Faik ISLAMI/ Shqipëria, nën breshrin e goditjeve… prej “zotit”!?

538
Sigal

 Përmbytjet e ditëve të fundit, janë ripërsëritje e atyre të ndodhura thuajse për vit, me një intensitet dëmprurjeje të pallogaritshme. Janë bërë kaq të zakonshme dimrave, sa që veç beharët kanë “ngrohur”, si për t`i harruar gjer në stinën kur po përsëriten. Përvoja ka përvëluar më shumë Veriun, por kësaj here, si për të mos e lënë pa gjë e hëngri Jugu. Duket se kanë alternuar fatkeqësinë dramatike, sipas dukurisë së përfaqësimit të pushteteve qeverisëse. Vetëm politika, debatet rreth këtyre dukurive me fatkeqësinë e madhe, që ajo vetë e ka emërtuar “fatkeqësi natyrore”, ka mbetur konstante me të vetmin kah kritik, nga opozita tek pozita. Fatkeqët janë po ata, tokat e përmbytura, shtëpitë dhe katandia e njerëzve të thjeshtë, pasuria dhe mundi i atyre, që e shtyjnë jetën me mund dhe sakrifica të papara. Po t`i besojmë teorisë justifikuese të pushteteve qeverisëse, parë në çdo rast si e ardhur prej Zotit, apo natyrës, për ata që nuk besojnë në një Zot, do të duhet t’i lutemi të gjithëfuqishmit, Zotit, ose “zonjës natyrë”, që të mund ta zbusin zemërimin e madh, me këtë vend fakir. Vetëm kaq, sepse sa kanë thënë e thonë mosveprimet e qeverisësve tanë, asgjë nuk kanë pasur në dorë, veç gatishmërisë së ca njerëzve, të grumbulluar në korpusin e “Emergjencës Civile”. Dhe të duken rrethe e rreth hapësirave të pushtuara nga uji, krejt të ngrysur, për të ngushëlluar, të pësuarit e fatkeqësisë. Vetëm kaq dhe asgjë më shumë nuk kemi parë! Duke dëgjuar të krahut kritikues, gjithashtu edhe ata po qeverisës, do të duhet të besojmë në teorinë e filozofisë pagane dhe teozofiste, si ajo për të cilën u ekzekutua Sopatri, në vitin 331 pas Krishtit. Ai filozof, ishte i dhënë me mish e me shpirt pas mistikës simbolike. U akuzua se duke praktikuar magjinë, kishte arritur “t`u vinte prangat” erërave dhe si pasojë e tyre… kishte bllokuar mbërritjen e anijeve në Kostandinopojë! Për atë “faj”, të përmasave të mëdha, Sopatrin e vranë mizorisht. (Një sqarim për lexuesin; nuk e vranë për këtë gjoja faj, jo, sepse ai u vra me urdhër të Konstadinit të Madh, që e meritonte plotësisht ndajshtimin “i madh”, por sepse Sopatri ishte pagan, ndërsa prefekti pretorian Ablabi, ziliqari i madhështisë autoritetit të tij dhe kundërshtari i filozofisë tij, pikërisht ai që dhe e spiunoi tek Konstandini, ishte i krishterë.) Duke ndjekur këtë mendësi të filozofisë së “paganëve të rinj”, na duhet të “shpiem në karamanjollë” ministrin e Bujqësisë, tërë stafin drejtues të dikasterit, bashkë me kryeministrin, të cilët me “dashje dhe magji”,  “kanë hapur portat e qiellit” dhe bënë këtë hata të re, me përmbytjen e radhës. Në fakt jo vetëm këta, por gjithë qeverisësit e këtyre viteve me “demokraci”, duhen vënë nën pranga një minutë e më parë, sepse e kanë qeverisur vendin, për ta shpurë për vit e më thellë, drejt pusit të fatkeqësive të pashembullta përmbytëse. E themi qysh në fillim, se përmbytjet nuk kanë qenë nuk janë e nuk mundet të jenë tërësisht fatkeqësi natyrore, por në masën më të madhe, faje kryekëput të qeverisësve, faje njerëzore. Qysh në vitin 1925, ekonomisti i famshëm rus, Varga, përforcuar thirrja teorike e tij edhe prej Buharinit, shpallte se “Veprat ujore prodhuese, rrjedhëse dhe në mënyrë të veçantë ato mbrojtëse, nga përmbytjet e tokave duhen të administrohen vetëm nga shteti dhe të mbeten gjithmonë nën përgjegjësinë serioze të tij!” Në