Fabrikat që çmontohen nga Evropa, instalohen në Shqipëri

771
Përparim HALILI
Plehrat e importit do të digjen me fabrika, që Holanda dhe Italia i kanë hedhur si “skrap” para 15 vitesh
Këto linja teknologjike, i djegin plehrat në temperaturë 800 gradë, ndërkohë që duhen djegur në temperaturë 2000 gradë
Fabrikat që do të djegin plehrat në Shqipëri (inceneratorët), kanë fuqi djegëse deri në 800 gradë celsius (temperaturë zjarri) dhe ky quhet proces jashtë standardit për vendet e BE, ndaj dhe i kanë hedhur si “skrap”, të cilat bëjnë hi 50-60% të sasisë fizike të plehrave, ndërsa pjesa tjetër del mbetje që nuk mund të riciklohet

Koncesioni për ngritjen e fabrikave që do të instalohen dhe do të djegin plehrat e importit e të vendit në Shqipëri, duket se i ka kaluar jo vetëm caqet e logjikës mjedisore e humane, por edhe detyrimet minimale ligjore, duke tentuar që ky biznes i “shfarosur”, ose i kontrolluar imtësisht nga vendet e BE, të zhvillohet lirshëm në Shqipëri, ku qeverisja quan “zhvillim” helmin që do të çlirojnë këto fabrika. Aq thellë janë futur në “koshin” e biznesit të plehrave qeveritarët aktualë shqiptarë, sa pasi gëlltitën premtimin për ndalimin e tyre, u bënë palë me krimin e importit të plehrave dhe prej 1 viti kanë dalë hapur në mbrojtje të importit dhe djegies së tyre! 
Plehrat e djegur do të nxjerrin 600% me tepër gazra, se fabrikat në Holandë 
Sikur të mos mjaftonte lufta qeveritare për të kthyer Shqipërinë në “furrë” të djegies së tyre, ky krim do të realizohet me fabrika teknologji “mesjetare”, që do të nxjerrin blozë dhe mbetje të shumta kancerogjene brenda qendrave të banuara! Aq i paramenduar ka qenë prej kupolës së kësaj qeverie trafiku mafioz i plehrave të Italisë dhe vendeve të tjera të BE dhe rajonit drejt Shqipërisë, sa batakçinjtë që vazhdojnë ta promovojnë këtë krim njerëzor e mjedisor, si “zhvillim social-ekonomik e kombëtar”, i kanë sjell qysh 3 vite më parë fabrikat, impiantet dhe linjat e përpunimit dhe djegies së plehrave të importit! Nga kanë ardhur këto fabrika? Çfarë teknologjie janë? Çfarë niveli sigurie mjedisore kanë plehrat gjatë djegies? Çfarë sasie dhe ngarkesë gazrash helmues do të shkarkojnë? Çfarë sasie dhe në çfarë përmbajtje rrezikshmëri “vrasëse” do të nxjerrin si mbetje teknologjike? Sipas informacionit, Fabrikat që do të djegin plehrat në Shqipëri (inceneratorët), janë sjell nga Holanda dhe Italia! Janë teknologji (fabrika) të prodhuara gjatë Luftës së Dytë Botërore si krematoriume për të djegur gjithçka e pasi janë shfrytëzuar prej afro 50 vitesh, janë marrë si “mbetje” në këto vende prej atyre që q duan të ligjërojnë koncesionin dhe po instalohen si “fabrika me teknologji të avancuara”, kur realisht janë kalbësira që vetëm do të “prodhojnë” smog e mbeturinë kancerogjene, duke shkatërruar edhe… shkëmbinjtë në male! Sipas informacionit, thuhet se fabrikat e djegies së plehrave të rrezikshme që bota po i “degdisë” në Shqipëri, janë teknologji që në Holandë e Itali, kanë kryer djegie deri në 800 gradë celsius (temperaturë zjarri) dhe ky quhet proces jashtë standardit për vendet e BE, ndaj dhe i kanë hedhur si “skrap”. Por janë marrë e janë sjellë, janë instaluar e do djegin plehra në Shqipëri. Me këtë temperaturë, plehrat digjen (bëhen hi) deri në masën 50-60% të sasisë së tyre fizike, ndërsa pjesa tjetër del mbetje që nuk mund të riciklohet. Po kështu, këto fabrika nuk kanë impiante filtrimi e “konservimi” të gazrave që dalin nga djegia, duke “lëshuar në ajër e në mjedis nivel gazrash 48 herë më tepër se norma e lejuar prej Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ose 600% me tepër se gazrat që çlirojnë fabrikat aktuale të djegies së plehrave në Holandë, Itali e në shtete të tjerë anëtarë të BE, ku kryhet ky proces! vetëm një fakt: Ndërsa Holanda dhe Italia, kanë instaluar fabrika me teknologji që djegin plehrat në temperaturë 2000 gradë me rezultat 97% tjetërsim fizik të tyre në hi, fabrikat që janë sjellë në Shqipëri mund t’i djegin plehrat deri në 800 gradë! Krahasimi është i qartë! 
