ETRUSKËT DHE ILIRËT

28
Dr. Niko FERRO

A ka pasur kontakte midis dy qytetërimeve ?
Tema që do trajtojmë në vijim nuk është bërë ndonjëherë objekt studimi apo kërkimi të mirëfilltë shkencor. Është një temë e veçantë, e pa rrahur më parë dhe si e tillë kërkon hulumtim të gjerë në tekste. Janë të shumtë librat që flasin për etruskët, për gjuhën e tyre “misterioze”, për kulturën e veçantë, mitologjinë e pasur dhe për traditat e hershme që e karakterizojnë si popull. Të tillë me shumicë ka edhe për ilirët. Por kur bëhet fjalë për kontaktet midis dy popujve, të cilët për disa shekuj me radhë i ka ndarë vetëm një det nuk gjejmë asgjë të shkruar qoftë dhe një rresht të vetëm apo ndonjë detaj të vogël të shkruar kalimthi. Edhe ato pak shkrime që janë bërë nga autorë të huaj dhe të botuara së fundmi nuk flasin për këtë argument. A është kjo mungesë e qëllimshme apo vjen si rezultat i mungesës së informacionit për marrëdhëniet që mund të kenë pasur dy qytetërimet, vështirë se mund të jepet një përgjigje e saktë. Megjithatë na duhet të sqarojmë se paraqitja e kësaj teme nuk do të thotë se është më e rëndësishme se të tjerat, por të evidentojmë, (mbështetur në gjetjet arkeologjike) nëse ka pasur kontakte midis dy qytetërimeve. Pikërisht këtë gjë synojmë të paraqesim në mënyrë koncize dhe pa u zgjatur në shkrime të tepërta. Më poshtë po rendisim vendet ku janë zbuluar objektet arkeologjike me origjinë etruske. 

Objekte të zbuluara në Slloveni
1) Në qytetin e Novo Mesto është zbuluar një objekt arkeologjik i identifikuar si tripod (enë me tre këmbë) e derdhur në bronz, i përdorur për ceremoni fetare. Sipas arkeologëve sllovenë ky objekt mund të jetë prodhuar në qytetin etrusk të Vetulonisë. Ky objekt daton në shek. VII p. Kr.

2) Një kupë e prodhim etrusk i tipit “etruske-korintike” është zbuluar në afërsi të fshatit Striçna, Slloveni.

3) Një ojnohe e prodhimit etrusk e indetifikuar si tipi “etruske-korintike” është zbuluar edhe kjo në afërsi të fshatit Stiçna, Slloveni. 

4) Dy Askos në formë shpendi nga Muzeu i Lubjanës. Sipas Stipçeviç “dy objektet e tipit aksos (pas studimit) u arrit në përfundim se kanë analogji të përbashkëta me një tjetër askos të zbuluar në Bolonjë. 

5) Një helmetë etruske me kreshtë dhe me zbukurim shek. VIII p. Kr gjetur në shpellën “Musja Jama” në Shkocjan afër qytetit Divaça, Slloveni. Sipas akademikut kroat Mate Suiç: “gjetja e këtij objekti (fig 1) tregon se bregdeti i Adriatikut Lindor, i kryesuar nga Liburnët kishte lidhje të hershme me territorin etrusk që në periudhën villanoviane. 

Objekte të zbuluara në Kroaci:
6) Në ishullin Vis në Kroaci është gjetur një enë etruske kantharos e tipit “bucchero”.

7) Po në këtë ishull është gjetur një enë etruske e tipit aribal.

8) Në vitin 1925 pranë lumit Kupa në qytetin e Sisak, Kroaci, u zbulua rastësisht një monedhë etruske. Në “faqe” ka “rrotën” dhe në “shpinë” ndoshta “spirancën” paraqitet shumë e dëmtuar. Kjo lloj monedhe etruske datohet në gjysmën e parë të shek III p.e.s.

9) Në vitin 1955 në varrin n. 47 të nekropolit japodik të Kompoljes në afërsi të Otoçac u gjetën 5 objekte të punuar në qelibar. Objektet i janë dhënë formë me tipare njerëzore, gruaje. Të gjitha figurinat kanë dimensione të vogla që fillon nga 0.5 cm në 1 cm. Pas studimit të bërë në atë kohë u arrit në përfundim se 5 figurinat prej qelibari nuk janë të prodhimit japod por janë mall importi. Krahasimi që u bë me të tjerat të gjetura në Itali mund të thuhet pa dyshim se atdheu i tyre është territori etrusk. Të tilla janë zbuluar në Bologna, Marzabotto, Roma, Vasto e të tjerë. Stipçeviç doli në përfundim se këto objekte kanë hyrë nëpërmjet rrugëve detare nga qyteti etrusk i Spinës. 

Objekte të zbuluara në Bosnje Hercegovinë
10) Një fibul etruske e tipit Certosa zbuluar në Vrankamen pranë Krupa, Bosnje Hercegovinë.

11) Një skyphos etrusk gjetur në afërsi të qytetit Sanski Most. 

12) Një enë me mbishkrim etrusk (fig 4) gjetur në një kodër të vogël pranë Bugojno-s në Bosnje-Hercegovinë. Kjo enë me mbishkrim sot ruhet në Zemaljskog Muzeja, Sarajevë, Bosnje- Hercegovina. 

Objekte të zbuluara në Malin e Zi
13) Në nekropolin e Gotovusha në afërsi të Pljevlja, qelibar të prodhimit etrusk. 

Objekte të zbuluara në Serbi
14) Një kuti për mbajtje eshtrash e tipit etrusk është zbuluar në një varrë në qytetin e Atenica në Serbinë Qendrore.

Objekte të zbuluara në Shqipëri.
15) Në muzeun arkeologjik të Durrësit ruhet një amforë e veçantë, e cila besohet se mund të jetë me origjinë etruske? Sipas arkeologut shqiptar Fatos Tartarit. “Ndonjë autor e përcakton atë në mënyrë shumë të përgjithësuar si greko-italike, tipike për transportin e verës gjatë shek III p.e.s; kurse në gjetje të tjera e gjejmë si amforë vere të prodhimit etrusk. Në Durrës kjo formë është gjetur qoftë në fundin e detit, qoftë në tokë. Ena ka përmasa mesatare me lartësi 67-72 cm e me diametër 37-40 cm. 

Përfundimi
Ndonëse janë vetëm pak objekte ato janë të mjaftueshme për të dëshmuar se midis etruskëve dhe ilirëve ka pasur kontakte gjatë fazës II –III të Hekurit. Mendojmë se duhet të ketë të tjera objekte që ruhen në muzetë e shteteve të përmendura më lart. Përfshirja e tyre kërkon punim më të zgjeruar dhe gjithëpërfshirës. Pa dashur ta mbyllim me kaq po sjellim edhe një shënim të ilirologut të shquar Aleksandër Stipçeviq “Pavarësisht se disa objekte të cilat kanë tipare të artit vendas ilirë; ato i detyrohen shumë ndikimit etrusk”.