Fakti/ 210 zyrtarë shqiptarë me shtetësi greke kanë kryer shërbimin ushtarak grek, 170 janë thirrur “nën armë

154
Sipas statistikave të Shtetit Grek, rezulton se 12 mijë emigrantë shqiptarë kanë kryer shërbimin ushtarak grek ose janë në proces të kryerjes së këtij shërbimi, duke u betuar e stërvitur si ushtarë të të atij vendi. Shkak i përfshirjes së shqiptarëve në ushtrinë greke është interesi për të fituar shtetësinë greke, një ëndërr kjo edhe për emigrantët shqiptarë që janë deri në moshën 45 vjeç, kur edhe ligji i atij shteti ka të drejtën e rekrutimit të tyre. Në këtë shifër, janë gjithë shqiptarët që kanë shkuar emigrantë e që kanë vendosur të bëhen shtetas grekë, për të përfituar të drejta social-ekonomike si shërbim mjekësor, sigurim shëndetësor e shoqëror, trajtime me paketa sociale-ekonomike në ushqime, ujë, energji elektrike, transport, invaliditetet, pagesë papunësie, kreditim strehimi, arsimimi, pensione e kurime mjekësore falas, ose me rimbursim e shumë mundësi të tjera, që shteti grek si vend anëtar i BE iu garanton! Që të garantosh këto, duhet të sigurosh shtetësinë e që të sigurosh shtetësinë, duhet të kryesh shërbimin ushtarak, pra të betohesh si “ushtar grek”, deri në moshën 45 vjeç. Këtë zgjidhje e kanë bërë shumë shqiptarë. Mes atyre që kanë “marrë gradën” si ushtarë grekë, ka edhe shumë zyrtarë e madje drejtues dhe të zgjedhur në administratën, politikën dhe shtetin shqiptar! Me pasaportën e shtetësisë greke në xhep, ata janë rikthyer në Shqipëri dhe nëpërmjet ngjyrave partiake, familjaritetit, nepotizmit, shoqërisë me krerë të pushteteve e politikës dhe në shumë raste nëpërmjet blerjes së vendeve të punës, janë bërë nëpunës, shefa sektorësh, drejtorë e deri shefa kabineti, zv/ministra, sekretar të përgjithshëm nëpër ministri, kryetar tenderësh, madje edhe inspektorë policie, pedagogë universiteti dhe zyrtarë të vetë Ministrisë së Jashtme në administratën qendrore në Tiranë dhe diplomatë të çdo rangu nëpër selitë diplomatike, ku mund të përmendim skandalin e shefit të Kabinetit të ministrit Ditmir Bushati, i cili kërkohej nga Greqia, për të kryer shërbimin ushtarak, mbasi është shtetas grek! Por, sipas informacionit që na ka ardhur dje në “Telegraf”, drejtori i një inspektorati qendror, shefi i një shërbimi special, janë në këtë listë “kërkimi për të kryer shërbimin ushtarak. Drejtuesi i një institucioni kulturor qendror në Shqipëri, i kthyer nga emigracioni për t’u bërë drejtor me lidhje politike e familjare, po kërkohet nga Shteti grek, për të kryer shërbimin ushtarak! Fakti është ky: në administratën publike shqiptare, shumica e këtyre kontingjenteve ushtarake greke, janë në funksione drejtuese në kryeministri, nëpër ministri, në drejtori rajonale, në prefektura, bashki, këshilla qarqesh e kudo ku ka zyra shtetërore. Sipas informacionit, thuhet se janë 210 punonjës ish-emigrantë, që e kanë kryer shërbimin ushtarak në Greqi, ndërsa 170 të tjerëve u ka ardhur “Fletë-thirrja” në Ministrinë e Jashtme Shqiptare, si njoftim për të shkruar e kryer shërbimin ushtarak në ushtrinë greke! Në të kundërt, ata që nuk paraqiten për të kryer ushtrinë në Greqi, u hiqet shtetësia dhe për 20 vjet, u ndalohet hyrja në territorin e atij vendi! Sipas verifikimit që ka bërë Ministria e Jashtme Shqiptare në bashkëveprim me Ministrinë e Brendshme dhe me institucionet e tjera, rezulton se ndër personat që po kërkohen nga Greqia, për të kryer shërbimin ushtarak, 21 janë shefa në polici, 13 janë drejtues të nivelit të mesëm në shëndetësi, 17 janë në ministrinë e Jashtme dhe nëpër konsullatat shqiptare në vendet e BE, 7 janë në kryeministri, por edhe në institucione dhe sektorë të tjerë të shërbimeve publike, të sigurisë kombëtare!