Evdal Nuri/ Tirana, kryeqyteti më i ndotur europian

933
Tirana, kantier ndërtimi. Këtë e tha vetë Kryetari i Bashkisë para disa ditëve. Punohet në Unazën e Vogël në qendër, në Unazën e Madhe, te Pazari i Ri, Fabrika e Bukës, te “Ali Demi” e në lagje të tjera. Punohet këtu, punohet atje. Mirë që punohet. Kjo duhet përshëndetur. Por gjithë kjo ndotje ku shkon? Gjendja është vërtet shumë shqetësuese! Sa pluhur ngrihet ku kalojnë me mijëra makina dhe transportohen mijëra ton inerte? Kalimtarët bëhen vetë dëshmitarë të kësaj dukurie, duke mos patur mundësi që të zgjidhin asgjë. Këtë e dinë sidomos ata që banojnë në të dy anët e rrugës. Ata mund të flasin, se çdo të thotë të banosh në smogun e zhurmën e makinave gjatë gjithë kohën. Trafiku është mjaft i rënduar, kurse kalimtarët ecin në pluhur ose baltë. 

Tirana, qyteti më i ndotur i Europës
 
Nuk e themi ne, por ata që na monitorojnë. Ta konkretizojmë me disa shifra. Ndotja në Tiranë është 30% më e lartë se norma e lejuar nga BE. Të kuptohemi, në gjendje të qetë! Tani shumë herë më i rënduar. I vetmi qytet që ka kaluar normat e NO2 nga BE. Pas Tiranës vijnë qytetet e tjera: Shkodra, Korça, Fieri, Vlora, Elbasani. Zonat më të rrezikshme në mbetje Cianuri, kimikatesh, pesticidesh janë: Elbasani (me katër herë më të madhe se norma e lejuar). Pastaj vijnë Berati, Korça, Përrenjasi, Rrësheni etj. Gjendja e dëshpëruar. Ne duam që të mos sëmuremi. Të mos shurdhohemi. Të mos na shkurtohet jeta e të mos vdesim, për fajin e njërit, apo të tjetrit, por kur të na i ketë caktuar “Zoti”. Eliminimi i ndotjeve kërkon në radhë të parë kosto, që i takon shtetit t’i përgjigjet, pastaj ndërgjegjësim shoqëror e së fundi forcën e ligjit. 

Arsyet

Mbeturinat urbane dhe inerteve, shtimi i makinave me vite të palimituara, çpyllëzimi, pakësimi i gjelbërimit. Sipas të dhënave të fundit 20% e pyjeve janë zhdukur. Lumenjtë janë gërryer. Shqipëria gjendet e “çveshur” kur bota po bënë të kundërtën! Mbeturinat shtëpiake, djegia e gomave, cilësia e dobët e naftës dhe e benzinës, rrugët e amortizuara, mënyra e pastrimit me fshesa e jo me furça, jo natën por gjithë ditën! Këto kanë sjellë si pasojë rritjen e smogut e grimcave të imta, mjaft të dëmshme për shëndetin, që i kalojnë standardet ndërkombëtare. 250 mijë hektarë tokë arë kanë marrë fund, për arsye që dihen. Ndërtime pa kriter, erozion, përmbytje të përhershme, mungesë administrimi ujërash etj. Afro 17% e të gjithë tokës të Shqipërisë ka degraduar, është tharë dhe është bërë shkretëtirë. Për çdo banor, sot sipërfaqe toke të punueshme ka më pak se 0,15 hektarë, kur minimumi ekzistencial për prodhimin e ushqimit të mjaftueshëm është 0,17. Kaq janë të mjaftueshme për ta marrë me mend se si e kemi përjetuar këtë periudhë.

Ndotja akustike

Ajo sipas OBSH, shkakton probleme kardiovaskulare, e mendore, duke mos llogaritur dëmet e ndjeshme në dëgjim. Zhurmat na shoqërojnë në shtëpi, rrugë, punë e kudo, duke mos përjashtuar sirenat e makinave që bien pa asnjë arsye. Me miliona makina qarkullojnë në qytete të ndryshme të botës, por s’kemi parë e dëgjuar asnjë sjellje të tillë! Atje ligji është i shenjtë dhe zbatohet nga të gjithë njësoj. Ndotja e ujit, nga derdhja e mbeturinave në lumenjtë e liqenet. Hedhja e kimikateve e inerteve kudo pa asnjë kriter. Derdhja e ujërave të zeza, atje ku më vonë do të përdoret për të pirë e tjerë.
Ndërtimet e urbanizimit
Ndërtimet e shumta me dhe pa leje, që s’janë pak, por me dhjetëra e mijëra. Vjen dita, që ato pa leje prishen. Si erdhi tani. Ato do të ndotin kur diçka tjetër do të ndërtohet. Tri herë ndotet mjedisi tek ne. Kur ndërtohet, kur prishet dhe kur ndërtohet përsëri. Kohët e fundit jemi dëshmitarë të një ndotjeje në gjithë Tiranën e në gjithë vendin. Po për dhjetëra e mijëra ndërtime pa leje, që po prishen masivisht? Ndërtimet mund t’i krahasojmë me makinat, megjithëse këto kanë një ndikim shumë më të madh. Ministri i Mjedisit foli për arritjet, por vuri në dukje dhe shqetësimet. Nga 50.000 mijë makina, vetëm 18.000 mijë janë me km zero. I bie që 32.000 mijë të kenë filluar lëvizjen në rrugët e Shqipërisë me disa mijëra km. Ndotja, që shkaktojnë makinat e vjetra qenka 30 herë me madhe se ato të rejat! Shifër e saktë, por befasuese e shumë shqetësuese! Pyetja është kjo? Pse u lejuan makinat e vjetra të hyjnë në Shqipëri? E dyta. Pse u lejuan ndërtimet pa leje? Këto pyetje kërkojnë përgjigje e përgjegjësi. Me të drejtë dikush mund të thotë: Ç’po na thua? Kur s’punohej bëheshin kritika që s’po punohet për të rregulluar Tiranën! Tani thonë se ka ndotje të madhe! Si i bëhet halli? Ka shumë rrugë. Të paktën të pakësohet ndotja. Këtë e dinë më mirë ata që merren me këtë punë. Fjala vjen, mund të punohet natën në disa zona me lëvizje të madhe të këmbësorëve. 
Pasojat 
Vetëm nga ndotja e ajrit vdesin çdo vit mbi 500 vetë. Sëmuren e zënë spitalin 1000-1500 persona. Kush jeton në qytet i pakësohet 1.5-2 vjet jetë. Shkaku, prezenca e grimcave shumë mikroskopike, por mjaft të dëmshme për jetën. Ne kujdesemi nga dera e brenda, sikur ambienti që na rrethon, s’është pjesë të jetës sonë! Pra kemi një rrezik shumë të madh, duke mos e kuptuar se ne jemi vetë shkaktarët e kësaj gjendje kaq shqetësuese!
Sigal