Fatmir TOÇI: Mbremë në Konispol, i gjithë qyteti në festë

877
Sigal

Në një atmosferë tejet festive të gjithë banorët e qytetit më jugor të Shqipërisë kishin mbushur sheshin qendror të qytetit për të përkujtuar 70 – vjetorin e Rezistencës së madhe 55- ditore të banorëve të kësaj zone gjatë Luftës Nacionalçlirimtare. Në fakt kjo datë është kthyer sot në festën tradicionale të Konispolit dhe ka filluar të rifestohet pas dy dekadash ndërprerje vetëm në këto 3 vitet e fundit, kur në krye të bashkisë së qytetit u zgjodh zj. Mimoza Arapi, apo “vajza e Konispolit”, siç e quajnë me dashamirësi banorët kryetaren e tyre. Muzikë, përshëndetjet e rastit, nderimi për të rënët, humor, i gjithë qyteti në valle, ekspozitë historike dhe etno-kulturore, veprimtari rinore sportive, prodhime tradicionale dhe kulinari e zonës, etj., ishte me pak fjalë kuadri i kësaj feste mbresëlënëse që mbushi atmosferën e Konispolit përgjatë gjithë ditës deri në orët e para të mëngjesit. Padyshim që kryeorganizatorja e këtij eventi ishte zj. Mimoza Arapi, kryetarja e bashkisë së qytetit, nën drejtimin që prej 2- vjetësh, të së cilës qyteti po ndryshon për së mbari. E suksesshme në dy zgjedhjet e fundit ajo mban edhe një rekord në të gjithë vendin për rezultatet që ka arritur në zgjedhjet e përgjithshme të qershorit 2013 për forcën politike që përfaqëson, Partinë Socialiste: Ka arritur të marrë një mbështetje domethënëse nga votuesit konispolatë: 83 % të votave për PS. Unë isha i ftuari i Mimozës dhe i bashkëshortit të saj, Artanit, në këtë mbrëmje festive dhe jam ndjere i respektuar dhe i rrethuar me dashuri nga qindra banorë të këtij qyteti shumë miqësor, që reflekton qytetari, harmoni, dashuri për punë dhe kulturë të veçantë komunikimi në tërë shoqërinë Shqiptare. E falënderoj zj. Mimoza që më bëri pjesë të kësaj mbrëmjeje mbresëlënëse, për vëmendjen dhe shqetësimin e vazhdueshëm që ka për mbarëvajtjen e punëve në qytetin e saj dhe zgjidhjen e problemeve të komunitetit, për rezultatet e arritura, edhe pse (shpesh e mendoj dhe nuk ndihem mirë) nuk e kemi mbështetur sa duhet si shoqe në punën e saj dhe tonën edhe për faktin që ndodhet në skajin më të largët të vendit dhe vështirësia e komunikimit është më e madhe.