Farrici e ka kthyer Burrelin në kantier ndërtimi dhe punësimi

654
Sigal

Të gjithë Kryetarët e bashkive të vendit, që reforma territoriale i ka favorizuar ekzistencën e tyre për të qenë bashki, tani po përjetojnë muajt e fundit të mandatit të tyre. Ndër to është dhe Bashkia e Burrelit me kryetare Adelina Farrici, e cila ka ambiciet për të marrë dhe një mandat të dytë për të plotësuar dëshirën e saj, sidomos tani që qeveria është e partisë nga ajo vjen dhe aktualisht po vrapon dhe shton energjitë e përpjekjet që të realizojë premtimet që ka dhënë në fushatën elektorale në vitin 2011 dhe e ka mandatuar atë Kryetare të Bashkisë së Burrelit. Ajo ka vullnetin që qytetarët t’i japin një mandat të dytë, madje “më shumë se sa vullneti për të marrë një mandat nga qytetarët, është dëshira për t`u shërbyer më shumë se mandatin e parë, pasi nuk do jetë më Sali Berisha që do mund të krijojë boshllëk në fondin për bashkitë e majta, siç ndodhi në 2 vitet e para të mandatit”, thotë për gazetën “Telegraf” znj. Adelina Farrici, kryetare e Bashkisë Burrel.

Adelina Farrici, në muajt e fundit të mandatit të saj, e ka kthyer bashkinë në një kantier të madh ndërtimi dhe punësimi dhe ajo është e vendosur të marrë një mandat të dytë nga qytetarët e vet. Farrici mendon se i plotëson të gjitha premtimet që ajo ka bërë në fushatën elektorale dhe në një prononcim për gazetën “Telegraf” ajo thotë: “Kemi shumë plane për të realizuar deri në fundin e mandatit, tani po punohet në dy objekte paralele:

1. Projekti i Parë është Parku i Lodrave Burrel, me një fond prej 56.839.183 lekësh, e cila përfundon ëe fillim të muajit Mars”.

Ka më shume se 20 vjet që nuk funksiononte këndi i lojërave të qytetit Burrelit. Kjo kohë do harrohet, pasi me mbështetjen e Fondit të Zhvillimit të Rajoneve dhe këmbënguljes së kryetares Farrici, ky projekt ka filluar zbatimin e tij, si një nga projektet më të mëdha dhe me impakt në qytetin e Burrelit.

Në këtë objekt është ndërtuar këndi i lojërave për fëmijë, që i japin kënaqësi dhe rehati fëmijëve të qytetit. Gjithashtu, në këtë objekt përfshihen dhe disa ndërtesa, të cilat janë të domosdoshme dhe u shërbejnë të gjitha moshave, ku përfshihen edhe pensionistët. Ndodhen këtu salla lojërash të tilla si; bilardo, domino, pingpong; salla bibliotekash dhe salla studimi, si dhe shërbim kafeneje për të gjitha moshat, çka, asnjëherë, nuk ka ekzistuar në këtë qytet, madje nuk mund t’i gjesh, edhe në qytetet e mëdha.

2. Projekti i Dytë është Rikonstruksioni i Bllokut të lagjes “Pjetër Budi” Burrel, i financuar nga buxheti i bashkisë. Fondi për përfundimin e këtij projektit është 14.002.200 lekë. Ky projekt përfundon zbatimin e tij në fund të muajt Nëntor.

Në tërësinë e kësaj lagje të gjitha pallatet do pajisen me trotuare rreth e qark tyre, me rrugë të asfaltuara, me stola për pushim për banorët e lagjes, lulishte, si dhe pemë dekorative. Kjo do bëjë të mundur, jo vetëm furnizimin me ajër të pastër që i ka munguar ndër vite, duke gjelbëruar pallatet në të gjithë brendësinë e tyre, po do bëjë të mundur largimin e baltës dhe të ujit, që janë ndjerë prezent në këtë lagje për 20 vjet, duke u bërë e bezdisshme në kohë më shi për të gjithë banorët e kësaj lagje, të cilët ishin të detyruar të përdornin, sidomos në dimër, çizmet e llastikut. Kështu prononcohen pothuajse të gjithë banorët e kësaj lagje dhe japin respektin dhe falënderimin e tyre për Kryetaren e Bashkisë, që shume shpejt do u largojë lagështirën dhe baltën masive që ekzistonte për vite me radhë në lagjen “Pjetër Budi”.

Një tjetër kontribut që i dedikohet personalisht kryetares së Bashkisë Adelina Farrici, e cila këto kohët e fundit priti Ambasadorin e Mbretërisë Norvegjeze në Shqipëri z. Jan Braathu dhe Ambasadorin e Shqipërisë në Kosove z. Minxhozi, ku pas aplikimit pranë kësaj ambasade, u bë i mundur financimi i projektit “Ndërtimi i kolektorit të ujërave të ndotura dhe ujësjellësit të ujërave të bardha” me vlerë 48.827,29 Euro.

“Ky investim është një nga disa projektet që do të implementohen në qytetin e Burrelit gjatë këtij viti dhe së shpejti do fillojnë punimet”, pohon Farrici.

Është në projekt rikonstruksioni i fasadave te qytetit në rrugën “Kuvendi i Dugagjit”, i cili pritet të fillojë zbatimin e tij në muajin tetor të këtij viti me një fond prej 13.875.340 lekësh të reja.

Përveç këtyre projekteve, që po marrin zbatim në qytetin e Burrelit, gjatë këtij viti dhe fillimit të 2015-s, do jenë në zbatim këto projekte: 1. Ngritja e shërbimeve sociale, shëndetësore, ndërtimi dhe përshtatja e hapësirave të banimit për komunitetin egjiptian, rom dhe familjet e margjinalizuara në Qytetin e Burrelit; 2. Rikonstruksioni i sheshit “Ahmet Zogu” dhe parkut “Geraldinë” nga fondet e BE-së, ku Bashkia Burrel është përzgjedhur ndër 6 bashkitë që do të përfitojnë një projekt të tillë; 3. Rikonstruksioni i rrugës së varrezave të qytetit; 4. Rikonstruksioni i bllokut “Partizani” dhe 5. Rikonstruksioni i bllokut të lagjes “Drita” (rruga e spitalit).

“Me këto ndërtime, jo vetëm që mënjanon penalizimin e fondeve nga buxheti i shtetit të ish Kryeministrit Sali Berisha që i bëri kësaj bashkie në dy vitet e para të mandatit tim, si një bashki e majtë dhe realizon 100 % premtimet e bëra në fushatën elektorale në zgjedhjet e vitit 2011, por i tejkalon ato”, e përfundon bisedën e saj znj. Adelina Farrici për gazetën “Telegraf”.

GJERGJ MANDREJA