Fermerët paguajn kontributet por banda e postës i grabiste

965
Sigal

Shpartallohet Posta e Korçës. Pas grabitjes së 15 milionë lekëve të pensionistëve, zhduken edhe 20 milionë të tjera që bujqit paguanin për vetësigurimet. Arka priste mandatet, por lekët nuk derdheshin në bankë. Historitë me “Ruzhdie” të Rilindjes dhe 7 pyetje për drejtuesit dhe prkurorinë

Ende pa u tharë vula e skandalit të vjedhjeve të parave të pensionistëve të Pogradecit ku postieri mori 15 milionë lekë dhe u arratis në drejtim të paditur, një tjetër skandal ka përfshirë për të disatën herë postat e Qarkut të Korçës. Madje rasti, të cilin do ta trajtojmë më poshtë vazhdon të mbahet sekret për shkak të imazhit të drejtuesve të kësaj poste, të cilët në bashkëpunim edhe me mbrojtësit krahinorë në parlament dhe institucionin qendror, e kanë shpartalluar këtë shërbim duke lënë pensionistët pa para dhe fermerët e fshatit pa sigurimet e bujkut. Në këto raste dy janë rrugët dhe arsyet e vjedhjes së hapur dhe flagrante, e cila me sa duket ka trembur frikën, pasi këto lloj çmendurish nuk kanë ndodhur as në vitin e zi dhe të tmerrshëm të 1997-s.

E para, punonjësi i postës, arkëtari dhe përgjegjësi kanë mbështetjen dhe orientimin e titullarit kryesor dhe ndajnë së bashku fitimet duke anashkaluar kontrollet dhe raportimet për derdhjet ditore. E dyta, ka të bëjë me suportin politik dhe elektoral, pasi këta njerëz sjellin disa vota dhe harrojnë që pakënaqësitë janë shumë herë më të mëdha se sa ata një grusht njerëzish që mblidhen me parulla në ditët e fushatës. Dhe faktet tregojnë, sikurse ishte rasti i para 1 muaji kur në një nga pikat e Pogradecit që varen nga Qarku i Korçës, postieri merr mbi 15 milionë lekë dhe zhduket “pa nam e nishan”. Ku është përgjegjësia, do të thotë dikush, pasi postieri edhe mund të çmendet?! Është e vërtetë dhe ndodh që një person, në rastin konkret është postieri tregohet i papërgjegjshëm dhe merr paratë dhe arratiset nga sytë këmbët. Por, ai do ikte jo me 15 milionë lekë por me 3 milionë lekë. Sepse ligji e ka të përcaktuar që postieri merr jo më shumë se 3 milionë lekë dhe kur sjell faturat të firmosura, i jepen paratë e tjera. Kështu që do ishin kursyer paratë, të cilat do i paguajë shteti, në rastin konkret posta. Të mos harrojmë se posta dhe drejtuesit e postës nuk i paguajnë nga xhepi, por ato janë para të taksapaguesve shqiptarë dhe që dalin nga xhepat e qytetarëve të varfër, por që majmin hajdutët me mbështetje nga titullarët dhe politikanët lokalë dhe deputetët apo kandidatët partiakë për deputet. Dhe në këtë rast, a u mor ndonjë masë administrative dhe ligjore për titullarët, për shkaktuesit e dëmit?! Deri tani asnjë nëpunës nuk është ndëshkuar, qoftë edhe për shpërdorim detyre. Dhe Korça është qarku më problematik këto vitet e fundit dhe kjo jo rastësisht, por për shkak të suportit të politikës lokale, dhe asaj qendrore, pasi votat janë mbi gjithçka dhe për grumbullimin e votave , paratë nuk duhen kursyer. Por le t’i kthehemi super skandalit që u mundua të mbahej i fshehtë. Flitet nga banorët e Maliqit, Voskopojës dhe Korçës se ata që shkaktuan këtë marrëzi kanë mbështetjen e deputetëve të zonës dhe njihen si mbështetës dhe shoqërues takimesh të kryeministrit Edi Rama.

20 milionë lekë të sigurimeve të bujkut dhe pensioneve janë zhdukur vetëm në Voskopojë

