Fauna në Elbasan, drejt zhdukjes; policia edhe pyjorja heshtin!

4584
Sigal

Kreu i shoqatës Demir Leka: Në zona të tilla si Stebleva, Stravaj, Gjinari etj., vështirë të gjesh shpendë dhe kafshë të egra

Pakësimi i faunës së egër në Shqipëri është një fenomen që është bërë shumë shqetësues këto tre apo katër dekadat e fundit dhe sidomos dhjetëvjeçarin e fundit. Tregues ky që nxjerr ende në dukje ndikimin tonë negativ mbi këtë fenomen. Rrezikimi dhe pakësimi i faunës ka nisur që në vitet ‘50-‘60, periudhë kjo në të cilën u prishën shumë habitate natyrore me qëllimin e hapjes së tokave të reja bujqësore. Shumë kodra u shpyllëzuan, shumë zona moçalore u bonifikuan dhe e gjithë kjo për tu përdorur nga bujqësia me qëllimin e shtimit të tokave të bukës. Por, ajo çka është edhe më paradoksalja është se shumica e këtyre territoreve që u hapën me aq ngulm dhe përpjekje sot rezultojnë të lëna djerrë.

SHKAQET

Pas viteve ‘90,  si pasojë ndoshta  edhe e mungesës së kontrollit apo vetëdijes, filloi ndërhyrja barbare e njeriut mbi ekonomitë pyjore dhe rezultati deri në ditët e sotme është i dukshëm: shumica e pyjeve në vendin tonë janë shumë të degraduar. “Këta janë fakte më se të rëndësishme që kanë çuar në pakësimin e habitateve të përshtatshme për rritjen dhe folezimin e shumë specieve që më parë kanë qenë shumë të populluara në Shqipëri”- thotë për  gazetën “Telegraf”, Demir Leka, Kryetar i Shoqatës së Gjuetarëve sportivë. Sipas tij, sikur të mos mjaftonin këto, vitet e fundit është shtuar edhe një fenomen tjetër po kaq i rrezikshëm, gjuetia e paligjshme e cila po bëhet si një gangrenë për të gjithë ne gjuetarët. Vitet e fundit, ndoshta edhe si pasojë e rritjes së mundësisë për zotërimin e një arme gjahu pasi tani mundësitë për ta blerë i kanë pothuajse pjesa më e madhe e popullsisë ka bërë që dhe, numri i atyre që ushtrojnë sportin e gjuetisë është të rrite dita ditës  më shumë. Por, ndërsa deri para 10-15 vjetësh ata që e ushtronin këtë sport ishin të një kategorie disi më të përgjegjshme dhe “profesioniste” që njihte speciet dhe sezonet e gjuetisë për secilën, sot mund të gjuajë kush të mundet, ku dhe kur të mundë dhe ku të duan ata po problem fare.

ZONAT E PREKURA

Edhe në parqe dhe zona të mbrojtura nuk mungojnë raste ekstreme, si në Zonën e Mbrojtur “Rrajcë, e cila është e kategorisë së I-rë, Nënëz, Sopot, Polis, Stravaj, Gjinar, Rezervatin Kuturman, Shëbëniksi dhe Parku Kombëtar Jabllanicë-Shebenik. Demir Leka, thotë më tej se, ka mjaft probleme nga gjuetarë të ndryshëm. Në Qarkun e Elbasanit janë rreth 5 000 mijë armë gjuetie, ku numrin më të madh e zë Elbasani me rreth 2 500 armë e me radhë Librazhdi, Gramshi, etj.. Gjithashtu, ka edhe shumë  gjuetarë të huaj që vijnë nga jashtë, të cilët gjuajnë në mënyrë kolektive dhe mjaft barbare. Shqetësues është mosrespektimi i afateve të sezonit të gjuetisë dhe përdorimi i aparateve imitues.  Shumë shpendë gjuhën, e madje mund të shfarosen nga përdorimi i këtyre aparateve. Shumë e përhapur është kjo metodë në gjuetinë ndaj shkurtës (Coturnix coturnix), thëllëzave, nga gjuetarë vendas apo edhe të huaj, sidomos ata italianë, apo edhe në gjuetinë e rosave dhe bajzave (Fulica atra) në shumë zona të tjera. Problematike është situata në ditët e pragut të Vitit të Ri, ku shumë gjuetarë të ndryshëm më leje dhe pa leje fillojnë dhunshëm gjuetinë në disa prej zonave, sidomos Shebeniku, Stebleva, Polisi, Gjinari, ku ka pasur vrasje të kafshëve të egra për lokalet që bënin porosi. Sipas Hekuran Rezhdës një nga gjuetaret e vjetër “duhet të kontrollohet gjuetia, madje kur të dilet për gjueti duhet që të merret edhe leje nga shoqata ku aderohet”.

PASOJAT

Specialistët japin dhe pasojat e masakrës mbi faunën e egër. “Më të ndikuara nga të gjitha këto fenomene janë speciet autoktone (jo shtegtare). Shumë shqetësuese është zhdukja e fazanit (Phasianus colchicus), pakësimi i deri në rrezik zhdukjeje i thëllëzës së fushës (Perdix perdix), thëllëzës së malit (Alectoris graeca) si edhe e lepurit të egër (Lepus europeus). Ndërkohë, shumë shpendë kalimtarë ose dimërues në vendin tonë prej disa vitesh nuk janë konstatuar më, siç janë: pula me mjekër (Otis tarda), pula e livadheve (Otis tetrax), disa lloje rosash dhe patash, mjellma (Ganus ganus) e shumë të tjera. Nga anëtarët e gjuetisë derdhen çdo vit miliona lekë, ku nga këto lekë përfitojnë: Organet e Shërbimit Pyjor, bashkitë e komunat si dhe vetë shoqatat  dhe asgjë nuk është bërë në këtë drejtim për mbrojtje e faunës dhe florës. Nuk ka një Proces gjyqësor, një dënim për persona të ndryshëm të cilët çdo ditë zhdukin mijëra lloje kafshësh”,- pohon Leonard Lushi.