asnjë lloj literature të tri epokave të mëdha të qytetërimit, nga skllavopronaria, si forma e parë e njohjes dhe shfrytëzimit e përshtatjes ndaj fenomeneve natyrorë, si specifike për periudhën e lashtësisë, nga bujkrobëria e mesjetës e deri tek periudha e punës me mëditje, nuk gjendet rast që njerëzimi të ketë mbetur duarlidhur ndaj shfaqjeve me pasoja dëmprurëse të faktorëve natyrorë, si me këto qeverisjet tona, gjatë këtij çerek shekulli. Na lind e drejta të themi, se jo vetëm kanë qëndruar indiferente dhe mos vepruese, qeverisjet e këtyre viteve, por ato nuk kanë dashur të njihnin dhe të shfrytëzonin eksperiencën e grumbulluar në vite, arritjet kolosale të shkencës shqiptare, në punë me administrimin e ujërave dhe mbrojtjen e tokave e të terreneve nga përmbytjet. Revolucioni francez, në formën e tij të pastër, pati zgjatur vetëm një vit, por realizoi përmbysje të mëdha me idetë që i solli zhvillimit e përparimit të qytetërimit botëror. “Revolucioni ynë demokratik”, ka një çerek shekulli, që po shkatërron gjithçka të arritur, pa na sjellë asnjë prej të ëndërruarve, që të mund të bëheshim si dhe bota rreth nesh, pa le më Evropa ca më përtej. Ndodhën përmbytjet e para dhe do të ishte dashur që qeverisjet të mund të mobilizonin tërë mendjet shkencore, për të bërë të mundur një Gen-Plan shtetëror, për përshtatjen e argjinaturave ekzistuese me sasinë maksimale të reshjeve dhe prurjeve maksimale të lumenjve, për thellimin e deltave, pastrimet e sekondarëve dhe terciarëve e plot masa, të cilat njeriu që njeh shkencën dhe veprimin e faktorëve natyrorë di ti përcaktojë me përpikëri. Nga këto nuk është bërë asnjë gjë prej gjëje. Si është e mundur të mos dihet nga dikasteri përkatës, se territori shqiptar nuk është në asnjë cep të tij me sipërfaqe tokësore nën nivelin e detit. Atëherë si është e mundur që uji nuk shkon në det, por përmbyt? Dhe po përmbyt e po kripëzon tokat nga bashkimi i ujit të detit me ato të ëmblat, që është fatkeqësia më e madhe e gjithë fatkeqësive, që dhe mund të kalohen në vite. Kjo nuk kalon kollaj. Është gati e papërballueshme, me ecurinë e punëve nga këto lloj qeverisjesh. Përmbyt se rrjedhja e ujërave të lumenjve drejt detit ka ligjësitë e veta. Nëse “i zihet fryma” nga mbushja e mos thellimi i deltave, ose nëse shtretërit nuk gërryhen në verë, në vendet ku uji “fle”, që ta përcjellin ujin për në det, por hahen, kafshohen shtretërit, për marrje inertesh, pa asnjë kriter shkencor, sigurisht që uji do tentojë anët dhe do shpërthejë argjinaturave çyrke, prej fryrjes që i vjen nga presioni, në përplasjen me ujin e detit në deltë. Mundet që edhe sasitë e reshjeve të jenë të atilla, që sjellin përmbytje, por veprat mbrojtëse parashikojnë gjithmonë sasitë maksimale të reshjeve dhe të prurjeve të lumenjve. Këto vite nuk është pasur parasysh asgjë nga këto ligjësi natyrore dhe shkencore, ndaj tyre! Është injoruar shkenca dhe përvoja njëherësh, prej idiotësive qeverisëse. Dhe ndodh ky fenomen, që shohim me katastrofat, që nuk kanë qenë të pakta. Ndodhi dhe kjo më e fundit, që sa tregojnë masat, tërësisht të munguara, nuk do të jetë e fundit, e ne prapë do të qahemi .. prej “goditjeve inatçore të Zotit”, nëse qeverisja nuk i vë gishtin kokës dhe të thërrasë shkencën, që ta thotë ajo fjalën e saj, në përballimin e këtyre fatkeqësive… njerëzore. Sipas meje duhet urgjent një Gen-Plan i përgjithshëm shtetëror, kodi ligjor i mbrojtjes, për ta shpëtuar vendin nga përmbytjet.