Familjarët e të pushkatuarve nga diktatura komuniste: “Armiq” në diktaturë, të diskriminuar në “Demokraci”

905
Tashmë është fakt i njohur se dhuna komuniste ndaj popullsisë shqiptare qe më e ashpër se në të gjitha vendet komuniste të Evropës lindore. Një popull i tërë “ u burgos ” brenda një territori të rrethuar me tela me gjemba ! Një populli të tërë ju bë “ lavazh i trurit ”. Thelbi i “ lavazhit” ishte ‘ lufta imorale e klasave’ që ushqente urrejtje për këdo që mendonte ndryshe dhe ngulitja e bindjes se Shqipëria ishte vendi “më i lumtur në botë” etj.! Në vorbullën e dhunës enveriste gjate 46 viteve të diktaturës, familjarët e të pushkatuarve politikë ishin ato që e vuajtën më së tepërmi ‘luftën e klasave’ duke u etiketuar si “armiq të rrezikshëm të pushtetit popullor”. Gjë që vinte nga dy motive; intuitën e ligjshme të makinerisë shtypëse të diktaturës se shqiptarët mbartnin në gjenet e tyre “ thirrjen për të shpaguar gjakun e humbur të familjarëve” dhe sipas kësaj logjike familjarët e të pushkatuarve ishin, dhe do të ishin gjithnjë në armiqësi me pushtetin popullor dhe e dyta, përjetohej një opinion i ngulitur në ndërgjegjen e shoqërisë shqiptare që vinte nga arsyetimi i thjeshte se ‘ dënimi më i madh ishte për armikun më të madh’ , pra ato familje që kishin pjesëtarë të dënuar maksimalisht (dënim kapital) përfaqësonin armikun më të rrezikshëm të pushtetit dhe si të tillë duheshin trajtuar dhe luftuar. Sipas këndvështrimit të mësipërm, duke konsideruar rastin që kryetari i familjes ishte pushkatuar si armik dhe ishte “zhdukur”, pasi edhe varri ishte sekret shtetëror!, armiq të diktaturës mbeteshin direkt familjarët, kurse në rastin e të burgosurve politikë vëmendja përqendrohej kryesisht tek armiku që ishte në burg i cili do të “ edukohej ”… Dëshiroj të theksoj se çdo ndryshim në trajtimin e familjarëve të të pushkatuarve me ato të të burgosurve politikë mbetet në sensin relativ, pasi edhe këto të dytët kanë provuar “të zezat e ullirit” në kohën e diktaturës. Përveç trajtimit si “armiq të deklaruar” nga ana e diktaturës, familjarët e të pushkatuarve edhe nga ana morale dhe njerëzore ishin më të vuajturit; nëna pa bij, gra pa burra, fëmijë pa baba, familje pa shpresë që nuk mund te vendosnin së paku një lule në varrin e njerëzve të tyre më të dashur, pasi ato ishin “zhdukur” nga diktatura…! Pas vetë-shembjes së diktaturës komuniste, të “prekurit” nga lufta e klasave nuk u konsideruan më “ klasë armike ”, por morën si “nderim” parashtesën ‘ish’ duke u quajtur ‘ish-të përndjekurit politikë’. Ajo qe vlen për tu shënuar është se edhe në periudhën post komuniste (viti 1991 e prapa), familjarët e të pushkatuarve nuk u trajtuan ashtu siç duhej, por u gjenden të diskriminuar nga ligjet që u dekretuan. Kujtojmë ligjin i cili i jepte te drejtë, të burgosurve politikë të përfitonin letra me vlerë (në proporcion me vitet e burgut) te cilat do të mund ti përdornin në privatizimin e ekonomisë së vogël dhe te mesme duke u konsideruar ‘përfituesi i parë’ (edhe para pronarit të truallit), kurse familjarët e të pushkatuarve u harruan fare, këto u përjashtuan nga përfitimi