Farmacitë përfitojnë miliona euro nga falsifikimi i dokumentave për rimbursimin e barnave të paregjistruar

705
Sigal

Nga Besar Likmeta

Auditimi i KLSH-së konstatoi se dhe  në rastet kur zbulohen shkelje nga farmacitë që kanë kontratë me Fondin e Sigurimit Shëndetësor, kontratat me subjektet përgjegjëse nuk ndërpriten

vijon nga numri i kaluar

Suplementi “NeuroAid” dhe veteranët

Më 14 prill 2016, Prokuroria e Tiranës mori një kallëzim të ri nga Fondi për veprat penale të ‘falsifikimit të dokumenteve shëndetësore’, ‘mashtrimit’ dhe ‘mashtrimit me subvencionet’, i cili rridhte nga një kontroll i ushtruar në drejtorinë e Fondit në Tiranë, në nëntor 2015. Në kallëzimin penal drejtuar Prokurorisë, ish-drejtoresha e përgjithshme e FSDKSH-së, Vjollca Braho kërkoi fillimin e hetimeve dhe procedimin penal të disa farmacive dhe mjekëve për rimbursimin në periudhën qershor-tetor 2015 të një suplementit të quajtur “NeuroAid II MLC901”, për kategorinë e veteranëve të Luftës. “Nga verifikimi i bërë në regjistrin online të Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore rezulton se ky produkt nuk është ‘bar’, nuk është i regjistruar në Republikën e Shqipërisë dhe si i tillë nuk mund të rimbursohet, gjë që i ka shkaktuar një dëm ekonomik për muajt qershor-tetor 2015 me një vlerë totale prej 14.3 milionë lekësh,” shkruante Braho. Edhe pse depoja farmaceutike “Vinipharma” ka ekskluzivitetin për importin e këtij suplementi, farmacitë që e kanë rimbursuar suplementin kanë dorëzuar në Fond faturat tatimore nga depoja farmaceutike ‘Omega Pharma’ – e kallëzuar më parë për mashtrim me rimbursimet. Ndërkohë, që rimbursimi i kërkuar nga farmacitë për 1 kuti NeuroAid II MLC901 varion nga 123,500 lekë deri në vlerën 174,150 lekë – ose një çmimin fundor 637 % më i lartë se çmimi i importit. Me anë të një shkrese të dërguar me datë 2 qershor 2016, Prokuroria e Tiranës i ka kërkuar Fondit informacion shtesë dhe saktësim të objektit të kallëzimit penal, si dhe specifikim të recetave, mjekëve dhe farmacive që i kanë lëshuar recetat për rimbursimin e suplementit NeuroAid II MLC901. Me datë 17 qershor 2016, FSDKSH i është përgjigjur Prokurorisë së Tiranës duke i dërguar listën e plotë të recetave, mjekëve dhe farmacive që kanë rimbursuar suplementin e paregjistruar në periudhën qershor-tetor 2015, e cila përbëhet nga farmacitë në pronësi të çiftit Aliaj dhe familjes Skura. “Nuk ka qenë