimin historik të mbështetjes pa kufi dhe pa rezerva të luftës NAÇL për çlirimin e vendit. Dhe padyshim mes këtyre burrave spikati roli historik i Haki Rrushitit e Teme Sejkos, burra që më pas do të riskoheshin rëndë nga komunizmi. I pari iku në dhe të huaj ndërsa i dyti do të pësonte vdekje enigmatike nga bashkëluftëtarët e tij. Por edhe burra të tjerë trima si Hasbi Koro, do të bëheshin pjesë e historisë dhe lavdisë, krenarisë dhe kontributit të kësaj treve trime dhe martire, të përgjysmuar nga fatet e historisë. Ndaj Sot, në këtë 70 vjetor, ka vijuar z.Myrtaj, lufta dhe përpjekjet, gjaku dhe sakrificat e këtyre bijve të Çamërisë na thërret për ta çuar më tej luftën për Çamërinë e madhe. Luftëtarët e lirisë, janë nderi i Çamërisë dhe i gjithë atdheut tonë, ndaj nderime dhe respekt, lule në lapidarët dhe varrezat e tyre, bashkim dhe ecje përpara për realizim të ëndrrës së tyre patriotike. Aktiviteti i kësaj çete dhe më vonë i batalionit “Çamëria” është sjell së bashku me jehonën e viteve të largëta nga shoqata e Veteranëve. Koncert me këngë e valle, drekë si një dasmë fshati, ka qenë vijimi i kësaj atmosfere.