Familja Gërbura, tërësisht e burgosur dhe e internuar nga diktatura

605
Agron MEMA

Sa më shumë kalojnë vitet, aq më tepër zbardhen dhe zbulohen të fshehtat dhe labirintet e krimeve të diktaturës, madje edhe ndaj familjeve të thjeshta e patriote. Po ç’do prisje më kur nuk kurseu as militantët e saj më të zellshëm e më besnikë, duke i shpallur armik?! Një nga këto familje të thjeshta e patriote që kaloi dënimet me 101, është edhe familja “Gërbura”, nga familjet më të vjetra të fshatit Çukë të bashkisë së Sarandës. Ky rrëfim tronditës e rrënqethës erdhi rastësisht në një lokal. Një stacion televiziv po trasmentonte një dokumentar me gjyqet e diktaturës kundër puçistëve. Një klient hante thonjtë me dhëmbë dhe mërmëriste, një veprim shpreh brengë, ankth apo revoltë, por momente kur ndjehesh i pafuqishëm. Papritmas shpërtheu me britma, më shumë të çlirohej me veten se sa t’i drejtohej dikujt: “Japin nga këta dokumentarë për të rehabilituar këta mostra të krimit, këtë mostra të çnjerëzores, ndërsa për ato që na bënë neve, familjeve të thjeshta këta tipa kanibalësh, nuk japin asgjë. Ky është rehabilitim dhe restaurim i diktaturës, ata janë viktima të karrierës, ashtu siç ndodh edhe sot në politikën shqiptare me fraksione.” Instinkti i publicistit më nxiti t’i shkoja pranë e ta pyesja për arsyen e shpërthimit emocional të tij. Më pa disi me dyshim, por kur i përmenda emrin e gazetës se ku mund të publikohej historia e tij familjare, hija e dyshimit iu tret dalëngadalë e filloi të fliste me urti dhe argumente. Tha se quhej Vasil Gërbura dhe familja e tij, që nga gjyshi, u dënua me burgje dhe internime e gjitha. Kalvari filloi me gjyshin, babain e mamasë, Jani Doshi, i cili ishte dhe prift i fshatit. Jani u arrestua dhe u dënua me 101 për agjitacion dhe propagandë, pas një farë amnistie, në 25 vite burgim nga të cilat bëri 13, por pas burgut vdiq në internim në fshatin Çorraj të bregdetit të Himarës. Pas gjyshit arrestohet edhe babai im, Mitro Gërbura. U arrestua dhe u dënua si grupazh armiqësor me dy beratas dhe me kushëririn e parë të tij, me nga 25 vite burgim. Babai doli nga burgu, sepse pësoi aksident, ra nga kulla e uzinës së superfosfatit në Laç. Doli sakat pas 11 viteve burgim torturues dhe nuk u shpërblye kurrë nga shteti për sakatllëkun që pësoi në punë, pavarësisht se qe i burgosur, në punë e kish dërguar shteti dhe aksidenti ndodhi gjatë punës. Por diktatura dinte t’i humbiste dhe fshihte gjurmët, e liruan si këmbim me lirinë se nuk u duhej më. Gjithë jetën e tij nuk i hoqi patericat pas këtij aksidenti. Por pati një liri të cunguar: vdiq në internim në Bërdicë të Lushnjës. Më tutje vazhdoi: “Kështu e mbylli jetën dhe im atë me vdekjen e tij në internim si dhe vjehrri i tij. Envanthia është nëna ime dhe vajza e Janit që vdiq në internim. Edhe nëna ime nuk i shpëtoi ndëshkimit me 5 vjet internim. Rron akoma dhe për të kujdesem unë. Qysh e re u përball me helmin më të hidhur të jetës: burgosjen e babait, burrit, djemve të saj, por përsëri nuk e humbi fisnikërinë, as rezistencën, as dashurinë për jetën. Nuk e kam dëgjuar kurrë të mallkojë njeri, madje as persekutorët. Madje kur ia përmend dikush, hesht dhe