Eugen Isai:“Me masat e marra do të ulim 10 problemet e turizmit në Elbasan”

1261
Sigal

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”  Kryetari i Qarkut të Elbasanit, Eugen Isai: Ja cilat janë zonat më të preferuara

Në një intervistë për gazetën “Telegraf”, Kryetari i Qarkut të Elbasanit, Eugen Isai bën të ditur, se cilat janë masat e marra për këtë zezon të ri turistik, i cili sapo ka filluar. Isai flet gjithashtu për llojin e turizmit që zhvillohet në Elbasan, për zonat më të vizituara si dhe për problemet që ka turizmi në këtë qark.

Cilat janë masat e marra nga Qarku Elbasan për sezonin turistik?

Në prag të sezonit të ri turistik, Këshilli Qarkut Elbasan, njësitë vendore të Qarkut si dhe aktorë të tjerë rajonalë, janë duke pritur turistë vendas dhe të huaj, për të vizituar dhe shijuar bukuritë natyrore dhe historike të destinacioneve turistike të qarkut tonë. Ndërhyrjet e nevojshme janë bërë në drejtim të të gjithë komponentëve për një turizëm të suksesshëm. Kështu, në drejtim të infrastrukturës rrugore ka mbaruar plotësisht rikonstruksioni i plotë i rrugës Elbasan-Byshek-Shushicë, rikonstruksioni i rrugës Librazhd-Stëblevë, rrugë e cila të çon në Parkun Kombëtar Shebenik-Jabllanicë, vazhdon me ritme tepër intensive, rikonstruksioni i rrugës së Funarit, rikonstruksioni i plotë i aksit rrugor që të çon në Kodrën Krastë e Madhe. Në drejtim të mikpritjes së turisteve është investuar dhe janë marra masa për të ofruar një mikpritje sa më atraktive dhe cilësore. Në drejtim të promovimit të vlerave turistike të rajonit tonë, janë hedhur këtë vit produkte të reja turistike, guida turistike e Qarkut Elbasan, harta dixhitale e monumenteve të natyrës dhe kulturës, e cila ndodhet e hedhur në web-in e Këshillit të Qarkut Elbasan, kalendari Festave për Qarkun Elbasan, i përgatitur në bashkëpunim me të gjitha njësitë vendore të Qarkut Elbasan, fletëpalosjeve dhe broshurave promovuese të Qarkut Elbasan, ku rëndësi të veçantë zë sektori i turizmit, albumi mbi kostumografinë e trevave të Elbasanit, për të promovuar vlerat e paçmuara dhe origjinalitetin e kostumeve popullore të rajonit tonë.

Çfarë lloj turizmi ofron Qarku i Elbasanit?

Qarku Elbasan duke patur një larmishmëri të vlerave turistike, qofshin ato historike, kulturore, arkeologjike, natyrore dhe malore, bën që spektri i llojeve të turizmit në rajonin e Elbasanit të jetë shume i gjerë. Kjo i dedikohet shtrirjes gjeografike, pasurisë së vlerave turistike, kulinarisë tipike të rajonit tonë si dhe mikpritjes tradicionale. N.q.s do t’i referohemi këtyre vlerave turistike, mund të themi që në Elbasan mund të shijoni turizmin malor, historik, kulturor, arkeologjik, agro-turizmin dhe atë familjar. Në qoftë se do t’i drejtoheni qytetit të Elbasanit, do t’u jepet mundësia të vizitoni vlera historike dhe kulturore të rralla, monumente të figurave të shquara të Elbasanit dhe Shqipërisë.

Cilat janë zonat më të vizituara dhe a kanë infrastrukturën rrugore të duhur për turistët?