vetëm NeuroAid, i vetmi medikament i rimbursuar për kategorinë e veteranëve,” i tha Sokol Skura BIRN. “Rimbursimi i këtyre medikamenteve (suplementeve) është një fenomen që nuk e kishim vënë re, pasi Fondi duhet të kishte një liste me vete jashtë listës së rimbursimit, që kategoria veterane të trajtohej,’ pretendoi ai. Si pjesë e hetimit, prokurorja Suela Salavaçi ka marrë deklarimet e disa shtetasve, përfshirë punonjës të Fondit, mjekë dhe pronarëve të farmacive të dyshuara për falsifikim. Nga deklarimet e dhëna në prokurori nga ish- nëndrejtoresha e FSDKSH-së, Eglantina Çuko, kontrolli i nëntorit 2015 në degën e Tiranës u motivua nga vlera e lartë e rimbursimit të suplementit, e cila ishte 177 mijë lekë për një muaj. Çuko vendosi të krijojë një grup auditimi në mënyrë që të verifikonte recetat nga mjekët që kishin rimbursuar këtë suplement. Grupi i auditimit i FSDKSH-së ka verifikuar nëse pacientët për të cilët u lëshuan recetat e kishin marrë këtë suplement. Grupi i auditit ka kontrolluar pacientët e tre mjekëve, të cilët kishin deklaruar se nuk e kishin marrë asnjëherë këtë suplement dhe se nuk ishin në dijeni të recetave të rimbursueshme në emër të tyre. Prokurorja Salavaçi ka pyetur mjekët që kanë lëshuar recetat, të cilët kanë kundërshtuar gjetjet e auditimit të FSDKSH-së për sa i përket deklaratave të pacientëve dhe kanë pretenduar se nuk e dinin që ky suplement nuk ishte i rimbursueshëm. Më tej, prokurorja ka pyetur administratorët e farmacive Nikol 2 dhe Coli’s. Në deklaratën e dhënë për Prokurorinë e Tiranës në dhjetor 2016, administratori dhe pronari i Nikol 2, Gazmend Aliaj ka pranuar se ka rimbursuar recetat për suplementin ‘NeuroAid’ për kategorinë ‘veteran’. Aliaj ka pretenduar se ka qenë detyrë e Fondit që t’i informojë nëse ky preparat ka qenë apo jo pjesë e listës së barnave. Shpjegime të ngjashme janë dhënë nga administratori i farmacive Coli’s dhe Eurofarm2, si dhe pronarja e farmacisë ‘Geni&Lori’. Në mbyllje të hetimit, prokurorja Salavaçi arriti në përfundimin se sipas deklarimeve të administruara, nuk kemi të bëjmë me veprat penale të falsifikimit dhe mashtrimit me subvencionet. “Nga ana objektive kjo vepër penale kryhet me veprime të kundërligjshme, me anë të mashtrimit me dokumentet e paraqitura për të përfituar padrejtësisht subvencione nga shteti, që na rastin konkret nuk ekziston,” shprehet Sallavaci në vendimin e pushimit të hetimeve.