kthen sytë nga qielli, si vajzë prifti me kulturë kristiane do të thotë se vetëm perëndia i di të gjitha dhe le t’i falemi asaj. Nuk kishim mbaruar me kaq. Hakmarrja, që nuk e dimë akoma arsyen se pse, po vijonte. Vangjeli, vëllai më i vogël nga unë, u arrestua dhe u dënua më përpara nga unë me 6 vjet burgim në burgjet famëkeqe të politikanëve. Kjo ndodhi më 1979 dhe akuza qe e njëjtë si e paraardhësve tanë, agjitacion dhe propagandë. Vangjeli kreu vetëm 2.5 vite burgim, sepse përfitoi nga falja e vitit 1982 e Enver Hoxhës. Pas lirimit dërgohet të kryejë detyrimin ushtarak, nga ku duke ndjerë rrezikun e një riarrestimi, por edhe nga provokimet që i bëheshin, me tre shokët e tij ushtarë u arratisën nga reparti i Delvinës duke kaluar kufirin shqiptaro-grek nga Gjirokastra dhe sot Vangjeli ndodhet në SHBA. Por nuk shpëtova as unë vetë. Kur erdhi policia me vendimin e internimit të nënës, unë nuk isha përfshirë në vendimin e komisionit të dëbim-internimeve. U thashë se pse nuk më merrni edhe mua të kujdesem për nënën time, por ma kthyen, paksa me ëmbëlsi e dashamirësi, çudi kjo që do zbardhej më vonë, se për ty nuk ka vendim dhe ju nuk jeni problematik e nuk ju ngatërron kush. Nuk zgjati shumë ky premtim hipokrizie. Pas një muaji më arrestuan dhe më dënuan me 7 vite burgim me të njëjtën akuzë: Agjitacion dhe Propagandë. Bëra 5.5 vite, sepse përfitova nga puna dhe u lirova më 1990-ën. Po dua të kujtoj veçanërisht diçka nga çudirat, fantazirat dhe skizofrenitë e periudhës së hetuesisë sime. Bëra 8 muaj hetuesi dhe ndërrova tre hetues. Akuza qe, sikur kish ardhur vëllai im, Vangjeli i arratisur. Nuk e pranova për tetë muaj akuzën, por në fund, nga torturat çnjerëzore, u detyrova ta pranoj dhe firmosa ato që më kërkuan. Por edhe sot e them me forcë se vëllai im pas arratisjes nuk e shkeli më Shqipërinë. Qe strategjia e tyre ndaj familjes sonë. Hetuesit ishin; një Lavdosh që nuk ia kujtoj mbiemrin tani, i dyti qe Kristo Vangjeli dhe i treti, ai që më theu rezistencën, qe Zamir Shtylla. Burgun e bëra në Qafë–Bari ku ishim shumë të burgosur politikë dhe nga miniera nxirrnim pllaka floriri. Mjerë kush nuk bënte normën me 5 vagona, tek hyrja e galerisë të prisnin një skuadër policësh dhe shkopinjtë e gomës lëshonin breshër mbi kurrizin tënd. Ditën e parë e provova edhe unë, të tjerat jo, e realizoja normën. Mamaja tregon se në internim pati tratim të keq. Babai këtë nuk e duroi dot dhe u çmend duke pasur një fund tragjik, u largua nga kjo jetë nga çmendina e Vlorës. Kur e morëm nga çmendina, pamë se në trup kish shenja dhune. Por na kërcënuan dhe nga frika nuk treguam e nuk kërkuam asgjë. Dhe këto veprime, miku im, i kryen këta, Mehmet Shehrat me shokë që mundohen të përfitojnë statusin e rehabilitimit se i paska vrarë diktatura. Po neve kush na vrau, burgosi e internoi? Në këto 27 vite demokraci shteti nuk na i ktheu kokën kurrë. Kam 13 milionë lekë letra me vlerë që i mbaj në sirtar. Ç’i dua? Sot e përballoj jetën me pensionin e mamasë prej 180 mijë lekësh dhe diçka nga punët e mia që bëj, por me frikë se askush nuk të lë as të punosh vetë. Dëmshpërblimi i burgut është shumë i vogël në krahasim me punën e bërë.”



Sigal