Kalaja e Elbasanit, objekt i cili bie në sy menjëherë sapo arrin në qendër të qytetit, kështjellë e qytetit të  lashtë Skampi, Bazilika e Bezistanit, me vlera të larta arkeologjike dhe artistike siç janë mozaikët dhe afresket, Kulla e Sahatit, kulla e orës së Elbasanit që ndodhet në territorin e kalasë, Xhamia Mbret, e cila ndodhet në mes të kalasë Xhamia e Nazareshtës, e cila tërheq vëmendjen me harmoninë dhe bukurinë e formave dhe ngjyrave të materialeve ndërtimore, Muzeu Etnografik, nuk mund të thuash se ke vizituar Elbasanin n.q.s nuk ke vizituar më parë Muzeun Etnografik, Kisha e Shën Mërisë, e cila ndodhet edhe kjo ne zemër të kalasë si dhe Hamamet, të cilët i japin larmi dhe dinamikë arkitekturës dhe urbanistikës tradicionale. Ndër monumentet kulturore të rajonit tonë përmendim, Monumenti i Kostandin Kristoforidhit, një nga figurat më të ndritura të shkencës shqiptare, Monumenti i Aqif Pashë Biçakut, atdhetar dhe figurë e shquar e pavarësisë, Monumenti i Arsimit, i cili shpreh adhurimin e elbasanasve për arsimin dhe kulturën, Monumenti i Aleksandër Xhuvanit, një ndër themeluesit e sistemit modern arsimor shqiptar, pa anashkaluar këtu edhe zonat turistike, siç janë Gjinari, Burimi i Llixhës së Hidrait, Bysheku, Kodra e Krastës, zona e Qerretit, zona e Dumresë, zona e Funarit, zona e Stëbleves etj.. Infrastruktura rrugore në këto destinacione turistike është tepër e mirë, si rezultat i ndërhyrjeve të vazhdueshme që janë bërë.

Mendoni se do të rritet numri i turistëve në këtë qark këtë vit si rezultat i punës intensive?

Nisur nga puna tepër intensive që Këshilli Qarkut Elbasan bashkë me aktorët e tjerë rajonale ka bërë gjatë kësaj periudhe për promovimin dhe zhvillimin e turizmit, rezultati është finalizuar me një rritje të numrit të turistëve vendas dhe të huaj që kanë vizituar Qarkun Elbasan nga njëri vit në tjetrin. Gjatë vitit 2012, zonat turistike të rajonit tonë janë vizituar nga më shumë se 700 mijë turistë, duke nisur sezonin turistik që në muajin tetor, ku dëbora në këto vende turistike arrin në 2 metra dhe sipërfaqe të mëdha mund të përdoren si pista për ski. Po ashtu, liqenet e ngrira janë një mundësi e mirë për të ushtruar patinazhin. Ndërsa, stina e verës ofron një tjetër pamje, ku pyjet e dendura dhe hapësirat e lëndinave i shërbejnë ngritjes së kampingjeve verore.

Problematikat

Krahas arritjeve të bëra deri më tani në fushën e turizmit, padyshim ka akoma vend për ndërhyrje nisur nga prania e problematikave aktuale në drejtim të zhvillimit të turizmit në Qarkun Elbasan. Ndërhyrjet janë të lidhura me probleme të tilla si:

•    Ka akoma nevojë për investime në drejtim të infrastrukturës rrugore

•    Ndotja e mjedisit dhe mungesa e një landfill-i (vend depozitimi) për grumbullimin e mbetjeve urbane

•    Ndërgjegjësimi i komunitetit mbi rëndësinë e zhvillimit të turizmit dhe përfitimet prej tij.

•    Përmirësim i infrastrukturës sinjalistike, orientuese, informuese

•    Në disa zona turistike ka pak mjete promovuese të zonës (faqe interneti, guida, fletëpalosje informative)

•    Mungon paketa turistike. Përcaktimi i një liste të produkteve turistike për një turizëm të qëndrueshëm dhe të zhvilluar në këto zona

•    Mungesa e tur-operatorëve në zonat që konsiderohen destinacione turistike të Qarkut Elbasan

•    Më shumë trajnime të personave që ofrojnë shërbime turistike.

•    Promovimi dhe zhvillimi më tej i Turizmit Familjar (Ekoturizmi-Agroturizmi)

•    Zhvillimi i një “brandy” (marke) të Elbasanit për të nxjerrë në pah origjinalitetin e këtij rajoni.