Ervin Saraçi: Kategoritë që përfitojnë ndihmë ekonomike, kriteret dhe dokumentet

639
Sigal

INTERVISTË/ Flet për “Telegraf”, drejtori i Drejtorisë së Kujdesit Social në Bashkinë e Elbasanit, Ervin Saraçi

Në një intervistë për gazetën “Telegraf”, drejtori i Drejtorisë së Kujdesit Social në Bashkinë e Elbasanit  Ervin Saraçi flet për numrin e familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike nga Buxheti i Shtetit si dhe për ato që mbulohen nga buxheti i vetë Bashkisë së Elbasanit. Gjithashtu, Saraçi tregon për kategoritë përfituese, kriteret dhe dokumentacionet që duhen plotësuar ashtu si ligji e ka të përcaktuar.

Zoti Saraçi sa është numri i familjeve që trajtohem me ndihmë ekonomike nga Bashkia Elbasani dhe a ka pasur rritje të këtyre familjeve nga viti 2012 në vitin 2013?

Numri i familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike nga Bashkia e Elbasanit është 2035 familje. Nga viti 2012 dhe deri tani pothuajse kemi pasur po të njëjtin numër, nuk kemi pasur as ulje të familjeve dhe as rritje të këtyre familjeve. Ajo që dua të theksoj është se nga i gjithë ky numër që të citova më lart janë edhe 36 familje që trajtohen me ndihmë ekonomike nga buxheti i vetë Bashkisë së Elbasanit ndërsa pjesa tjetër mbulohet nga Buxheti i Shtetit.

Të cilës kategorie janë këto familje që trajtohen me ndihmë sociale?

Këto familje janë të kategorive të ndryshme. Më konkretisht 360 familje janë invalidë pune, 275 familje janë persona me aftësi të kufizuar, 182 familje janë familje rome, ndërsa gratë kryefamiljare 381, gjithashtu janë dhe 5 jetime, 1 viktimë trafikimi dhe 3 gra kryefamiljare, por që janë viktimë dhune ndërsa 803 janë individë të tjerë që nuk plotësojnë dot kushtet për të qenë të aftë për punë.

Kush janë familjet që kanë të drejtë të përfitojnë ndihmë ekonomike?

Trajtohen të gjitha familjet pa të ardhura ose me të ardhura të pamjaftueshme. Trajtohen jetimët e pa punë nën moshën 25 vjeç, jetimë, të cilët nuk janë vendosur nëpër institucionet shtetërore, viktimat e trafikimit, personat e sapo dal nga institucioni i përkujdesit shoqëror dhe viktimat e dhunës në familje  për aq kohë sa është e vlefshme periudha e urdhrit të mbrojtjes.

Cilat janë kriteret për të përfituar ndihmë ekonomike?

Të gjithë kategoritë që unë përmenda më lartë përfitojnë ndihmë ekonomike, por kuptohet duke paraqitur dokumentet përkatëse ashtu si ligji i ka. Sigurisht, çdo person që trajtohet me ndihmë sociale duhet të plotësojë dosjen e tij me të gjitha dokumentet e rregullta duke mos i munguar as dhe një.