FA me 2 helikopterë të rinj për operacionet kërkim-shpëtim

638
Forcës Ajrore i shtohen dy helikopterë të rinj për operacionet SAR (kërkim-shpëtim), ndërsa katër mjete të blinduara i shtohen Policisë Ushtarake. Në Bazën Ajrore në Farkë është zhvilluar ceremonia e dorëzimit të dy helikopterëve të rinj të tipit EC-145 në konfigurimin SAR (kërkim-shpëtim), si dhe katër mjeteve të blinduara të klasit “Lince” për Policinë Ushtarake. Ishin të pranishëm ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, gjeneralmajor Jeronim Bazo, komandanti i Forcës Ajrore, gjeneral brigade Vladimir Avdia, ambasadori i Republikës së Francës në Tiranë, z. Bernard Fitoussi, i ngarkuari me punë i Italisë Marcello Cavalcaselle, atashe ushtarakë të akredituar në vendin tonë etj. Ministrja e Mbrojtjes Kodheli, duke përshëndetur në këtë ceremoni, tha se përfundimi i programit të modernizimit të Forcës Ajrore me gjashtë helikopterët, të cilët operojnë me të njëjtat standarde si në ushtritë e Aleancës, si dhe me përgatitjen e pilotëve dhe teknikëve pranë kompanive me prestigj në fushën e fluturimit, do të bëjë që Forca jonë Ajrore të jetë një vlerë e shtuar, jo vetëm për garantimin dhe rritjen e sigurisë dhe cilësisë së shërbimeve ajrore brenda vendit, por në të njëjtën kohë ne do të kemi mundësi që të kryejmë operacione të përbashkëta në bashkëpunim me komandat e NATO-s për t’i dhënë zgjidhje situatave të ndryshme. Ndërkaq, Kodheli vlerësoi edhe fuqizimin e Policisë Ushtarake me katër mjete të blinduara të klasës “Lince”. Këto mjete, theksoi ajo, do të shërbejnë për të rritur kapacitetet teknike dhe operacionale të misionit dhe detyrave të Policisë Ushtarake, si dhe për të zhvilluar, kompletuar dhe rritur nivelin operacional të kësaj strukture për kryerjen e operacioneve të vështira në zona me rrezikshmëri të lartë e më gjerë. Me këtë rast, ministrja Kodheli ka falënderuar mbështetjen e aleatëve dhe miqve tanë të Francës, Gjermanisë dhe Italisë, por edhe të gjithë përfaqësuesit dhe trajnuesit e vendeve mike.
Sigal