Erjon Braçe: “PS-ja do të bëjë koalicion vetëm me parti besnike”

602
Sigal

KONFERENCA/ Nga qyteti i Beratit, deputeti socialist ka akuzuar ashpër LSI-në dhe kryeministrin Sali Berisha

Nga qyteti i Beratit gjatë një konferencë për shtyp, deputeti Erjon Braçe ka deklaruar se, në zgjedhjet e 2013-s, Partia Socialiste do të bëjë koalicion vetëm me ato parti dhe aleatë besnikë të saj,të cilët kanë bërë opozitën e vërtetë në këto 8-vite të qeverisjes së Sali Berishës, edhe kur ai pati guximin t’i gjuajë ata me plumba dhe ky koalicion do të jetë koalicioni më i madh në historinë e Shqipërisë. Duke u ndalur sërish në rrezikimin e mandatit të 8-të në Qarkun e Beratit, deputeti Braçe është shprehur se, PS-ja nuk ka bërë asnjëherë lojëra politike në kurriz të këtij mandati, qëndrimi i saj ka qenë gjithmonë korrekt, por është PD dhe LSI që kanë manipuluar listat e zgjedhësve në Kukës për t’i hequr mandatin e 8 Beratit, prandaj LSI-ja duhet të distancohet qartë dhe prerë nga ky manipulim.

Akuzat

Nga qyteti i Beratit, deputeti socialist Erjon Braçe ka akuzuar ashpër LSI-në, duke thënë se në rrugë zyrtare e jozyrtare ajo po godet me forcën e pushtetit në mënyrë selektive nëpërmjet një fushate të ndyrë gjobash bizneset në këtë qark që rezultojnë se familjet e tyre janë anëtarë të PS-së. Për këtë- ka thënë Braçe- ata një ditë do të paguajnë, edhe pse sot ndihen të fortë se janë në pushtet me Berishën. Braçe ka akuzuar edhe Kryeministrin Sali Berisha, duke e quajtur atë përgjegjës dhe katil për mospagimin që prej muajit tetor të parave për personat me aftësi të kufizuar, invalidët e të gjitha shkallëve dhe paraplegjikët, të cilët kanë nisur një betejë ligjore që do të mbështetet fuqishëm nga PS-ja deri në dhënien e përgjegjësisë përpara ligjit të të gjithë atyre pushtetarëve që nuk kanë firmosur apo kanë penguar dhënien e këtyre pagesave. Braçe është ndalur edhe në vendimin që është marrë për heqjen e taksës së antenave të kompanive celulare, duke thënë se heqja e taksave është bërë për interesa klienteliste, të korruptuara dhe kriminale të Kryeministrit që heq taksat vetëm për bizneset e tij duke çuar njerëzit në varfëri dhe buxhetin e shtetit në krizë.