ERRU hap rrugë për ndryshimin e çmimit sipas kostove

650
Enti Rregullator i Ujit ka vendosur të ndryshojë metodologjinë që përdor për të përcaktuar tarifat që aplikojnë ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve për furnizimin me ujë. Përmes një vendimi të fundit të marsit, ERRU vlerëson se janë të paktën tetë arsye që e bëjnë të nevojshme rishikimin e metodologjisë, duke nisur nga mungesa e dokumentacionit të nevojshëm, mbivendosja e të tjerave si dhe mungesa e planeve 5-vjeçare të investimit që e bën të vështirë parashikimin e ecurisë së shoqërive. “Mungesa e përgatitjes dhe paraqitjes së planeve të biznesit 5-vjeçar vështirëson parashikimin për ecurinë e shoqërive, investimet e nevojshme që duhet të kryejnë ato dhe prioritetet përkatëse për përmirësimin e shërbimit, të cilat ndikojnë në tarifat e shërbimit. Dokumentacioni aktual që duhet paraqitur së bashku me aplikimin për ndryshim tarife ka nevojë për përmirësime e plotësime”, – thuhet në vendimin e ERRU. Nga ana tjetër, mosparaqitja e aplikimit për ndryshimin e tarifave me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm dhe plotësimi i tij më vonë, duke e tejzgjatur procedurën dhe vendimmarrjen shtron nevojën, që të hiqet afati, data 30 qershor i vitit aktual dhe aplikimi të jetë i lirë për t’u bërë në çdo moment të vitit, me kushtin që dokumentacioni ligjor, teknik dhe ekonomik të jetë i plotë. Çështja e mbulimit të kostove dhe operimit është një tjetër arsye që ka detyruar ERRU të rishikojë metodologjinë për tarifa. “Duke u nisur nga fakti, që pjesa më e madhe e shoqërive janë shumë të dobëta financiarisht, mbulojnë kostot O&M në nivele të ulëta, por nga ana tjetër ka shoqëri që kanë një performancë menaxheriale dhe operative shumë të mirë, të cilat aplikojnë për ndryshimin e tarifave me qëllim akumulimin e të ardhurave për shlyerjen e kredive dhe më tej për të bërë investime në vlera të konsiderueshme, lind nevoja për rishikimin e metodologjisë, duke i kategorizuar shoqëritë sipas mbulimit të kostove”, thuhet në vendim. Reforma territoriale, sipas Entit, duhet të reflektohet tashmë edhe tek metodologjia që përdoret për përcaktimin e tarifave duke pasur parasysh një seri aspektesh. “Zbatimi i reformës territoriale që presupozoi edhe riorganizimin e shoqërive UK, bën të domosdoshme ndryshime dhe përshtatje të dokumentacionit shoqërues të aplikimit, kjo kryesisht në dokumentet teknike dhe ekonomike”.
Sigal