Faktorët që shkatërruan jetën kulturore dhe sportive të Beratit

1581
Sigal

Ndryshimi i sistemit dhe mungesa financiare, shkaktarët kryesorë. Vlash Pambuku: “Ky qytet nuk e meriton këtë gjendje”

Berati nuk njihet vetëm për kulturën e lashtë, për vlerat muzeale që ka trashëguar, që sigurisht, janë një thesar i vërtet, por njihet edhe për larmin e shumtë sportive dhe kulturore. Ky qytet vite më parë ka pasur grupet sportive të ngritura nëpër lagje. Këto grupe ishin krenaria e atyre viteve. Pas Çlirimit një rëndësi të veçantë qytetit të Beratit, ndër sferat e tjera, iu dha edhe sportit, pa anashkaluar dhe kulturën. Për këtë arsye në kohën e komunizmit u zhvilluan shumë sportet si, volejbolli për femra e meshkuj, basketbolli, shahu, mundja, qitja, futbolli, pingpongun etj.. Në kohën e komunizmit këto sporte ngritën edhe emra të mëdhenj, ku këtu mund të përmendim mjeshtrin e qitjes Niko Fani Kampion në Ballkan, në mundje familja Dhelpra, në shah mjeshtrit Qëndro dhe Dardha. Futbolli beratas ishte në parametra të larta, drejtohej nga i madhi Guxim Mukli, ku luanin të mëdhenjtë Teli Zaho, Luke Hodo, Astrit Ziu, më pas vëllezërit Kokolari, vëllezërit Arbëri Cilingiri, Milja etj.. Me ndryshimin e sistemit ndryshoi dhe sporti në Berat. Gradualisht u lanë pas dorë ekipet e mëdha sportive e më pas mungesa financiare bëri që të shkatërroheshin totalisht. Ish- gazetari i sportit, 78-vjeçari Vlash Pambuku, tregon se shumë sportist në Berati, tashmë nuk kanë më atë nivel. “Kjo për arsye të mungesës financiare, pasi drejtuesit e tyre janë me nivele të lartë arsimore dhe sportive. Të gjitha qeveritë të majta e të djathta e kanë lënë sportin në Berat, pa financuar. Berati ka patur një ekip futbolli të mirë dhe shumë të fortë, por tashmë mungesa financiare e nxorën nga kategoria. Berati nuk e meriton këtë gjendje, ai është një qytet me një kulturë të lartë, në shumë sfera”, tha Pambuku.

Kultura me ritmet e breshkës

Qyteti i Beratit njihet për këngët e tij të bukura qytetare, për teatrin, estradën qysh në vitet e para të çlirimit në lagjen muzeale “Goricë”. Aty është krijuar i vetmi grup popullor nga djemtë e lumit. Kësaj lagje ata me këngët e tyre në stinën e dimrit i shkrinin akullin. Këto ishin fillimet e para e pas çlirimit u ndërtua Pallati i Kulturës që mbanë emrin e heroinës së popullit “Margarita Tutulani”. Dikur ky pallat buçiste çdo ditë nga aktiviteti e ndryshme. Gradualisht u krijuan grupet popullore, të cilët këndonin këngët e bukura beratase. Ata i këndonin qytetit të tyre. Në radhë të grupeve popullore kishte emra këngëtarësh të mëdhenj. Ndër ata janë edhe Evgjeni Mile, vëllezërit Dushi, Floresha Dëbinjë e shumë e shumë të tjerë, të cilët me zërin e tyre të ëmbël, e bënë qytetin të jetë krenar për këngën popullore beratase. Më pas u krijua estrada. U ngrit teatri, i cili ndër radhët e tyre ishin aktorë me nivel të lartë. Kjo bëri që jeta në këtë qytet të ishte shumë e bukur. Me kalimin e sistemit në demokraci, nisën edhe problemet e para. Në këto 20 vite janë shuar aktivitet. Bashkia nuk ka patur mundësin financiare që të përballojë kërkesat e grupeve, të cilat u shkrinë dhe tashmë nuk figurojnë më në Pallatin e Kulturës. Sot aktivitetet kulturore dhe sportive kanë mbetur në pikë të hallit, ato po ecin me ritmin e breshkës.