Përgjegjësit e shërbimit postar dhe arkëtar në bashkëpunim me njëri-tjetrin prisnin faturat e sigurimeve shoqërore që fshatarësia e zonës bënte në bazë të VKM, ku 50% i paguante fermeri (bujku) dhe 50% ua paguante shteti. Deri këtu gjithçka është brenda të gjitha rregullave dhe normave që një qeveri humane dhe e përgjegjshme i bën shtetasve të vetë. Dhe fermerët apo bujku vete dhe paguan 50% e pjesës së vet që afërsisht është 350 mijë lekë në vit. Nga ana tjetër edhe shteti paguan pjesën e vet ( 350 mijë lekë) dhe në këtë mënyrë garantohet një pension i pranueshëm dhe ruhet vazhdimësia e sistemit të sigurimeve shoqërore për fshatin. Por si u zbulua skema e mashtrimit me sigurimin e fermerëve. Disa prej fermerëve-bujq, pasi dalin në pension ankimojnë shumën e caktuar nga sigurimet shoqërore, e cila sipas fermerit ishte shumë e ulët dhe e barabartë me 50% të asaj çfarë u ishte premtuar, nëse bënin sigurimin vullnetar. Ndërkohë që fermerët dhe specialistët e ISSH , verifikuan dokumentet që ishin dërguar nga posta e Korçës dhe dokumentet (mandat arkëtimi ) që kishin vetë fermerët me firmën dhe vulën e Postës së Korçës. Dhe çfarë ndodh? Fermerët që kishin paguar pjesën e tyre 50% , dispononin dokumentet dhe mandate pagesat. Por punonjësit e postës së Voskopojës, paratë e derdhura nga fermerët nuk i kishin çuar në bankë ,për llogari të sigurimeve shoqërore por i kishin përvetësuar duke i quajtur si para të xhepit të tyre. Kështu që fermerët, edhe pse kanë disa vite që paguajnë sigurime rezultojnë si debitorë në ISSH ose e thënë ndryshe nuk figurojnë si të vetësiguruar pranë ISSH-së. Ndaj dhe pensioni u është llogaritur sa gjysma e vlerës reale që ata kanë paguar. Përveç parave që duheshin derdhur për vetësigurimin vullnetar të bujkut, mungojnë edhe shumë pensione, të cilat janë tërhequr dhe personat nuk i kanë marrë, pasi janë jashtë shtetit ose i kanë lënë t’i tërheqin në fund të vitit. Edhe për këta ka nisur alarmi. Po ku është prokuroria e Korçës? Si ka mundësi që shumë skandale të postës së Korçës mbyllen? Kush dhe kujt i është zënë ‘koka me derë’ në organin e akuzës së Korçës? Për këtë Prokuroria e Përgjithshme dhe znj Arta Marku duhet të nisë investigimin, pasi rastet janë të shumta dhe skandaloze. Por le t’i kthehemi ngjarjes së radhës në postën e Korçës. Bujqit na kujtojnë humorin e estradës së Fierit në kohën e të madhit Luftar Pajo dhe Pëllumb Kulla, ku Canja –bujku kishte për detyre të ruante lopën. Bujqit e kanë bërë mirë detyrën e vet duke paguar pjesë që i cakton VKM-ja. Ndërsa hajduti që vodhi lopën (paratë e sigurimeve) po na del pastër si kristali, madje duke tentuar ta mbyllin sa më shpejt pa rënë në sy. Interesimit për vjedhjen e Voskopojës, drejtues të Postës së Korçës, që nuk duan të bëhen publik, u përgjigjën se përgjegjësia është personale dhe prokuroria le ta arrestojë dhe të çojë në burg personat përgjegjës. Kurse personat e implikuar hedhin akuza për lidhje me dy drejtues të rëndësishëm lokalë me të cilët pretendohet se ndaheshin fitimet.

A ekziston mundësia që paratë e bujqve të jenë ndarë në dy apo tre pjesë ?

Përgjigjet e këtyre pyetjeve do i gjeni tek banorët e Voskopojës dhe punonjësit e thjesht të postës që i dinë mirë me emër dhe mbiemër dhe që kanë qenë palë e pazareve të pista dhe ndarjes së parave me ata që duhej të ishin në burg prej kohësh pasi kanë pirë gjakun e të bujqve të varfër. Nga ana tjetër suporti i ndonjë drejtuesi në Postën Qendrore që ha e pi buzë liqenit me drejtues të korruptuar, ndërkohë që rrjeti social “JOQ” tregoi kushtet skandaloze në ambientet e shërbimit postar të pikave të Korçës. Pas saj do publikohen skandale që i kalojnë mbi 100 milionë lekë, ndëshkim nga gjykatat dhe disa skandale të tjera ekonomiko-financiare në institucionin qendrorë nga ata që hanë mish e pinë raki në fushatat elektorale. Por ajo që është më emergjente ka të bëjë me faktin që Drejtori i Përgjithshëm i Postës Shqiptare, z. Duraj, i cili meriton respektim maksimal për përkushtimin dhe vlerat organizative, të nisë kontrollet në posta dhe të ndëshkojë drejtuesit me lidhje nga baza në qendër, përpara se të plasin skandalet, të cilat i ka të trashëguara nga paraardhësit e tij, zëvendësit e tij aktualë por edhe drejtuesit e korruptuar lokalë, fatkeqësisht të emëruar nga pushteti aktual.

‘RILINDËSIT’ PËRSËRISIN HISTORINË, PAS “RUZHDIES” SË FIERIT, SHFAQET “RUZHDIA” E VOSKOPOJËS. JA 7 PYETJET PËR DEPUTETIN E ZONËS DHE DISA NËPUNËS TË LARTË NË QENDËR DHE NË POSTËN E QARKUT KORÇË:

1. A kanë shkuar në lokalet e Voskopojës drejtues lokalë të postës?

2. Kush e bënte porosinë në lokale dhe kush ishte pritësja e porosisë?

3. Kush e preferonte më shumë lakrorin në saç të Voskopojës ?

4. Po pulat e fshatit me pilaf dhe thërrime me arra, që ua ka bërë qafën si kaposh deti miqve nga Korça?

5. Po petulla të fshira me hudhra, kush i preferonte më shumë?

6. A ka lidhje skandali i vjedhjes me faturat me drejtuesen lokale dhe ata të qendrës në Korçë?

7. A ka ardhur ndonjë drejtues i lartë nga Tirana dje në Korçë dhe cilat janë lidhjet mes objektit dhe subjektit të këtij skandali?