Festohet 66-vjetori i krijimit të regjimentit të artilerisë në Berat

731
Sigal

Flasin për “Telegraf”, ish-komandanti i fundit i repartit të regjimentit, Niko Peçi dhe ish-kuadri i kësaj brigade, Halim Tusha

Ushtria Nacional Çlirimtare erdhi duke u rritur nga njësitë guerilje, në çeta, batalione dhe brigada partizane. Në luftë, ballë për ballë me armikun u morën armë nga pushtuesit fashistë-nazist. Me armët që iu rrëmbyen atyre u pajis populli që doli partizan. Populli u pajis jo vetëm me armë të lehta, por dhe me armë të rënda, siç ishin topat. Brigada e parë partizane e krijuar më 1944-n në formacionin luftarak të saj u krijuan edhe nën repartet e artilerisë, të cilat u ishin rrëmbyer pushtuesve. Po kështu ndodhi edhe me Brigadën e III Sulmuese që u krijua në rrethinat e Tiranës. Artileria e kësaj brigade, u ndihmua edhe nga partizanët italianë, ku një pjesë e tyre pas shpartallimit të Italisë u radhitën në formacionet partizane shqiptare. Nga kodrat e Saukut me urdhër të Komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë, shokut Enver Hoxha artiljerët qëlluan me topa, në Pallatin e Brigadave, Ansamblin Kuislingë, të cilët u shpartalluan dhe nuk gjenin dot vrima, ku të futeshin nëpër bodrume. Kështu 18 tetori i vitit 1943, hyri në historinë e artilerisë si datë e saj. Pas çlirimit, qeveria demokratike e asaj kohe, mori masa për fuqizimin e gjithanshëm të Ushtrisë Popullore, midis të gjitha llojeve të armëve, u rrit dhe arma e artilerisë. Krahas njësive të tjera u krijua dhe regjimenti i dytë i Murtajave. Kjo njësi fillimisht u krijua në Kavajë në fillim me murtaja 107 mm më vonë 120 mm dhe më pas në vitin 1960 me murtaja 160 mm armë nga më modernet të ushtrisë, që kushtonin miliarda lekë. Ky regjiment më pas u dislokua në Berat.

Takimi

Megjithëse, kanë kaluar 20 vjet nga shkrirja e kësaj njësie ushtarake, artiljerët e kësaj armate me një sinjal që dha ish-komandanti i fundit Niko Peçi, u mblodhën në ish-Shtëpinë e Ushtarakëve dhe kujtuan jetën që kaluan gjatë shkëmbimit të kësaj njësie shembullore dhe përqafoheshin me njëri-tjetrin, siç e kishte zakon shoqëria ushtarake. Në këtë takim për jetën, kontributet dhe rëndësinë që kishte ky njësit ushtarak foli ish-komisari i parë i artilerisë, veterani Ohran Frashëri, i cili pasi përshëndeti të pranishmit midis kujtimeve që ai solli, la mbresa tregimi kur njësia ndodhej për stërvitje në rrethin e Skraparit, në provokacionin e 1948 të grekëve. Nga efektivi i regjimentit të artilerisë iu dërgua një telegram Enver Hoxhës, ku shkruhej se: “Jemi gati të hidhemi në sulm, na lejoni shoku Enver Hoxha”, ndërsa ky i fundit iu përgjigj: “Rrini në gatishmëri, po të jetë nevoja u sinjalizojmë ne”. Në këtë takim përshëndeti dhe ish-komandanti i viteve 1973, zoti Poçi.

Ish-komandanti i fundit i repartit të regjimentit, Niko Peçi

Ish-komandanti i brigadës së artilerisë në Berat, Niko Peçi tregon për armatimet e artilerisë të Ushtrisë Popullore dhe historinë e saj gjatë Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, ku artileria e brigadës III Sulmuese nga kodrat e Saukut qëlloi më 18 tetor 1943 asamblenë tradhtare në Pallatin e Brigadave, ku nuk u zhvillua më mbledhja e qeverisë Kuisling pas kapitullimit të Italisë fashiste. “Kjo datë hyri në histori si dita në Ushtrinë Popullore. Në vitin 1947 u krijua regjimenti i artilerisë në Kavajë dhe më pas ai u dislokua në Berat. Në festuam 66-vjetorin e regjimentit të artilerisë në Berat. Fillimisht brigada ka qenë me ngarkesë. Më vonë ajo u modernizua dhe u pajis me armatime moderne, të rënda deri në kalibrin 160 mm. Në këtë brigadë kanë shërbyer mbi 260 kuadro, prej të cilëve 50 për qind e tyre nuk jetojnë më nga krijimi dhe deri në shkrirjen e saj”, tha Peçi.

Ish-kuadri i kësaj brigade, Halim Tusha

Tusha tregon: “Në këtë njësi kam shërbyer 20 vjet dhe kujtoj se kjo njësi ka qenë ndër më të mirat në shkallë vendi, ku në përbërje të saj ka pasur kuadro të përgatitur si: Sotir Zoto, Arqile Koçi, Shefqet Paja e shumë e shumë të tjerë”. Tusha si drejtues i komitetit të partisë në këtë regjiment tregon se aty kishte përgatitje të madhe moralo-politike që nga ushtari i thjeshtë e deri tek kuadrot. Në këtë regjiment kishte një gatishmëri të lartë në çdo moment.

Një histori e hidhur

Ish-ushtarakët dhe artiljerët u shprehën për gazetën se, në vitin 1993 gjysma e artilerisë e këtij regjimenti, me armatime, municione dhe karburante me një urdhër që ende nuk dihet se nga erdhi u dorëzuan në një fshat të Tropojës që quhej Rragam. Si kjo brigadë dorëzuan artilerinë dhe brigadat e tjera, ku qindra gryka zjarri nuk dihet se ku përfunduan. Shumë ushtarakë kujtojnë me indinjatë se ende nuk dihet fati i tyre dhe milionat dollarë të shqiptarëve që ishin harxhuar për të blerë këto armatime. Por ky aksion i nisur vazhdoi edhe në vitin 1996, ku municionet dhe grykat e zjarreve morën drejtimin për në Rragam të Tropojës.