Falimenton industria e peshkimit në Durrës

923
Sigal

Dikur ishte krenaria e qytetit për numrin e të punësuarve, flotën e peshkarexhave dhe për peshkun e freskët

Sektori i peshkimit shpall falimentimin në Durrës. Anijet e peshkimit qëndrojnë të lidhura prej muajsh. Si pasojë e naftës së shtrenjtuar në bursë, por edhe infrastrukturës së keqe, industria më e rëndësishme e një qyteti bregdetar siç është Durrësi, ka shkuar në pikën kritike të ekzistencës së saj. Por jo vetëm kaq, mungesa e shërbimit për anijet e peshkimit, me shkrirjen e kantierit, ku këto anije mund të riparoheshin dhe të kolaudoheshin, kanë çuar në rrënim flotën e anijeve, e cila për dekada me radhë shikohej si krenaria e një qyteti bregdetar jo vetëm për numrin e lartë të punësuarve, por edhe për peshkun e freskët në bare restorante e në kuzhinën tradicionale të qytetit.

 Kriza

70  anije dhe peshkarexha të flotës së peshkimit në Durrës kanë shpallur falimentimin gjatë muajve të parë të këtij viti, duke renditur edhe dy si shkaqet e kësaj situate të rëndë që ka goditur këtë industri. Nafta për peshkimin në bursë, ka shkuar në 1600 lekë për litër, ndërsa në krahun tjetër shkatërrimi i kantierit detar të Durrësit, ka çuar edhe një hap më tutje rrënimin e plotë të flotës së peshkimit. Peshkatarët, prej muajsh kanë lidhur në mole anijet e tyre, barka dhe peshkarexhat, ndërsa në det kanë dalë vetëm anijet e mëdha të grosistëve, të cilat furnizohen me naftë në portet italianë dhe grekë, por edhe në këto porte kanë dyfishuar taksat gjë që e ka rritur edhe më shumë koston e peshkimit.

Mungon kantieri për riparim

Ndërkaq mungesa e një kantieri për riparimin dhe shërbimin e anijeve të peshkimit ka fundosur në ujë dhe një pjesë e madhe e këtyre mjeteve po kalben, si pasojë e mungesës së shërbimeve. “Nuk ka remont, nuk ka se ku armatorët durrsakë të riparojnë dhe të kryejnë shërbimet e anijeve shumë të domosdoshme, një herë në vit minimalisht për barkat e drurit një herë në dy vjet për anijet metalike. Nuk mund të shkojnë në portet e vendeve fqinjë sepse mund të mbyten gjatë lundrimit për deri atje. Në këtë gjendje kanë shkuar. KURUM-i e preu për skrap të vetmin kantier që ishte në Durrës dhe për gjithë Shqipërinë dhe në këto kushte industria e peshkimit ka falimentuar”, tha Kapiti.

Flet kreu i Sindikatës së Peshkimit, Klodian Kapiti: “Problem edhe nafta”

 “Nga 120 anije peshkimi që numëron flota e Durrësit, mbi 70 prej tyre, prej muajsh nuk kanë dalë në det, duke shpallur kështu falimentimin e plotë të aktivitetit të tyre”, deklaroi kreu i Sindikatës së Peshkimit, Klodian Kapiti i pyetur nga “Telegraf”. “Rritja e çmimit të naftës na ka krijuar shumë probleme. E kemi të pamundur që të punojmë në një situatë të tillë. Kemi muaj të tërë pa nxjerrë anijet e peshkimit në det. Kemi mbetur pa punë i gjithë ekuipazhi, sepse një litër nafte me çmimin e bursës po vjen me 1600 lekë për litër, gjë e cila ka një kosto marramendëse për të nxjerrë një anije peshkimi në det për gjueti”, deklaroi Kapiti.