Festohet 75-Vjetori i krijimit të Brigadës së 6-të Sulmuese “Heroinë e Popullit”

691
Sigal

Në paraditen e datës 26 janar 2019 Përmeti ishte në festë. Ambientet tek lapidari madhështor që përjetëson këtë ngjarje historike ishte zbukuruar me flamuj, banderola e kurora me lule. Dëgjoheshin këngë dhe marshe partizane e patriotike. Qytetarë të Përmetit dolën te sheshi kryesor i qytetit pranë”Përmendores së partizanit” dhe pritën miqtë e ardhur nga Vlora, Tirana, Mallakastra, Tepelena, Gjirokastra me drejtuesit kryesorë të organizatës së veteranëve e familjeve te dëshmorëve te këtyre rretheve. U bënë homazhe e u vendosën kurora me lule, pranë lapidarit që përjetëson këtë ngjarje nga Bashkia Përmet, Deputetë, Prefektura, Këshilli i Qarkut, Komiteti i Veteranëve, Këshilli Bashkiak, Bashkia Tepelenë dhe Komitetet e Veteranëve dhe familjet e dëshmorëve të rretheve Përmet, Gjirokastër, Tepelenë, Mallakastër dhe Vlorë. Duhet të respektohej më mirë protokolli për vendosjen e kurorave nga forcat politike. Për të nderuar kujtimin e të rënëve dhe sakrificat e partizanëve e kuadrove të kësaj njësie në Luftë, nën tingujt e “Himnit Kombëtar” u mbajt një minutë heshtje, çast solemn dhe krenarie.

Mitingun popullor organizuar pranë lapidarit te Brigadës së 6-të Sulmuese e hapi Klaudia Naqellari, e cila duke uruar mirëseardhjen dhe festën ia dha fjalën kryetarit të bashkisë Përmet, z. Niko Shupuli i cili midis te tjerash tha: “Të nderuar personalitete të pranishëm, të dashur veteranë dhe pasardhës të tyre dhe të dëshmorëve si dhe të pranishmit në festën e 75-vjetorit të krijimit të Brigadës së 6- të Sulmuese “Heroinë e Popullit”. Ju uroj në emrin tim dhe të institucionit të bashkisë 75- vjetorin e krijimit të Brigadës së 6- të Sulmuese, e cila u krijua në Përmet, më 26 janar 1944 në kulmin e Operacionit armik të Dimrit, në frontin e luftës në të dy anët e lumit Vjosë që nga fshati Peshtan deri në Malin e Bardhë te Petranit. Në përbërjen e saj u rreshtuan batalione partizane të qarkut të Gjirokastrës, të cilët ishin sprovuar në fushën e luftës dhe kishin fituar një përvojë të madhe. Ajo përshkoi një rrugë të gjatë luftarake ku dhanë jetën 203 dëshmorë nga të cilët 10 heronj të popullit. Sakrificat e saj të panumërta, kontributi i saj i madh në çlirimin e disa qyteteve dhe krahinave të vendit si dhe përtej kufijve shtetëror në çlirimin e vëllezërve kosovarë”. Mesazhin e KKVLANÇ e lexoi nënkryetari i këtij komiteti Asllan Gropasi, i cili midis të tjerash tha: “Përvjetori i 75- të i inaugurimit të Brigadës së 6- të Sulmuese “Heroinë e Popullit” është një ngjarje e rëndësishme e historisë së Luftës. Me këtë rast në emër të kryesisë të KKV u sjellim përshëndetjet më të nxehta. Gëzuar festën e 75- vjetorit. Falënderojmë të gjithë organizatorët dhe pjesëmarrësit në këtë festë kaq të bukur. Brigade e 6-të me urdhër të SHP i UNÇSH u inaugurua, më 26 janar 1944 në qytetin historik të Përmetit në përbërjen e së cilës u rreshtuan batalionet partizane “Asim Zeneli”, “Abaz Shehu”,”Baba Abaz” dhe “Naim Frashëri”.