i letrave me vlerë dhe njëkohësisht nga mundësia për të marre pjesë në privatizimin e ekonomisë shtetërore !!! Kurrë nuk e kuptuam pse u bë ky diskriminim?! Në fund të vitit 1995 familjarët e të pushkatuarve të Rrethit Shkodër protestuan për diskriminimin e mësipërm dhe kërkuan përfitimin e letrave me vlerë, si rezultat pushteti i asaj kohe i dha çdo të pushkatuari ekuivalentin e letrave me vlerë për 8 (tetë) vite burg politik!!! Përsëri një diskriminim skandaloz! Mendoni, krahasohej jeta e humbur me të gjitha pasojat familjare e një të pushkatuari që ishte dënuar me vendim kapital (më i larti që ekzistonte) me dënimin më të lehtë politik atë të agjitacion dhe propagandës! Padrejtësi evidente! Për më tepër, edhe ato letra me vlerë që morën familjarët e të pushkatuarve u transformuan në ‘letra pa vlerë’ sepse në fund të vitit 1995, prioritar në privatizimet e ekonomisë shtetërore, sipas ligjit të ndryshuar, ishte pronari i truallit, dhe jo ‘ ish-i përndjekuri politik’. Pas vitit 2005, me ardhjen në pushtet të PD-së u dekretua nga parlamenti ligji mbi dëmshpërblimin e ‘ish-të përndjekurve politikë’, por përsëri mbeti në fuqi padrejtësia e mësipërme, pra jeta dhe gjaku i të pushkatuarit vazhdoi të vlerësohej me 8 (tetë) vite burg politik, ekuivalente me dënimin më të lehtë politik! Veprim që dëshmon mungesën e ndjeshmërisë të deputetëve që e aprovuan, por përgjegjësia më madhe i mbetet atyre deputetëve që vinin nga shtresa e ish-të përndjekurve politikë dhe një herë të vetme nuk e ngritën zërin kundër kësaj padrejtësie dhe diskriminimi! Me ardhjen në pushtet të socialistëve, filluan modifikimet e ligjit mbi dëmshpërblimin e ‘ish-të përndjekurve politikë’; duke vlerësuar anën humane të ligjit u konsideruan prioritar për marrjen e kësteve, ato të burgosurve politikë që janë ende gjallë, shumë mirë bënë, por me që u trajtua marrja e kësteve të dëmshpërblimit sipas prioriteteve del pyetja, cili do të jetë prioriteti i trajtimit të ‘trashëgimtarëve të të pushkatuarve’? Jemi të mendimit, dhe kjo është evidente, se për të gjitha arsyet e argumentuara në këtë shkrim si dhe për faktin tragjik që kemi të bëjmë me “vrasje – zhdukje” të personave të mbetur edhe pa varr etj, pra duke vlerësuar përsëri anën humane, ‘trashëgimtarët e të pushkatuarve’ e kanë të fituar të drejtën morale që të konsiderohen prioritarë në trajtimin e tyre. E përfundojmë këtë shkrim me thirrjen drejtuar organeve përgjegjëse të Pushtetit Qendror dhe Ligjvënësve të Parlamentit Shqiptar dhe në mënyrë të veçantë Deputetëve që janë me origjinë nga shtresa e ‘ish-të përndjekurve politikë’ që të ndërmarrin iniciativën për t’i dhënë fund diskriminimit të ‘trashëgimtarëve të të pushkatuarve’. Kërkojmë që të trajtohen me prioritet dhe të rishikohet me drejtësi masa e dëmshpërblimit! (Është krejtësisht i padrejtë dëmshpërblimi me ekuivalentin e 8 (tetë) viteve burg politik)! Mbetet në nderin e të gjithë atyre që posedojnë kompetencat ligjore që gabimin e bërë në ligj vite më parë ta korrigjojnë.

Ndoc Çulaj
Kryetari 
Shoqata Kombëtare e Trashëgimtarëve të të pushkatuarve politikë – Malësi e Madhe 
Sigal