Festa e Pashkëve nën masa të rrepta sigurie

630
Besimtarët katolikë e ortodoksë kremtojnë sot festën e pashkëve. Mesnatën e djeshme mijëra besimtarë kanë marrë pjesë në meshat e kishave ortodokse e katolike, të cilët ruheshin nga masa të rrepta sigurie. Nën mesazhin “Krishti u ngjall” besimtarët janë lutur për më shumë paqe e begati në këto kohë të trazuara për mbarë globin.

Por, krahas pranisë së besimtarëve, ajo që është vënë re pranë institucioneve fetare ka qenë prania e forcave të shtuara policore, por edhe atyre të RENEA-s. Ndërkohë, qen antieksploziv kanë mbushur sot sheshin “Nënë Tereza” ku është zhvilluar një koncert.

“Masa jo për panik, por për të krijuar një ambjent sa më të sigurtë për të festuar festën e Pashkëve”, shkruan zëdhënsi i policisë së Shtetit në një postim në facebook.

Ndërkohë, zyrtarë të lartë pritet të zhvillojnë vizitë në Kishën ortodokse dhe atë të Vëllazërisë ungjillore, ndërsa në Kishën Katolike, që prej Krishtindjeve të kaluara nuk do të ketë pritje për politikanët.

Pak ditë më parë ambasada amerikane u bëri thirrje qytetarëve të saj të kenë kujdes, pasi ekziston frika e sulmeve terroriste. Policia iu përgjigj menjëherë duke shtuar masat e sigurisë.
Sigal