“Festa e dijes…!”

1043
Evdal NURI 

1. Jo s’i vitin e kaluar! 
Më kujtohet si tani. Në datën 7-Mars, dëgjova leximin e gazetave. Vetëm dy- tre prej tyre kujtonin kalimthi këtë festë! Televizionet i patën kronikat të kursyera e me pakicë. Si zakonisht jepnin; vrasje, dhunime e gjithçka që të tronditin, shqetësojnë e s’të edukojnë! 

Kjo është festa e dijes! Si ka mundësi që në një nga 365 ditët e vitit të mos i kushtohet vëmendje kësaj dite kaq të bukur e kuptimplote?! Vetëm politikë gjatë gjithë vitit! U tha: “Nuk ka ditë më të trishtë për arsimin! Jeni duke përjetuar një situatë terrori, theksohej në shumë kronika” Ne do t’i përgjigjeshim : “Na e lini ne këtë ditë!” Ne dimë më tepër, ju kemi mësuar e edukuar. Shumë probleme, mund t’i zgjidhim më mirë se ju. I lini sherret për një ditë të paktën e uroni ata që ju kanë mësuar!. Bëni një vizitë tek ndonjë mësues që e keni dashur shumë!. Nëse s’është gjallë, vizitoni familjen e tij e i thoni fëmijëve që prindi juaj më ka mësuar dhe ka ndikuar të jem ky që jam tani! Sa do t’i gëzonin ata e gjithë të tjerët! 

2. Respekti i merituar për mësuesin! Sa herë që vjen 7- Marsi shumë mësues, por dhe nxënës, i kap laku i ëmbël i nostalgjisë. Të vijnë para sysh emra, data, dialogë, mbresa, emocione, fytyrskuqje e, mes tyre është dhe ai Mësuesi, një portret fisnik i çdo kohe me përkushtimin e tij. Në këtë galeri të gjerë të personazheve do të veçoja mësuesit e mi. Kujtova dhe urova për 7-Marsin ish-mësuesit mi. Nuk i harroj dhe pse kanë kaluar 40 vjet. Ata më mësuan se si të bëhem mësues. Respekt e mirënjohje për mësuesen e klasës parë F. Cici! Kujtoj; S. Kamenikun, N. Lavdarin, E. Xinxo, P. Vakëflliu, S. Lakra, L. Nushin A. Sula e shumë të tjerë. Nga secili morëm më pozitiven dhe e vumë në jetë në punën me nxënësit në qytet dhe në fshat , duke marrë mbi supe edhe një trastën me ushqimet e javës. S. Mborja përdori biçikletën për 38 vjet në fshatrat e Beratit e asnjëherë s’tha, më bini në qytet e asnjëherë, se u lodha, por u kalita! Në mënyrë të veçantë kujtoj punën pasionante e të lavdërueshme të mësuesit novator Hysen Mezinit. Me pasion përgatiti një Kabinet Biologjie. Me mijëra mjete mësimore ishin krijuar nga ky mësues për konkretizimin e mësimit. Ai kabinet u kthye në një qendër përvoje për gjithë mësuesit e biologjisë në Shqipëri, Kosovë e më gjerë! Ai tani është vlerësuar me titullin: “Nderi i qytetit të Beratit”. Kujtuam ata që na mësuam, por dhe ata që mësuam. i mësuam jo pak, por katër dekada. Gjithë jetën mësuam vetë për të mësuar të tjerët. Më uruan shumë nxënës, edhe pse kanë kaluar vite. Akoma ruaj kartolina që më kanë dhuruar nxënësit. Shikoj me nostalgji ditarin e fletoren e notave të nxënësve, që i ruaj me kujdes. Në kohën tonë dhurata më e çmuar për 7 Marsin, ishte një tufë me lule, një kartolinë, si dhe fjalët e ngrohta të shkruara mbi to. Të gjithë ne punuam me përkushtim dhe pasion. Të gjithë nuk kemi lënë asnjë boshllëk, që koha të na e rëndojë ndërgjegjen tonë. Kemi punuar e mësuar për vete, por dhe për të tjerët. Më tepër në fshat sa në qytet, ndërkohë jemi marrë dhe me aktivitete kulturore – sportive. Secili nga ne ka zhvilluar rreth 30.000 orë mësimi. Mbi 60.000 herë ka trokitur zilja në veshin tonë. Sa shumë janë edhe pse s’na besohet!