Kontratat nuk u ndërprenë pas kallëzimit

Në periudhën korrik – gusht 2017, Kontrolli i Lartë i Shtetit ndërmori një audit mbi Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor për periudhën 1 janar – 31 dhjetor 2016. Një nga gjetjet e këtij auditimi lidhet me faktin se edhe në rastet kur zbulohen shkelje nga farmacitë që kanë kontratë me Fondin, kontratat me subjektet përgjegjëse nuk ndërpriten. Sipas KLSH-së, ky fenomen është konstatuar në mënyrë të veçantë pas kontrollit të ndërmarrë nga auditi i Fondit në drejtorinë e Tiranës për suplementin “NeuroAid”. Në bazë të kontrollit të ndërmarrë nga DAB, ka rezultuar që një numër farmacish janë rimbursuar padrejtësisht. KLSH nënvizon se Drejtoria e Kontrollit Parësor Farmaceutik në Tiranë, DKFP, ia ka faturuar përgjegjësinë për rimbursimin e suplementin “NeuroAid” mjekëve të familjes, duke u shprehur se ata kanë shkelur marrëdhënien kontraktuale. Ndryshe nga DKFP-Tiranë, Drejtoria e Auditit të Brendshëm në FSDKSH ia ka faturuar përgjegjësinë për dëmin ekonomik farmacive përfituese. Megjithatë sipas KLSH-së, DAB ka dështuar të vendosë rekomandime për mjekët dhe farmacitë përfituese të shumave të rimbursimit, edhe pse përdorimi i recetës për rimbursim për produktet farmaceutike që nuk janë barna, përbën shkelje kontrate. Si rrjedhim, farmacitë e kapura me shkelja nga auditi i DAB për rimbursim kanë vazhduar të përfitojnë para publike nga Fondi, edhe pse ato ishin kallëzuar për mashtrim me subvencionet. “Sipas të dhënave të Fondit, farmacitë me të cilat është vijuar kryerja e rimbursimit padrejtësisht, ndonëse duhej të ishte zgjidhur kontrata, për periudhën Gusht 2016–Shkurt 2017 janë rimbursuar në shumën 205.7 milionë lekë, [1.65 milionë euro]” shkruan KLSH. Një pjesë e madhe e këtij dëmi i përket farmacive të lidhura me çiftin Aliaj dhe familjen Skura, të cilat janë rimbursuar gjatë periudhës që kanë qenë nën hetim nga Prokuroria për suplementin NeuroAId. KLSH evidenton gjithashtu se pas kallëzimit të bërë nga drejtoresha e FSDKSH, Vjollca Braho për “mashtrim me subvencionet”, ndaj farmacive Coli’s, Bio Plus, Eurofam2 dhe Geni&Lori duhet të ishte pezulluar kontrata. “Pavarësisht së është lidhur Kontrata F/2016, këtyre farmacive nuk u është pezulluar aktiviteti sipas klauzolës “Pezullim Aktiviteti” të kësaj kontrate,” shkruan raporti i KLSH-së. “Për këtë periudhë, farmacia nuk duhet të ekzekutojë receta me rimbursim, pasi nuk i rimbursohet vlera e këtyre recetave,” shton KLSH. Sipas KLSH-së, vetëm për periudhën qershor 2016- shkurt 2017, kohë kur këto farmaci kanë qenë nën hetim, atyre u është rimbursuar një shumë totale prej 178 milionë lekësh. Gjatë kontrollit të farmacive Eurofam2 dhe Coli’s, Drejtoria e Kontrollit Parësor Farmaceutik ka zbuluar gjithashtu diferenca të mëdha negative për periudhën 2015-2016 midis gjendjes së barnave dhe gjendjes kontabël, përkatësisht 154.2 milionë lekë për farmacinë Coli’s dhe 333 milionë për farmacinë Eurofarm2. Sipas KLSH-së, kjo diferencë e gjendjes kontabël e zbuluar në farmacitë në pronësi të ish-zv.drejtorit Skura duhej të ishte raportuar nga FSDKSH në organet kompetente tatimore. Sokol Skura i pranon pjesërisht përfundimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit. “Nuk kam qenë asnjëherë i hetuar – nën procedim penal, por kam dhënë deklarime si person në dijeni të aktivitetit që kam zhvilluar,” tha Skura për BIRN. “KLSH ka një farë të drejtë për diferencat [midis gjendjes së barnave dhe gjendjes kontabël], kjo presupozohet nga shitja me lekë në dorë. Por shuma ka qenë më e vogël, rreth 200 milionë lekë, mund të jetë shkaktuar si pasojë e shitjes së barnave me kasë ose ndonjë gabim i bërë gjatë ushtrimit të aktivitetit, por gjithmonë kam qenë shumë korrekt dhe jam inventarizuar,” përfundoi ai.