Ligji u modifikua me dy nene “speciale”, që janë në kundërshtim me Konventën e BE
Futja e dy neneve të importit të mbetjeve në ligjin për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve (MIM) veç të tjerash është jo e drejtë nga pikëpamja ligjore. Sipas direktivës së BE për “Menaxhimin e Mbetjeve”, nuk flitet për import të mbetjeve, por direktiva i referohet rregullores përkatëse të BE-së për importin dhe eksportin. Në guidën për “Përafrimin e Legjislacionit Mjedisor të Bashkimit Evropian”, përcaktohet kështu: “Atje, ku legjislacioni i BE-së për sektorin mjedisor, përmban një përzierje të direktivave me rregulloret, vendet duhet të bëjnë një kujdes të veçantë për të siguruar, që masat kombëtare për zbatimin e direktivave të jetë e integruar në mënyrë të plotë dhe të mos bjerë ndesh me rregulloret e BE-së”. Në ligjin shqiptar, jo vetëm që nuk është bërë kujdes që rregullorja të integrohet në mënyrë të plotë me direktivën (pra në rastin e Shqipërisë me ligjin MIM), por rregullorja është injoruar fare dhe nuk ekziston. Pra, nenet e importit të plehrave që janë futur arbitrarisht në këtë ligj, funksionojnë pa rregulloren e detyrueshme, që do të thotë që të gjitha rrugët e keqpërdorimit janë të hapura, që në Shqipëri të futen edhe mbetje kimike, mbetje industriale kancerogjene e deri kufoma kafshësh. Ndërtimi i inceneratorëve, po lejohet të kryhet pa marrë formë të prerë ligji I importi dhe djegies së plehrave, bllokuar në parlament prej votave të LSI, tërhequr prej mazhorancës mono-partiake “Rilindja-2”, për gjoja konsultim me popullin! Ligji që lejon importin e mbetjeve “për rikuperim” në Shqipëri, ku rikuperimi përfshin edhe shfrytëzimin e përmbajtjes energjetike të mbetjeve përmes incenerimit, u rikthye në Kuvendin e Shqipërisë nga Presidenti Bujar Nishani në muajin tetor 2016! Duke përdorur skemën e partneritetit publik-privat (PPP), qeveria ka parashikuar që këto koncesione të jenë me afat për 30 vite! 
Importi, përpunimi dhe djegia e plehrave, biznes punësimi apo helmimi për shqiptarët?!
Importi dhe biznesi i plehrave e mbetjeve, që riciklohen e që gjoja do të riciklohen për efekt të rritjes së punësimit dhe mirëqenies së shqiptarëve të varfër, ka qenë objekt denoncimesh të shumta faktike nga gazeta “Telegraf”, mbasi ky nuk është një resurs punësimi, por shkatërrimi për jetën e shqiptarëve dhe të mjediseve e produkteve ushqimore natyrale! Fakti që këmbëngulet kaq shumë për ta zhvilluar këtë biznes kriminal në Shqipëri, provon faktin që e komandon “dora e familjarit” të një politikani të lartë në Shqipëri, cili ne emër të këtij biznesi të fuqishëm, bënë edhe akrobaci politike me miratuesit dhe mbrojtësit e këtij ligji, që serviret nëpërmjet një deputeti “rilindës”, i cili në qershor 2013 garantoi shqiptarët, se “rilindësit” do të vidhnin më pak nga demokratët! Siç është denoncuar edhe nga zyrtarë e politikanë të LSI, skenari i importit të mbetjeve të rrezikshme realizohet nëpërmjet marifetit të gjoja kalimit transit të tyre, nëpër Shqipëri dhe shkarkimin në territorin shqiptar, duke tentuar të humbasin gjurmët e depozitimit dhe groposjes së tyre. Kujtojmë, që Shqipëria ka nënshkruar 5 konventa lidhur me rrezikun dhe mbrojtjen nga mbetjet radioaktive dhe nga veprimi i tyre shkatërrues. Sipas këtyre konventave, detyrohet hyrja në kufi dhe kalimi transit i tyre nëpër territorin tokësor e detar të Shqipërisë, nën kontroll e monitorim të plotë, deri në dalje në kufi. Thuhet, se në territorin detar e tokësor shqiptar, vazhdojnë të kalojnë transit por që depozitohen brenda Shqipërisë, mbi 8 lloje lëndësh e mbetjesh radioaktive tepër të rrezikshme, të cilat në Shqipëri kanë si “tutor”, familjarin e një politikani të lartë, që i maskon gjoja “si mbetje urbane” të mbledhura nga bizneset në Shqipëri. Por edhe që i importon, për riciklim me efekte punësimi! Në vijim, do të publikojmë fakte të plota rreth këtij biznesi që po “vret” shqiptarët e që sipas skenarit të ‘rilindjes”, synohet të bëhet masiv dhe lirshëm!
Ja emrat e 15 mbetjeve të rrezikshme
1. Vajrat e përdorura 
2. Mbetjet të bio-degradueshme 
3. Mbetjet e ambalazheve prej letre e plastike
4. Ndotësit organikë të qëndrueshëm 
5. Bateritë dhe akumulatorët 
6. Automjetet në fund të jetës 
7. Mbetjet e pajisjeve elektrike dhe elektronike 
8. Llumrat e ujërave të zeza 
9. Mbetjet dhe nënproduktet shtazore 
10. Mbetjet inerte të djegshme
11. Mbetjet e industrisë nxjerrëse e përpunuese 
12. Mbetjet e industrisë ushqimore
13. Mbetjet e nxjerra nga anijet 
14. Mbetjet nga gomat e përdorura
15. Mbetjet spitalore
Sigal