Euro zbret nën 128 lekë shënon rënie të lartë ditore. Ekspertët: Nuk e kuptojmë çfarë po ndodh

104
Euro ka shënuar një rënie të fortë ditore sot në tregun e brendshëm të këmbimit valutor. Sipas kursit zyrtar të këmbimit, një euro u këmbye me 127.92 lekë, me një nënçmim prej 0.82 lekësh në krahasim me ditën e mëparshme. Kjo është rënia e dytë më e lartë ditore që prej 21 marsit dhe është jashtë tendencës normale, duke treguar për lëvizje të mëdha në treg. Të kontaktuar nga Monitor, ekspertët e këmbimit valutor nga agjencitë dhe bankat nuk arritën të shpjegonin se pse ndodhi ky nënçmim kaq I lartë, ndërkohë që faktorët që në afatgjatë mbajnë euron të dobët janë po ato, fluksi I lartë I eurove informale që po kanalizohen në ndërtim, të hyrat zyrtare nga turizmi si dhe efektet e deuroizimit, të ndihmuara dhe nga rënia e euros në bursat ndërkombëtare javët e fundit.
Ekspertët e agjencive valutore pohuan se ka pasur një fluks të shtuar prej turistëve, por që gjithsesi nuk shpjegon tkurrjen e madhe ditore. Nga ana tjetër, qarkullimi i lekut sipas tyre është në minimum, dhe kjo bën që edhe një ofertë e vogël e shtuar e valutës të ketë efekt të lartë në nënçmimin e euros.
Nga ana tjetër, bankierët pohojnë se në plan janë disa konvertime të mëdha kapitali të bankave nga euro në lekë, çka do të ndikojë në kahun nënçmues të monedhës së përbashkët, ndonëse nuk konfirmohet nëse ato kanë ndodhur aktualisht apo jo.
Në tregun e brendshëm euro ka arritur një tjetër rekord të 10 viteve të fundit, duke u këmbyer ne nivelin më të lartë që prej shkurtit 2009.
Në 21 mars euro shënoi një rënie të fortë ditore, duke zbritur afër 129 lekëve, për t’u rritur sërish në ditët në vijim po me të njëjtat ritme, në një fenomen që ata e quajtën efekti sustë, ku valuta tenton të rikthehet në nivelin që ka qenë. Në atë kohë ndodhi dhe transaksioni për shitjen e një banke për rreth 25 milionë euro. Më pas luhatjet ditore u zvogëluan dhe euro u stabilizuar në nivelin 129-130 lekëve.
Ekspertët e tregut presin që me afrimin e verës, euro do të nënçmohet më tej dhe mund të shkojë në nivelin e 124.125 lekëve.

kk-4-maj