Farmacitë shkëmbejnë recetat

Ngjashëm me Sokol Skurën, edhe shoqëria ‘Nikol 2’ në pronësi të Gazmend Aliajt është regjistruar në vitin 2007 në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe ka ushtruar aktivitetin në tregun e shitjes së barnave me pakicë. Kjo kompani ka pasur në vitin 2015 dy kontrata shërbimi me drejtorinë rajonale të Tiranës për farmacitë ‘Nikol 1” dhe “Nikol 2”, të cilat janë lidhur në janar 2015. Të dy farmacitë kanë pasur me Fondin një kontratë 6 mujore, por në rastin e Nikol 2 kontrata është zgjatur nëpërmjet një shtojce deri në dhjetor 2015. Nga janari deri në qershor 2015, marrëdhëniet kontraktuale të dy farmacive me Fondin kanë vazhduar normalisht. Në këtë periudhën këto dy farmaci kanë kryer shitje të barnave të rimbursueshme në vlerën 77.1 milionë lekë, por kanë arkëtuar nga DRFSDKSH në total 44.9 milionë lekë. Më 24 gusht 2015, Drejtoria Rajonale Tiranë e FSDKSH-së ka vendosur zgjidhjen e kontratës për një periudhë një vjeçare me subjektin farmaceutik “Nikol 1”. Vendimi bazohet në relacionin e mbajtur për këtë subjekt, sipas të cilit farmacia nuk ka dorëzuar në Drejtorinë Rajonale recetat me rimbursim brenda afatit kohor një mujor. Rezulton gjithashtu se drejtori i Përgjithshëm i FSDKSH-së ka nxjerrë me datë 29 korrik 2015, vendimin nr.100 për marrjen e masave për zgjidhje të kontratës së lidhur me farmacinë “Nikol 2”, me drejtues teknik shtetasin Gazmend Aliaj, për shkak se nga verifikimi dhe përpunimi i të dhënave on-line për periudhën maj – korrik 2015, u konstatua se janë paraqitur për rimbursim në Drejtorinë Rajonale receta me rimbursim të pacientëve të farmacisë “Nikol 1”, e cila ka ndërprerë kontratën me fondin nga data 1 korrik 2015. Sipas pikës 2 të vendimit nr. 100 të Drejtorit të Përgjithshëm, Fondi nuk duhet të nënshkruante shtojcë kontrate me farmacinë Nikol 2 për periudhën gusht-dhjetor 2015. Drejtoria rajonale e Fondit ka bërë një kallëzim në Prokurorinë e Tiranës ndaj këtij subjekti, por me vendimin e datës 17 tetor 2016 të prokurorit të çështjes, është vendosur pushimi i saj. Tre ditë më vonë, me datë 21 tetor 2016, subjekti Nikol 2 ka paraqitur 2 padi në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë në Tiranë. Në padinë e parë, të gjykuar nga gjyqtari Emiljano Ruli, kompania farmaceutike ka kërkuar detyrimin e Fondit të paguajë 27 milionë lekë për detyrimin e papërmbushur kontraktual dhe kamatë-vonesë prej 0.2 %. Padia e dytë e gjykuar nga gjyqtarja Elda Vrioni, ka pasur si objekt kërkesën e subjektit Nikol 2 për shpërblim të dëmit pasuror dhe fitim të munguar me vlerë 16.7 milionë lekë, pas prishjes së njëanshme të kontratës nga Fondi për 6 mujorin e dytë të 2016-ës. Në shkurt 2017, gjyqtari Ruli ka vendosur në favor të subjektit Nikol 2, duke i akorduar një detyrimin kontraktor të papërmbushur prej 27 milionë lekësh dhe 3.6 milionë lekë kamatë-vonesa. Ndërkohë, padia për dëm pasuror është hedhur poshtë nga gjyqtarja Elda Vrioni. Të dy paditë janë ankimuar në Gjykatën Administrative të Apelit.

