Fatos Çoçoli: Andrea Stefani, mbrojtësi i të mirës publike

500
Sigal

Publicisti, shkrimtari, analisti,
aktivisti i së drejtës social-shoqërore Andrea Stefani, me natyrën e tij sa të
sertë e shpërthyese, po aq gati naive në dëlirësinë e saj pa kushte, me gjykimin
e thellë e logjikën e hekurt, me ironinë therëse e erudicionin e fituar nga
leximi i mijëra librave, ishte i aftë të bënte admirues dhe vlerësues, si edhe
shumë armiq e kundërshtues. Pena e tij ishte sa e rrjedhshme dhe e pasur në
shprehje, aq sfiduese dhe stigmatizuese. Fuqia e tij deduktive dhe furia
krahasuese nuk njihnin masë, kur bëhej fjalë për të mbrojtur një ide që e
quante të drejtë dhe të dobishme. Nuk diti(ose më mirë nuk donte) kurrë të
luante populistin. Në fushëbetejën e shkrimeve dhe debateve televizive, forca e
tij herkuliane buronte nga karakteri i paepur. Polemist i lindur, nuk tutej
kurrë nëse shkonte kundër rrjedhës. Nëse shumica ose gati të gjithë e mendonin
ndryshe nga ai. Nuk bënte kurrë kompromis me të vërtetën, të thoshte një gjysmë
të vërtetë apo të heshtte kur e vërteta ishte e hidhur dhe shumica kërkonin ta
fshihnin apo varrosnin. E tillë shkoi e gjithë jeta e tij, që mbaroi dy ditë më
parë kaq shpejt dhe tragjikisht nga sëmundja e Mijëvjeçarit. Njeriu që gati në
çdo shkrim të tij kishte një thënie apo referencë të veprës apo mendimit të
Frensis Fukujames, filozofit të demokracisë amerikane, ishte në vendin tonë të
vështirë kampion i së vërtetës lakuriqe. Asaj të vërtete që shpesh nuk e duam,
që na vjen zor ta përmendim apo kemi frikë ta themi. Të paktën ashtu si e
mendonte apo e shihte ai këtë të vërtetë. Dhe në të qenit kaq i imunizuar nga
tundimet e parasë, makiavelizmit politik, ndikimeve të seksit apo lidhjeve
nepotike që e kanë sëmurur dhe zhvlerësuar kaq shumë shoqërinë tonë, zëri,
mendimi, opinioni i tij do t’i mungojë interesit, të mirës publike shqiptare.
Pavarësisht se sa kuptohej, pavarësisht nga thellësia, brishtësia apo forca e
argumenteve të tij, ai ishte në zonën e minuar të shtypit dhe mjeteve masive të
informimit publik, një kampion i mendimit të lirë, si rrallë kemi apo do të
kemi të tillë mes nesh. Ishte shndërruar në një pikë referimi për njerëzit e
thjeshtë që kërkonin një gjykim të pavarur, larg aradhes së stërmadhe të
kalemxhinjve të paguar nga biznesi i lidhur me partitë politike. Dhe si i
tillë, një mbrojtës i së vërtetës, pavarësisht se atë mund të mos e kishte
gjithnjë pas vetes. Betejat e tij për të mirën publike, si në faqet e shtypit
shqiptar, edhe në veprimet më të angazhuara të protestave publike apo aktivizimit
në shoqërinë civile, nuk kishin asnjë sfond interesi për fitim fondesh
donatorësh apo pëlqimi bosësh partiake të rrethuar nga sipërmarrës me sytë dhe
duart tek tenderët publikë. Ato buronin nga kredo-ja e tij e luftës për të
vërtetën, të drejtën. Kishte nga ata që e mendonin një show-man(spektakël-bërës)
apo narcizist (njeri që pëlqen së tepërmi vetveten), por gaboheshin rëndë. Jeta
e tij e thjeshtë, e pastër, dashuria dhe përkushtimi për familjen të provonin
se Andrea ishte veç një kampion i mendimit të lirë, i gatshëm të injoronte dhe
hidhte poshtë me neveri çdo ofertë apo tundim për fitim parash apo karriere
nëpërmjet vasalizmit mediatik, i formës më të hapur apo të fshehur e të
ndërlikuar që ai mund të paraqitej. Ashtu dhe iku papritmas dhe do të mbetet në
kujtesën e të gjithë shqiptarëve të interesuar për një media të lirë dhe të
pavarur, një mbrojtës i të mirës publike, të mirës së të gjithëve.