Evazion 500 milionë lekë nga kompania e naftës, dy në pranga, tre në kërkim

653
Zbulohet një skemë mashtrimi financiar nga një kompani nafte në vendin tonë.
Dy persona janë vënë në pranga, ndërsa tre të tjerë janë shpallur në kërkim nga policia e Tiranës për veprat penale të “Fshehje të ardhurash”, “Mospagim taksash dhe tatimesh” si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”.
Të arrestuarit janë Aurel Preni 40 vjeç dhe Fiqiri Hoxha, 61 vjeç, të dy lindur dhe banues në Tiranë.
Kapja e tyre u nga gjatë finalizimit të operacionit të koduar “Karburanti”nga Seksioni për Krimin Ekonomik e Financiar, Sektori i Forcës Posacme Operacionale Speciale dhe Kërkimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, pas hetimeve disamujore në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Policia bën me dije se ka shpallur në kërkim shtetasit I.K , E.K dhe F.G dhe po punohet per kapjen dhe arrestimin e tyre.
Ata dyshohen për veprat penale “Fshehje të ardhurash”, “Mospagim taksash dhe tatimesh” si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”.
Sipas organit të akuzës, kompania e naftës i është shmangur pagesës së detyrimeve ndaj shtetit në vlerën e rreth 500 milionë lekëve të reja.
Prokuroria: 5 personat, 500 milion lekë të reja shmangie detyrimesh ndaj shtetit
Dy shtetasit e arrestuar dhe tre të tjerët e shpallur në kërkim sipas Prokurorisë janë drejtues dhe përfaqësues të kompanisë së naftës “FULLPET”, të dyshuar si të përfshirë në një skemë mashtrimi financiar, duke iu shmangur pagesës së detyrimeve ndaj shtetit në vlerën e rreth 500 milionë lekëve të reja.
Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimin në Prill 2015, në bazë të informacionit të mbërritur dhe në bashkëpunim të vazhdueshëm me Drejtorinë e Përgjithshme e Tatimeve, Sektori i Hetimit.
Nga materiali hetimor ka rezultuar se, shtetasit shqiptarë Aurel Preni, Fiqiri Hoxha, F.G, si edhe shtetasit me shtetësi të huaj, I. A dhe E. O., në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke filluar nga viti 2012, kanë kryer veprime të ndryshme financiare, për të shmangur detyrimin ndaj organeve tatimore.
Në vitin 2014, administrata tatimore ka konstatuar debinë e kompanisë “Fullpet” në vlerën e rreth 145 milionë lekëve për vitin 2012, (ndërkohë që ky detyrim deri në vitin 2015 është trefishuar). Për shlyerjen e kësaj debie (të vitit 2012), ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe kompanisë “Fullpet” është nënshkruar një akt-marrëveshje, në bazë të të cilës kompania merrte përsipër shlyerjen e detyrimit me 8 këste.
Për të shlyer këtë detyrim, kompania ‘Fullpet” merr një kredi në një bankë të nivelit të dytë. Por, nga hetimi rezulton se kredia e marrë nuk ka shërbyer për shlyerjen e detyrimeve tatimore, por është përdorur për krijimin e kompanive të reja dhe blerjen e aseteve për këto kompani. Këto blerje ka rezultuar se janë tentativë e qartë për t’iu shmangur detyrimeve tatimore.
Shmangia e detyrimeve ndaj shtetit prej 2012
Në mënyrë të përmbledhur, nga ana e hetimit të Prokurorisë rezulton se:
– Konstatohen elementët e veprës penale të “Fshehjes së të Ardhurave”, dhe “Mospagim të Taksave”, të parashikuara nga nenet 180 dhe 181 të Kodit Penal, pasi shoqëria “FULLPET” për periudhën Dhjetor 2012 – Dhjetor 2013, ka ushtruar aktivitet, duke iu shmangur detyrimeve.
– Nga kontrolli i ushtruar tek kjo shoqëri janë konstatuar diferenca të konsiderushme të padeklaruara nga shoqëria në shumën e 485.045.544 (kateqind e tetëdhjetë e pesë milion e dyzet e pesë mijë e pesëqind e dyzetekatër) lekëve.
– Administratori Aurel Preni nuk ka respektuar AKT-MARVESHJEN, datë 04.07.2014, me Drejtorinë Rajonale Tatimore Tiranë për shlyerjen e Borxhit prej 143.378.552 lekë, qëllimi i aktmarveshjes ka qënë vetëm për të hapur llogarinë bankare dhe tërheqja e lekëve, nga shitja e aseteve të shoqërisë.
– Shumën prej 88.158.170,00 (tetëdhjetë e tetë miljon e njëqind e pesëdhjetë e tetë mije e njëqind e shtatëdhjete) lekë, shumë e cila i përket shitjes së aseteve, shoqëria “FULLPET” me administrator shtetasin Aurel Preni, me një kontratë “Ndihmë Financiare”, ja ka kaluar shtetasit Fabian Goçin (faturist sipas listpagesës) në të njëjtën ditë me akt-marveshjen.
– Me asetet e shoqërise “FULLPET” është krijuar shoqëria tjetër “A.K.F. PETROLEUM”, me administrator shtetasin Fiqiri Hoxha, i cili ishtë punonjës i shoqërisë “FULLPET” (shitës karburanti sipas listpagesës). Kjo shoqëri filloi aktivitet në momentin kur ndaj shoqërisë “FULLPET” u morën masat shtrënguese nga DRT Tiranë për shlyerjen e detyrimeve, duke përdorur fatura tatimore fiktive (pa transaksion bankar), arritën të shmangnin bllokimin e aseteve dhe më pas tjetërsimin e tyre.
Sigal