Festa – 7 Marsi, lulet e dhuratat si mirënjohje për mësuesit

1358
Buqeta të larmishme lulesh, pako dhe dhurata të shumta kanë mbushur sot shkollat si shenjë për të uruar dhe falenderuar mësuesit për punën që bëjnë me nxënësit. Këta të fundit kanë zgjedhur forma të ndryshme për të uruar 7 Marsin.

Zilja e orës së parë sot ka qenë ndryshe për të gjithë nxënësit dhe mësuesit në Shqipëri. Të veshur bukur, me plot buzëqeshje, nxënësit i janë drejtuar dyerve të shkollave.

Buqetat me lule vazhdojnë të mbeten një traditë për 7 Marsin, festën e mësuesit, por nuk mungojnë edhe dhuratat e tjera si shenjë mirënjohjeje nga nxënësit për mësuesit.

Në klasat parashkollore dhe ato fillore festa ka nisur që në mëngjes brenda ambienteve të klasave, ndërsa më të rriturit kanë planifikuar të festojnë pas orarit të mësimit.

Më 7 mars 1887, plot 130 vite më pare, u hap mësonjtorja e parë shqipe në Korçë, e prej kësaj kohe çdo vit nxënës dhe mësues festojnë këtë ditë.
Sigal