Erdhi koha… Një pikë referente Hebraike për Beratin…

1009
Nga: Sulo GOZHINA

Pas një pune të gjatë, gati 20-vjeçare, studimore dhe hulumtuese në arkiva, në terren, në kujtesën e shkruar dhe atë gojore, pas referimeve në Konferenca Shkencore për strehimin dhe shpëtimin e hebrenjve në kohën e Holokaustit, në Berat (2008) dhe Elbasan (2011), pas botimeve të shumë shkrimeve dhe librit “Hebrenjtë e Beratit” – 2010, studiuesi Simon Vrusho ofron lajmin e hapjes së muzeut “SOLOMONI” në Berat. Muze unik në Shqipëri, muzeu Solomoni ka për të tërhequr interesin dhe vëmendjen, kureshtinë dhe befasinë e vizitorëve, turistëve, mes tyre dhe turistë e vizitorë izraelitë e hebrenj, muze që do të jetë një nga pikat e referimit të trashëgimisë jomateriale, por të një trashëgimie të rrallë të bashkëjetesës së komuniteti hebre në qytetin e Beratit. E shtrirë në një hark kohor 500-vjeçar, prania hebraike në Berat ka lënë gjurmë në histori dhe arkitekturë, në objekte dhe toponimi, në letërsi dhe në arkeologji, në publicistikë dhe demografi, në gjeografi dhe në besim, në pikturë dhe rrëfenja…Larmia, pasuria e të dhënave dhe informacionit tërheqës do ta bëjnë këtë muze, së shpejti, një pikë referente për Beratin… Në vijim të kësaj pike referente hebraike në Berat studiuesi Simon Vrusho jep mendimin edhe për ngritjen apo hapjen e një muzeu “SOLOMONI”, madje citon në publikimin e tij se muzeu duhet hapur së afërmi në Berat…Po në vijim të citimit të tij, publicist Vrusho rendit dhe disa arsye se përse nuk është ngritur dhe për këtë rendit të parë anën financiare, ndërkohë që rendit edhe arsyet se përse duhet ngritur muzeu hebraik në Berat. Duke qenë se, tani për tani, një muze për hebrenjtë në Berat ka pak gjasa të ngrihet nga Bashkia Berat apo drejtoritë që kanë vartësi nga ministritë, kryesisht për arsye financiare; Duke qenë se numri i turistëve izraelitë dhe hebrenj në Berat po shtohet dukshëm; Duke qenë se tematika hebraike e Beratit është shumëshekullore; Duke qenë se një numër i madh, mbi 600 hebrenj u strehuan dhe u shpëtuan në Berat në vitet 1942-45; Duke qenë se shoqëruesit, guidat, përkthyesit e turistëve dhe vizitorëve izraelitë e hebrenj lënë për të dëshiruar si nga kultura, ashtu edhe nga anglishtja e aksidentuar, (ata nuk dinë shqip 300 fjalë, si mund të shprehen anglisht?); Duke qenë këto rrethana, ky kontekst, turistët e vizitorët izraelitë nuk arrijnë të kapin, të perceptojnë, të lënë mbresa dhe të mbartin në kujtesë atë peshë reale që ka përmasa hebraike në Berat; Lind nevoja të hapet, një Muze Shtëpie Për Hebrenjtë në Berat, që mund të quhet edhe Muzeu “SOLOMONI”, muze origjinal, por me substancë, që do të përmbajë 12 pavione, 12 stenda, eksponate, me objekte, artefakte, dokumente, foto, kujtime, të dhëna, etj. që ilustrojnë hebraiken në Berat, stenda të titulluara, eksponate, si: : I. Mëhalla e çifutëve (1506- 1905) -Emrat e 25 kryefamiljarëve të familjeve hebreje në Berat në vitin 1506, të kryefamiljarëve të vitit 1520 etj. deri tek 100 familjet e dy shekujve më pas etj. II. Varri i çifutit -Dëshmi, prova, fakte, argumente të pranisë dhe varrit në Berat të Sabbatei Zevit, i mbiquajtur dhe Mesi, figurë emblematike që i dha impulse botës hebraike dhe paralajmëroi rikthimin në Jeruzalem, rreth 3 shekuj më parë para shpalljes së Izraelit më 1948. III. Reflekse hebraike- Yje Davidi, kippah, jamurka, portrete Abrahamësh, Davidësh etj. IV. Lista e hebrenjve të strehuar në Berat 1942-45 / 1.2.3…….601 V. Hebrenj në Berat në kohën e holokaustit- objekte, foto, kujtime, dëshmi, prova, fakte. VI. Memorie…-Strehuesit për të strehuarit, foto, memorie, meditime… VII. Solomoni -tregtar dhe poet…-figurë dhe profil emblematik nga tradita hebraike në Berat… VIII. Hebrenj në Berat: Dr. Zino Matathia -kirurg, drejtor, hebre në Berat 1966-1980 & Taisa Pisha-Batkina, kimiste që vuajti të gjitha llojet e acideve të diktaturës….

IX. Sara-lutfije- Marie Baballëku (1880-1965) një hebreje që ngjalli Moisinë në Berat para 100 vjetëve… Një sagë e rrallë… X. Turistë izraelitë dhe hebrenj. XI. Gjurmë dhe jehonë… Nxënës hebrenj në shkollat e Beratit në kohën e Holokaustit…
Sigal