Sistemi i prishur

Në gusht 2016, Kontrolli i Lartë i Shtetit ndërmori një auditim të teknologjisë së informacionit të përdorur nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kontrollit Shëndetësor. Mes të tjerash, ky audit u përqendrua tek kontrolli i aplikacioneve të përdorura nga Fondi për vlefshmërinë e të dhënave për periudhën 1 janar – 31 dhjetor 2015. Nga auditimi i programit Depo, i përdorur nga Fondi për regjistrimin e inventarëve, faturat hyrëse dhe faturat dalëse që deklarojnë depot importuese/distributore të cilat kanë kontratë me FSDKSH, Kontrolli i Lartë i Shtetit zbuloi se vetëm për vitin 2015 ishin deklaruar 1.63 miliardë lekë [13 milionë euro] më shumë shitje se sa hyrje të barnave të rimbursueshëm. KLSH ia faturonte mospërputhjet si depove ashtu edhe rrjetit farmaceutik. Sipas KLSH-së, 5 depo farmaceutike e kanë mbyllur vitin 2015 me një gjendje negative për 14 barna të rimbursueshme në shumën 1.08 miliardë lekë, çka do të thotë se “referuar të dhënave të sistemit janë deklaruar shitje të barnave drejt rrjetit të hapur farmaceutik më shumë se sa deklarimi në hyrje i tyre”. Gjithashtu, KLSH ka konstatuar se për 10 raste në bilancin e shitjeve dhe gjendjes së barnave rezulton një diferencë prej 541.1 milionë lekë, për shkak se vlera e rimbursuar është më e madhe se vlera e barnave të shitura nga depot dhe rrjeti farmaceutik. Ndërkohë në 16 raste të tjera janë konstatuar shitje me minus, të cilat rezultojnë të jenë kthime të barnave nga Qendrat Spitalore në drejtim të depove farmaceutike brenda datës së skadencës në shumën 7,7 milionë lekë. Nga auditimi i programit Depo, KLSH ka konstatuar gjithashtu se regjistrohen fatura shitjeje ku sasia e barnave në faturë është më e madhe se gjendja e tyre, nuk regjistrohen të dhëna për barnat që shkojnë te subjekti që nuk kanë kontratë me FSDKSH, si dhe nuk ka kryqëzim të të dhënave të këtij aplikacioni me të dhënat e Qendrës Kombëtare të Biznesit. Përveç programit Depo, KLSH ka kontrolluar dhe aplikacionin Sistemi i recetave të rimbursueshme, i cili shërben për hedhjen e të dhënave të recetave fizike të rimbursimit dhe nxjerr statistika për sasinë e barnave të konsumuara, si dhe vlerat e rimbursimit për çdo bar sipas mjekut dhe farmacive. Nga auditimi i këtij programi, KLSH ka konstatuar se ai lejon regjistrimin e recetave që dalin jashtë kufijve të listës së rimbursimit në sasi dhe në kohë. Gjithashtu në këtë sistem mund të regjistrohen receta për farmaci që i ka mbaruar kontrata me Fondin. Një tjetër problem i këtij programi, sipas KLSH-së është fakti se lejon të regjistrohen receta me rimbursim për pacientë që nuk gjenden të regjistruar në tabelën e pacientëve, për diagnoza që nuk gjenden të regjistruara në tabelën e diagnozave dhe për mjekë që nuk janë aktivë. “Në këtë program nuk ekziston ndonjë opsion kontrolli mbi sasinë e barnave që kërkon një recetë me rimbursim të ekzekutohet, sepse nuk ruhen të dhëna mbi Hyrjet dhe Inventarët e Rrjetit farmaceutik, përfshirë këtu dhe farmacitë spitalore,” shkruan KLSH. “Këto të dhëna nuk kontrollohen me ato të deklaruara nga vetë rrjeti farmaceutik (hyrjet, Inventarët, gjendja), për të siguruar jo vetëm një informacion të saktë në të dy programet, por edhe identifikim të ngjarjeve që kanë nevojë për sistemim veprimi, apo ushtrim kontrolli mbi aktivitetin e tyre,” shton raporti.Nga auditimi i të dhënave të programit, KLSH ka zbuluar se Fondi ka regjistruar receta për farmaci që i ka përfunduar kontrata në 264 raste si dhe janë regjistruar receta të përfituara nga pacientë që nuk rezultojnë të regjistruar në tabelën e pacientëve në 115,049 raste me vlerë 654,7 milionë lekë. Ndërkohë, në 1,078 raste recetat janë regjistruar në sistem për mjekë të cilët nuk rezultojnë aktivë; në 1,598 raste Fondi ka regjistruar barna të dhëna mbi kufizimin e përcaktuar në listën e barnave, ndërsa në 18,614 raste janë regjistruar receta me vlerë shtesë, që kapin një vlerë prej 104.6 milionë lekësh. “30% e kësaj vlere është ekzekutuar vetëm tek subjekti farmaceutik “Nikol 2” dhe 11.5% e kësaj shume është lëshuar vetëm nga një mjek,” shkruan KLSH. “Nga auditimi u konstatua se Drejtoria DIAS në bashkëpunim me drejtori të tjera si atë të Çmimeve dhe Rimbursimit të Barnave, Kontrollit Parësor Farmaceutik, nuk kanë ushtruar kontrollet e nevojshme mbi bazën e të dhënave dhe marrjen e masave në rastin e shkeljeve të rregullave në fuqi për menaxhimin e rimbursimit,” përfundoi KLSH./reporter