Europol: Shqipëria burimi kryesor i kanabisit bimor në Europë

634
“Shqipëria mbetet burimi kryesor i Kanabisit bimor të trafikuar në vendet e Bashkimit Europian”, thuhet në një raport të publikuar së fundi nga Agjensia Europiane për luftën kundër krimit, Europol.
Raporti vlerëson se kanabisi është droga më e përhapur që konsumohet në mënyrë të paligjshme në 28 vendet e Bashkimit Europian. “Në vitet e fundit, kanabisi bimor ka qenë gjithnjë e më popullor tek përdoruesit dhe është shoqëruar me një rritje të prodhimit”, thuhet në raportin e Europol për vitin 2017.
Raporti vlerëson se kultivimi i brendshëm i kanabisit bimor në vendet e Bashkimit Europian pritet të zgjerohet më tej, falë teknikave të reja në rritje dhe gjithnjë e më të sofistikuara. Sipas Europol, raporti, është një analizë e detajuar e kërcënimit të krimit të organizuar mbështetur në informacionin e vendeve të Bashkimit Europian.
Agjensia europiane e zbatimit të ligjit thotë se Europol ka ndërmarrë procesin më të madh të zhvilluar ndonjëherë në mbledhjen e të dhënave për krimin e organizuar në vendet e Bashkimit Europian. Krimi kibernetik, prodhimi i drogës, trafikimi dhe shpërndarja e saj, kontrabandimi i emigrantëve, krimi i organizuar dhe trafiku i qënieve njerëzore mbeten në përparësitë e luftimit të krimit nga vendet e BE-së.
Sipas Europol më shumë se 5. 000 Organizata ndërkombëtare të Krimit të Organizuar të më shumë se 180 kombësive janë aktualisht nën hetim në Bashkimin Europian. Europol vlerëson se numri i grupeve të krimit të organizuar që janë të përfshirë në më shumë se një aktivitet kriminal është rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit (45% në vitin e shkuar në krahasim me 33% në vitin 2013).
Sipas Europol për pothuajse të gjitha llojet e krimit të organizuar, elementët kriminalë kanë përshtatur aktivitetin e tyre me zhvillimin e teknologjisë . “Kjo është tani, ndoshta, sfida më e madhe që përballen autoritetet e zbatimit të ligjit në mbarë botën, duke përfshirë edhe në Bashkimin Europian”, vlerëson Europol.
Sigal