Festat vijnë dhe ikin, shqiptarët me socialistët apo me demokratët, ngelën duarthatë

687
Bardhyl BERBERI 
Pas 105 vjetësh po festojmë Pavarësinë, Pavarësinë që në fakt e kemi përdhosur me bëmat tona. Shumë herë njerëzit ankohen se kanë lindur në kohën apo epokën e gabuar ose në vendin e gabuar. Kjo ndodh me ne shqiptarët, se jemi të zhgënjyer deri në palcë, si nga komunizmi po ashtu dhe nga epoka e re e demokracisë. Shpesh themi se, pse jemi kaq të mallkuar, gjithmonë jemi në vendin e fundit, me një standard jetese mizerabël. A e kuptojmë se jemi në një kllapi depresioni? Jetë boshe! Datat tona historike, të atyre burrave që i kanë dalë për zot Shqipërisë, na janë zvetënuar nga këta karagjozët e sotëm të politikës. Festat jubilare vijnë dhe ikin: Shqiptarët me socialist apo demokratë kanë ngelur duar thatë… Ta mendosh, pas 105 vjetësh nuk kemi zgjidhur akoma çështjen e pronës, për më tepër kemi shkatërruar territorin, jo vetëm me ndërtimet pa leje, kemi shkatërruar lumenj, pyje etj. Kemi abuzuar me pasuritë natyrore, shumicën e të cilave nuk i menaxhuam dot dhe i vumë në eficencë vetëm duke ia dhënë privatit që merr 95% dhe i kthen 5 % këtij vendi. Shqiptarët nuk kanë nevojë për pushtues, i krijojmë vetë kolonizatorët. Ç`janë këto koncesione pa logjikë që pasurojnë në infinit vetëm disa persona të zgjedhur nga qeveritarët?! Thërrasim në ndihmë FBI-në të na luftoje krimin dhe drejtësinë po ia lëmë të huajve. Droga është bërë sikur të jetë një lëndinë me lule. Atëherë kam një grup pyetjesh: 

• Për çfarë na duhet Pavarësia? 
• Për çfarë na duhen simbolet? 
• Vetëm për të brohoritur për kombëtaren e futbollit? 
Që ta gëzojmë Pavarësinë nuk kemi nevojë vetëm për ndërrim pushtetesh apo qoftë dhe ndërrim “elitash”, kemi nevoje për një rend të ri ekonomik dhe shoqëror. Kemi nevojë për intelektualë të zot nëpër poste drejtuese e jo për dështakë me diploma false apo me korrespondencë që i kanë blerë ato për të marrë një karrige të madhe për t`u krekosur dhe për të zhvatur djersën e popullit duke shkatërruar institucionet. Zgjedhja e drejtuesve me konkurs është një farsë bajate që shqiptarët po e shohin çdo ditë, se karrigen nuk e marrin ata që e meritojnë, por ata që do deputeti i zonës apo kryetari i partisë në rreth. Gjithçka është e parcelizuar nga deputetët apo kryetarët e partive në rrethe që e kanë shndërruar postin e tyre në një lopë që e mjelin çdo ditë, në fillim me të afërmit e tyre dhe më pas me ata që u japin poste u marrin haraçin e karriges së pamerituar që iu kanë dhënë. Nejse, hajde gëzuar Pavarësinë Shqipëri, atë Pavarësi që na i kanë përdhosur këta pseudo politikanë.
Sigal