Epoka e re e skandaleve të korporatave

627
Sigal

Skandalet e kohëve të fundit tregojnë se niveli i standardeve ka rënë shumë në Amerikën e korporatave. Boeing, Goldman Sachs dhe Facebook janë ndër kompanitë më të përfolura në këtë drejtim

 

Dy gjëra evidentohen sot në industrinë e biznesit amerikan. E para është, sesa të suksesshme janë firmat amerikane: Ato përbëjnë 57 nga 100 firmat më të suksesshme në botë. E dyta është situata problematike që ka përfshirë së fundmi disa prej kompanive më të fuqishme, shkruan “The Economist”.

Boeing po përballet me akuzat se ka shitur 737 avionë MAX me software me probleme. Kjo kompani ka deklaruar se po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për të vërtetuar plotësisht sigurinë e 737 avionëve MAX. Akuza kriminale janë ngritur edhe kundër Goldman Sachs në Malajzi për rolin e saj në sigurimin e 6.5 miliardë dollarëve amerikanë, për krijimin e një fondi shtetëror, që supozohet se është gjithçka një mashtrim. Goldman, nga ana e saj, është shprehur se po bashkëpunon me hetuesit për ta zgjidhur sa më parë këtë çështje.
Një juri në Kaliforni sapo ka zbuluar se Monsanto nuk i ka paralajmëruar blerësit e saj, se produktet që ajo tregton mund të shkaktojnë kancer.

Bayer, një firmë gjermane që bleu Monsanton në qershor, thotë se do të apelojë vendimin e mësipërm. Wells Fargo, një nga bankat më të mëdha të Amerikës, ka pranuar krijimin e 3.5 milionë llogarive bankare të paautorizuara. Ajo thotë se po punon shumë në drejtim të “rifitimit të besimit me palët e interesit”.

Edhe Facebook është i përfshirë në disa skandale; Praktikat e tij mbi privatësinë e të dhënave po hetohen në disa vende të ndryshme. Rreth 146 milionë e klientëve të Equifax, një firmë për vlerësimin e kredive, iu vodhën të dhënat personale në vitin 2017.
Sipas raportit të saj vjetor, ajo është paditur për neglizhencë. Kurse në një dokument të publikuar kohët e fundit, drejtuar kryesisht investitorëve, thuhet që mbrojtja e informacionit është “prioriteti i tyre më i lartë”.

Pastaj, kemi epideminë e opiumit, i cili përfshin jo vetëm Purdue Pharma, prodhuesin e OxyContin, por, sipas një padie të bërë nga avokati i përgjithshëm i Nju Jorkut, janë të përfshira edhe firma të tjera si McKesson dhe Johnson & Johnson. Kompania Purdue shprehet se është “shumë e shqetësuar” për varësinë ndaj opiumit. Vitin e kaluar, edhe kompania McKesson u shpreh se ishte “thellësisht e shqetësuar” nga kjo epidemi dhe se bordi i saj po “operon sipas disa procedurave që kanë një mbikëqyrje shumë të lartë në lidhje me shpërndarjen e opiumit”.

Johnson & Johnson shprehet se është “shumë e kujdesshme dhe se është angazhuar për të siguruar që ilaçet e saj të përdoren siç duhet”.
Firmat amerikane duket se janë më shumë pre e skandaleve në krahasim me firmat homologe në anën tjetër të oqeanit.
Vlera totale e tregut e firmave amerikane të përfshira në incidente të mëdha, që janë bërë publike që prej vitit 2016, shkon afërsisht në 1.54 trilionë dollarë amerikanë.

Të paktën 200 milionë konsumatorë janë prekur nga këto incidente. Sa u përket firmave evropiane të përfshira në incidente, vlera totale e tregut shkon në 600 miliardë dollarë amerikanë dhe numri i konsumatorëve të prekur llogaritet në më pak se 30 milionë dollarë amerikanë, duke përfshirë këtu prodhuesit e makinave që falsifikojnë testet e emetimeve të dioksidit të karbonit dhe skandalin e bankave nordike të përfshira në pastrimin e parave.

Edhe Amerika është përfshirë nga skandalet e korporatave. Në shekullin e 19- të, thertoret tregtuan mish të kalbur. Në vitet 1960, Detroit prodhoi makina që ishin “të pasigurta për të ecur qoftë edhe me një shpejtësi të ulët”, shprehet Ralph Nader, një aktivist amerikan për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorit.

Krizat e ditëve të sotme janë të larmishme, por megjithatë kanë edhe elemente të përbashkëta. Firmat që krijohen, priren të kenë pozita dominuese në treg. Zemërimi nxit mediat sociale dhe Kongresin. Dhe megjithatë, kostoja financiare ka qenë e kufizuar.
Këtu mund të marrim si shembull listën me dhjetë firma amerikane të përfshira në episode të ndryshme. Për shembull, çmimi mesatar i aksioneve të tyre ka shënuar rënie pas një skandali të caktuar.

Për kritikët e kapitalizmit, asnjë nga këto nuk do të jetë një surprizë. Sipas argumenteve të tyre, veçanërisht firmat e kontrolluara nga aksionerët privatë janë kryesisht jo etikë. Megjithatë, edhe këto argumente nuk duhen marrë si të vërteta, sepse edhe tek ata gjen plot mangësi. Volkwagen mashtroi në testet e emetimeve, edhe pse një pjesë e kësaj kompanie është në pronësi të shtetit gjerman dhe në bordin e saj ka përfaqësues të klasës punëtore.

Një shpjegim alternativ është se kapitalizmi amerikan është kontradiktor. Ai ka qenë gjithnjë i shqetësuar dhe dinamik. Kompanitë testojnë kufijtë e asaj që është e mundur dhe e lejueshme. Firmat e teknologjisë janë ato që së fundmi po “lëvizin shpejt dhe po thyejnë rregulla”, sipas sloganit jozyrtar të Facebook. Tre janë faktorët kryesorë që kanë kufizuar sjelljen e korporatave: 1. rregulloret,

  1. ligjshmëria
  2. konkurrenca.
    Pasojat e krizës financiare u shoqëruan me një stuhi padish dhe gjobash ndaj bankave.

Por që prej asaj periudhe, secili prej tre faktorëve që mund të kenë shërbyer për të kufizuar sjelljen e korporatave, mund të jenë dobësuar, duke rritur incentivën e firmave për të ndërmarrë risqe. Nëse kriza e korporatave nuk reduktohet, atëherë besimi i publikut në kapitalizëm mund të pësojë goditjen e radhës.