Fëmijët dhe rreziqet nga temperaturat e larta të stinës

865
Temperaturat e larta në verë kanë ndikim negativ në organizmin e fëmijës. Fëmijët janë të ndjeshëm ndaj efekteve të këtyre temperaturave sepse metabolizmi i tyre ndryshon nga metabolizmi i të rriturve, qendra e rregullimit të temperaturës është e papjekur, aftësia për djersitje është më e paktë, masa e trupit është e vogël, po ashtu edhe vëllimi i gjakut. Gjithashtu, ata mbështeten tek të tjerët për të rregulluar temperaturën e mjedisit të tyre apo dhe për të siguruar marrjen e lëngjeve të nevojshme. Në stinën e nxehtë fëmija duhet veshur me rroba të lehta pambuku, po ashtu kur vihet në gjumë. Fëmija duhet larë me ujë të vakët, dhe kur ka puçrra lëkura duhet tharë lehtësisht me peshqir. Temperaturat e dhomës të mos jenë të larta dhe ajri të qarkullojë. ISHP bën thirrje që të mos ekspozohen fëmijët në diell deri në moshën gjashtë muaj. “Përdorni kapelë me strehë të gjerë për të gjitha moshat; u lagni flokët shpesh, u vini syze dielli me filtra të veçantë mbrojtjeje, të certifikuar me markën CE; përdorni produkte për fëmijë me faktor mbrojtës jo më pak se 20, dhe në javën e parë të ekspozimit në diell përdorni produkte rezistente ndaj ujit dhe djersës me faktor mbrojtës jo më pak se 50; u vishni rroba të gjera prej pambuku ose liri”, thuhet në grupin e këshillave.

Çfarë shkakton vapa te fëmijët: 
• Iritim të lëkurës nga nxehtësia, puçrrat e vapës. Puçrra të vogla të kuqe shfaqen në pjesët ku trupi është më i nxehtë, sidomos në qafë, fytyrë, bërryla dhe poshtë gjunjëve.
• Çrregullime diareike. Diarreja karakterizohet nga të dala të ujshme e të shpeshta të fëmijës (6-7 herë në ditë te foshnjat). Diarreja është më e shpeshtë te fëmijët nga 6-muajsh deri në 2 vjeç.
• Të vjella. Diarreja mund të shoqërohet edhe me të vjella, e cila është shenjë e infeksioneve të shkaktuara nga viruset apo bakteret. Infeksionet nga viruset apo bakteret shfaqen më shumë në muajt e verës dhe shkaktohen nga temperaturat e larta apo nga ushqimet e infektuara.
• Herpes simplex është infeksion i lëkurës i shkaktuar nga virusi me të njëjtin emër, shfaqet në formën e plagës dhe kalon nga prindërit tek fëmija me anë të puthjes. Lëkura skuqet dhe shfaqen puçrra të vogla rreth buzës dhe poshtë hundës, të cilat bashkohen dhe formojnë plagë. Fëmija duhet çuar te mjeku, dhe nuk duhet lejuar të prekë fytyrën.
• Goditje nga dielli si pasojë e ekspozimit të fëmijës në rrezet shumë të forta të diellit. Fëmija djersin, humbet lëngjet dhe dehidrohet.
Si t’i mbrojmë fëmijët nga dielli
Foshnjat nga 0-6 muaj
Foshnjat nga 0-6 muaj nuk duhet të mbahen apo të ekspozohen në diell. Lëkura e tyre është shumë e ndjeshme nga dielli dhe ka pak melanomë, pigmenti që i jep ngjyrë lëkurës, flokëve dhe syve, dhe që siguron një mbrojtje nga dielli. Prandaj, foshnjat janë veçanërisht të ndjeshme ndaj efekteve të dëmshme të diellit. Përdorni mburojat e lëvizshme në dritaren e makinës për të mbrojtur fëmijët nga rrezet që vijnë përmes dritares. Shëtitini me karrocë herët në mëngjes përpara orës 10 dhe pas orës 17, duke përdorur mbrojtësen e diellit që kanë karrocat. Vishini me rroba të lehta pambuku të cilat mbulojnë krahët dhe këmbët. Zgjidhni një kapelë të gjerë që t’i mbrojë fëmijës fytyrën, qafën dhe veshët. 

Foshnjat nga 6-12 muaj
Foshnjave apo bebeve në këtë moshë duhet t’u përdoret krem mbrojtës ndaj diellit. Mbrojtja është e njëjtë si te foshnjat e vogla, vetëm tani duhet të përdoret edhe kremi i diellit. Përdoren kremra me faktor mbrojtës mbi 20, dhe lyhen pjesët e zbuluara të fëmijës. Shumë e rëndësishme është që kremi t’i vihet foshnjës rreth 30 minuta para se të dalë jashtë, t’i rivihet prapë çdo dy orë, pas larjeve në det apo nëse është djersitur shumë.

Fëmijët e vegjël 1 vjeç deri në 6 vjeç
Sigurohuni që fëmija të rrijë në hije nga ora 10-17. Kontrolloni mjedisin e jashtëm ku fëmija juaj luan për t’u siguruar që ka hije të mjaftueshme. Sigurohuni që fëmija të jetë i veshur me rroba të lehta pambuku, të lyhet me krem mbrojtës me faktor mbrojtës mbi 20 që të jetë rezistent ndaj ujit. Fëmijët duhet të mbajnë kapelë dhe syze dielli. Kapela duhet të jetë e gjerë që t’i mbrojë qafën, fytyrën dhe veshët.

Rregulla të arta për të nxehtët:
• Mos dilni në orët e nxehta!
• Vishni rroba të lehta!
• Pini 2 litra ujë në ditë dhe hani sa më shumë fruta!
Sigal