Fatmir Toçi/ Kompleks- Memorial në 70-vjetorin e krijimit të Brigadës V-të Sulmuese

567
Sigal

Ceremonia e 70- vjetorit të themelimit bëhet më 19 janar 2014, në Bramyshnje të Tërbaçit

*Deputet, botues

Me nismën dhe organizimin e Komunës së Horë–Vranishtit, Komitetit të Veteranëve të Luftës së Rrethit të Vlorës, Organizatës së Familjeve të Dëshmorëve të Vlorës dhe Shoqatës Atdhetare-Kulturore “Labëria” do të organizohet përkujtimi dhe festimi me madhështi i formimit të Brigadës së 5 – të Sulmuese, udhëtimi luftarak i së cilës nis që nga Lumi i Vlorës dhe përfundon në Vishegrad të ish-Jugosllavisë, duke përfshirë luftimet çlirimtare në gjithë Shqipërinë nga Jugu në Veri, por edhe në Kosovë, Serbi e Bosnje. Vendosja e kurorave dhe nderimi për të rënët, mitingu dhe përshëndetjet e rastit, këngët partizane dhe koncerti festiv, pikniku familjar dhe dreka tradicionale për të ftuarit do të organizohen ditën e diel, datë 19 janar 2014 në Bramyshnje të Lumit të Vlorës (pranë Tërbaçit, komuna Horë – Vranisht), duke filluar nga ora 10:00.
RRUGA E LAVDISHME E Br.5
Brigada V Sulmuese (“Hero i Popullit”). Një nga formacionet e shquara luftarake të UNÇSH, organizuar e plotësuar nga komanda e shtabi i Zonës së Parë Operative, më 28 Nëntor 1943, në Gumenicë të Vlorës me 3 batalione. Për shkak të zhvillimeve luftarake në zonë, ajo u përurua më 20 janar 1944 në Bramyshnje të Tërbaçit, Vlorë. U plotësua me luftëtarë të formacioneve partizane të Labërisë, ku bënë pjesë edhe shumë kurveleshas në përbërje të 5 batalione partizane me rreth 960 luftëtarë. Komandant i brigadës u emërua Abaz Shehu, “Hero i Popullit”, i cili nuk arriti të merrte detyrën, sepse ra në fushën e betejës, pak ditë para. Që nga dita e përurimit të saj, komandant i brigadës u emërua Shefqet Peçi, “Heroi i Popullit”, dhe komisar politik Hysni Kapo, “Hero i Popullit”, e më pas Hito Çako, “Heroi i Popullit”.  Brigada, në bashkëveprim me forcat e Zonës së Parë Operative, përballoi me sukses operacionet e forcave naziste gjermane “Horridoh” dhe “Und demnosh” (“Dhe prapë se prapë”) në kuadër të mësymjes e përgjithshme gjermane të dimrit 1943-1944 në zonën Kurvelesh-Mesaplik-Bregdet (27.01.1944 – 20.02.1944), mbrojti punimet e Kongresit të Parë ANÇ të Përmetit (maj 1944), në përbërje të Divizionit të Parë Sulmues, kreu luftime të ashpra për përballimin e mësymjes së dytë gjermane, atë të qershorit 1944 në zonën e Tomorricës. Me kalimin e Divizionit të Parë Sulmues në Shqipërinë e Mesme dhe të Veriut, kreu detyra luftarake në zonën e Matit, Dibrës e Kukësit. Më 1 tetor deri në fund të muajit nëntor 1944, Br.5S, në bashkëveprim me Br.3S të UANÇSH dhe Brigadës së 4-t kosovare, duke krijuar një shtab të përbashkët me komandat Shefqet Peçin, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të UANÇSH-së i zhvendosi veprimet luftarake jashtë kufirit shtetëror, duke çliruar nga pushtuesit nazistë Kosovën Perëndimore. Gjatë veprimeve luftarake në Kosovë brigada shtoi efektivin e saj me luftëtarë kosovarë, duke arritur në mbi 2.000 partizanë. Më 25 nëntor 1944, ajo hyri në përbërje të Divizionit të 5-të Sulmues të UNÇSH-së dhe vijoi luftimet në ndjekje të forcave gjermane për çlirimin e krahinës së Sanxhakut dhe të qyteteve të saj, Senicë, Priepolje e Priboj, duke bashkëvepruar edhe me Brigadën e 12 – të të Divizionit 37 – të të ushtrisë partizane jugosllave. Nga radhët e brigadës ranë 386 dëshmorë. Br.5S, për ndihmesën e shquar gjatë LANÇ-it për çlirimin e vendit nga pushtuesit nazifashistë, u dekorua nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të Shqipërisë me titullin e lartë “Hero i Popullit”.