Historiani Kastriot Bezati bëri një ekspoze të gjerë për historikun e kësaj njësie të lavdishme partizane, ku midis të tjerash tha: “Në ditën e krijimit të saj krahas partizanëve nga qarku 25% e efektivit ishte nga rrethi i Përmetit, 8 % e popullsisë u rreshtua në radhët partizane, në hapësirën e rrethit u krijuan gjashtë çeta, katër batalione të cilat çuan në krijimin e Brigadës së 6- të Sulmuese, Brigadës së 12- të Sulmuese, grupi i 5-të partizan i zonës së parë operative Vlorë-Gjirokastër dhe D1S. Në Përmet u mbaj Kongresi i Përmetit i cili mori vendime të rëndësishme për fatet e luftës dhe të vendit. Përmeti strehoi dhe ushqeu 14 ditë dhe 61 ditë në Odriçan drejtuesit kryesorë të SHP dhe KPANCL. Rruga e saj luftarake për çlirimin e Shqipërisë zgjati 308 ditë dhe më 30.11.1944 deri më 10 qershor 1945 së bashku me ushtrinë partizane kosovare luftoi me heroizëm për çlirimin e tyre dhe vazhdoi luftimet deri në Vishegrad. Më 12 mars 1945 ajo parakaloi në Mitrovicë dhe më 7.12.1945 u përqendrua në Korçë. Ajo zhvilloi 371 ditë luftime jashtë kufijve shtetërorë. Ajo i dha luftës 203 dëshmorë nga të cilët 12 dëshmore dhe 10 heronj të popullit. Nga Odriçani u dha urdhri për çlirimin e plotë të vendit. Përmeti u pushtua nga trupat italo-gjermane. Përmeti u dogj 4 herë, për kontributin dhe sakrificat e bëra në luftë nga institucionet më të larta shtetërore duhet të shpallet,” Qytet Martir” si Peza heroike dhe Mallakastra trime. Kënga himn “Një zë po vjen nga gryka e Mezhgoranit” interpretohet nga ish-partizani i Brigadës së 6- të Sulmuese, “Artisti i Popullit” Mentor Xhemali. Përmendorja e “Partizanit” , obelisku “ Shokët “ tek varrezat e dëshmorëve Përmet dhe “Partizani Fitimtar” në Mathhausen kanë për autor skulptorin e popullit Odhise Paskali. “Beteja e Mezhgoranit”, “Odriçan”, “Tenda e Qypit”,” Çajmë Rrethime”, Skroske tablo monumentale kanë për autor piktorin e popullit përmetarin Fatmir Haxhiu. Liria dhe demokracia kanë qenë në themel të Përmetit të “Vëllezërve Frashëri” dhe të Brigadës së 6- Sulmuese “Heroine e Popullit”.

Sazet e Përmetit interpretuan këngë për Brigadën e 6 – Sulmuese, Asim Zeneli, Partizani gërshetuar me këngë tradicionale të qytetit të Përmetit të cilat i dhanë gjallëri festës. Takimin e përshëndeti në emër të KV dhe FD Tepelenë Hasan Musta, i cili u ndal te kontributi i batalionit partizan “Baba Abaz”, dhe të 472 bijë e bija të këtij batalioni dhe gjakun e 81 dëshmorëve të tij ku 61 prej tyre ishin nga Tepelena. Kryetari i bashkisë Tepelenë, Tërmet Peçi uroi festën dhe vlerësoi lart kontributin e kësaj njësie në luftën për çlirimin e vendit, këta trima me guximin, trimërinë, heroizmin dhe gjakun e tyre na sollën lirinë dhe na rikthyen pavarësinë e vendit që kishim humbur. Kryetari i familjeve të dëshmorëve Mallakastër Shpëtim Dervishi duke përshëndetur evokoi lavdin e dëshmorëve të kësaj brigade heroike që dhanë jetën për fitimin e lirisë. Mallakastra trime është shpallur martire e luftës së dytë botërore dhe beteja e Margëlliçit ka hyrë në histori, 29 mars 1944, ku dhanë jetën edhe disa bijë të kësaj njësie nga rradhët e batalionit partizan “Naim Frashëri” dhe 4 “Heronj të Popullit”; Mustafa Matohiti, Meleq Gosnishti, Lefter Talo dhe Dino Kalenja, 75- vjetorin e kësaj beteja do ta përkujtojmë sivjet. Djali i ish-partizanit të Brigadës së 6- të Sulmuese, Dashmir Syrja Tahiri, ardhur nga Tirana i emocionuar për festën sugjeroi që në të tilla ngjarje të ftohen të afërmit e veteranëve dhe të familjeve të dëshmorëve, sepse na vjen mirë sepse Luftën e bëmë së bashku! Në mbyllje të këtij manifestimi e mori fjalën kryetari i këshillit të qarkut Gjirokastër z. Armand Hila, i cili tha: “Ju uroj festën e krijimit të Brigadës së 6- Sulmuese, pasi është detyra jonë si Këshill Qarku të festojmë përvjetorët e krijimit të njësive partizane dhe ngjarjeve të mëdha historike në qark! Me gjithë punën e mirë që bëhet për mirëmbajtjen e simboleve të LANÇL. Vitin tjetër lapidari i kësaj njësie do të jetë model. Mirupafshim në përvjetorin jubilar të 75-vjetorit të krijimit të Brigadës së 12- të Sulmuese në Sukë, si edhe të “Kongresit të Përmetit”!

Përgatiti kronikën, Muarem Kamani