Punë e lodhshme kjo e mësuesit !
Këto kujtoja me shokët e mi mësues, Prof. Dr. Hysen Kordhën , H. Gurin , A. Nurellarin , D. Kajo, D. Papën, S. Dardhën, D. Molishtin , E. Qafën. Secili në pozicionin e tij tregonte punën , sakrificat në fshat e qytet për mësimin e edukimin e brezit të ri. Do të shpjegosh edhe kur s’je mirë fizikisht edhe kur nga ana shpirtërore je i rënduar. Dihet se mësuesi është më i dituri, por tani më pak i respektuar. Ai ka punuar dhe me shqetësimet e ’91-shit dhe në trazirat e ’97-s. Asnjëherë nuk është paguar me 80% ose të ketë dalë në asistencë. Asnjëherë s’na shkonte në mendje për të zhvilluar kurse për të marrë ca lekë më shumë. Kursi më i mirë për ne ishte zhvillimi i orës së mësimit me efikacitet e me metoda frutdhënëse! I tillë ka qenë mësuesi që e mbante të lidhur me arsimin, jo ana materiale, por dashuria për profesionin për të dhënë dituri e dije nxënësve. Këto na japin kënaqësi, prandaj them:”Po të më jepej mundësia të filloja nga e para, pa hezitim do të zgjidhja profesionin e nderuar të mësuesit”. 3- Ankesat e ish-nxënësit ! Një ish-nxënësi im, tani mësues më tha : “E mbyllët me nder profesor. Ishit të nderuar e respektuar. Ju rinim ‘gatitu’ e ju dëgjonim si të ishit ‘perëndi’. Punoj në një shkollë private . Mundohem e përgatitem shumë se dhe lëndën e kam të vështirë . Në klasë vetëm 5-6 nxënës të dëgjojnë. Të tjerët si i bien i marrin çamtat. Ata janë të pavëmendshëm, merren më celular, që s’ia heq dot. Kur i pyet të thotë nga vendi që s’di gjë. Kur i thua katër të thonë, vëre se vet do ta besh pesë. Kur mbushin numrin e mungesave pa arsye, s’e përjashton dot, se duhet marrë pëlqimi nga lart. Po u largua nxënësi, ikën dhe kuota mujore që ai jep, prandaj ai e ka të qartë se nuk e përjashton njeri. Shpesh nxënësit të thonë, se ne të mbajmë në punë, kurse eprorët ngulmojnë merre dhe edukoje, është mangësi e punës tënde. S’di ç’të them ! Jam shumë i mërzitur , por dhe s’kam ku të shkoj! Kështu ka ardhur puna, lësho të lëshojmë ! Ai kishte të drejtë. Kush e filloj e s’e mbaroi shkollën? Sa pak kohë i kushtojnë përgatitjes!”

Në kohën tonë kushtet ishin jo të mira, por dëshira për të mësuar shumë e madhe, respekti i admirueshëm. Ne punonim në kushte jo s’i këto të tanishme, por ishim të respektuar e të nderuar, jo vetëm nga nxënësit, por dhe nga shoqëria ! 4. Pse tani respekti për mësuesin është “venitur”?!

Këtë e ndjen dhe mbarë shoqëria. Mos vallë e ka fajin ekonomia e tregut ? Tranzicioni i zgjatur që ka humbur interesi për shkollën ? Mos e kanë fajin diplomat e blera? Politizimi i shoqërisë edhe viktimizimi i mësuesit prej saj. Tani kjo festë është kthyer në “një garë”, kush i bën dhuratën më të shtrenjtë mësuesit. Kjo e shprehur në “zarfe” ose dhurata të tjera të çmuara . Një nxënës me të qeshur më tha: “Edhe ne kemi ‘festë’. Nga dhurata që do t’i bëjmë mësuesit do të vlerësohen dhe dijet tona.” Kjo është sa e padrejtë, aq dhe pamoralshme. Mësuesit do t’ua shpërblejë këtyre nxënësve me një notë të pamerituar. Këta nxënës nuk kanë për t’i kujtuar kurrë këta mësues. Ato që do të kujtojnë e do t’ju mbeten në mend, do të jenë dhuratat e ndryshme apo lekët që kanë harxhuar e jo respekti. Sa mirë do të ishte që mësuesit e sotëm të merrnin gjithçka pozitive të paraardhësve e këto t’i çonin më lart, me ndershmëri e përkushtim! 



Sigal